Albspirit

Media/News/Publishing

Bashkia e Tiranës nis bashkëpunimin me projektin zviceran për kërkim shkencor në shkencat sociale

 

Nëpërmjet një marrëveshjeje të nënshkruar sot, Bashkia e Tiranës do të punojë së bashku me projektin zviceran PERFORM për të ndërmarrë kërkim në disa fusha të rëndësishme

Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj nënshkroi sot një marrëveshje që do të mundësojë kryerjen e kërkimit shkencor dhe do të ofrojë ekspertizë dhe evidenca për disa tema të përzgjedhura për të cilat nevojiten politika dhe vendime të reja. Në emër të delegacionit zviceran marrëveshja u nënshkrua nga Martin Dietz, Menaxher Projekti i PERFORM – një projekt që nxit kërkimet në shkencat sociale në Shqipëri.

“Deri tani jemi mësuar të punojmë ‘me vesh’, dhe kjo është ok kur bëhet fjalë për fillimin dhe trajtimin e çështjeve urgjente. Por tani e në vazhdim duhet të punojmë me partiturë, për të marrë vendime të mira, të bazuara në studime dhe të dhëna”, tha Kryetari i Bashkisë së Tiranës Veliaj duke iu referuar nevojës për patur studime dhe të dhëna solide për vendim-marrje.

“Vendimet e mira nga ana e qeverisë pothuajse gjithmonë bazohen mbi evidenca. Shqipëria nuk ka kohë për të humbur kur bëhet fjalë për përdorimin e kërkimit për vendimmarrje të mira politike. Ky do të jetë një shembull i shkëlqyeshëm se si shkencat sociale mund të ndihmojnë autoritetet për të përmirësuar vendimmarrjen e tyre”, tha Ambasadori zviceran Christoph Graf.

“Ky program konsiston në punë praktike dhe të prekshme së bashku me Bashkinë në projekte politik-bërëse nga shkencëtarë te rinj të fushave sociale. Puna kërkimore do t’i shërbejë kërkuesve pjesëmarrës në këtë program por edhe Bashkisë, duke i dhënë eksperiencë në marrjen dhe përdorimin e evidencave në politik-bërje. Projektet kërkimore janë raste reale. Programi do të mundësojë mentorim të kërkuesëve për të garantuar punime cilësore, si dhe mbështetje personelit të Bashkisë për përdorimin e evidencave ne ciklin e politik-bërjes”, tha Martin Dietz, Menaxher Projekti pranë PERFORM.

Bazuar në këtë marrëveshje, Bashkia ka identifikuar një numër temash/fushash për të cilat nevojitet kërkim profesional duke ja përcjellur PERFORM. Programi do ta delegojë punën kërkimore për temat e përzgjedhura tek akademikë dhe studiues të rinj. Kërkuesit do të trajnohen në mënyrë që ta orientojnë punën e tyre drejt rekomandimeve për politika dhe vendimmarrje. Në fazën finale të bashkëpunimit, Bashkia do të zotërojë një masë të mirë me studime dhe rekomandime për të zhvilluar politikat dhe vendimet e saj.

Kjo ndërhyrje synon të përmirësojë politik-bërjen duke ofruar kapacitete kërkuese me theksin tek shkencat sociale, duke krijuar kështu ura lidhëse midis komunitetit të kërkuesve dhe vendimmarrësëve. Nëpërmjet propozimeve të zhvilluara nga kërkuesit e rinj, Bashkia do të mund të ndërmarrë masa dhe zbatojë aktivitete në të ardhmen për të trajtuar çështje sociale.

PERFORM do të angazhojë ekspertë nga International Centre for Policy Advocacy (ICPA) dhe Akademia e Studimeve Politike (ASP) – një tjetër institucion me mbështetje zvicerane – për të rritur kapacitetet e studiuesve të cilët do të punojnë për projektet kërkimore.

Synimi i PERFORM është promovimi i kërkimit shkencor dhe lidhja më e mire e studimeve me bërjen e politikave.  Projekti financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC dhe zbatohet nga Helvetas Swiss Intercooperation.

 

Please follow and like us: