Albspirit

Media/News/Publishing

Mogherini: Rekomandimi, moment historik për Shqipërinë dhe për BE

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, ka shprehur kënaqësinë që Komisioni Evropian rekomandoi fillimin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe kështu u bë realitet premtimi i saj i dhënë në muajin mars, në Tiranë.

“Në mars të vitit të kaluar unë u shpreha qartazi përballë qytetarëve të Shqipërisë se Komisioni Evropian do të japë rekomandimin pozitiv për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, kur të fillonte zbatimi i reformës në drejtësi dhe posaçërisht vettingu. Ju e realizuat këtë dhe ne e përmbushëm atë që e premtuam. Urime!”, është shprehur Mogherini, në konferencën e përbashkët për gazetarë me Kryeministrin Edi Rama, në Tiranë.

Zonja Mogherini e ka cilësuar moment historik edhe për Bashkimin Europian dhënien e rekomandimit për fillimin e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

“Është një moment mjaft historik edhe për BE-në. Do të doja t’i bashkohesha Kryeministrit për të falenderuar të gjithë shqitparët dhe kolegët dhe miqt e mi në Bruksel’, është shprehur Mogherini.

Ajo ka thënë se vendimi për fillimin e negociatave për anëtarësim nuk është rezultat i një partie politike, por i “të gjithë atyre që kanë punuar gjatë dekadës së fundit për të transformuar Shqipërinë”.

“Ky nuk është rezultat i njërës parti apo tjetrës. Është një rezultat i të gjithë atyre që kanë punuar gjatë dekadës së fundit për të transformuar Shqipërinë”, ka thënë Mogherini.

“Nëse Shqipëria dha rezultate në reformën e drejtësisë e në procesin e vettingut, kjo ndodhi sepse politika u bë bashkë. Kur them ‘ju e realizuat’, mendoj ju të gjithë e realizuat. Aspirata e qytetarëve tuaj është e para.  Kjo është përpjekje kombëtare”, ka thënë ajo.

“Nuk ndodh në historinë e BE-së që rrugëtimi drejt BE-së të jetë përdorur nga një parti ose një tjetër. Kjo është përpjekje kombëtare”, ka theksuar ajo.

Zonja Mogherini ka thënë se institucionet shtetërore, partitë politike dhe shoqëria civile duhet të angazhohen bashkërisht për përmbushjen e kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Pesë përparësitë kyçe do të jenë elementët kyce dhe baza për punën tonë të ardhme në të përbashkët. Është momenti për të njohur rezultatin e arritur të gjithë bashkë në Shqipëri dhe angazhimi për të punuar së bashku, opozita, dhe të gjithë qytetarët. Përpjekja kolektive nuk është vetëm punë e insistuticoneve. Të gjithë së bashku të vazhdojmë këtë punë e cila do të jetë më e madhe kur të nisin negociatat. Ky është një proces që mundëson transformimin e vendit”, është shprehur ajo.

Please follow and like us: