Mimoza Bici: Ç’të bëj?!
Ç’të bëj
të bind besimin
Ç’të bëj
të lind dëshirën të më duash pakëz
Të zbus urrejtjen brenda vetes
dhunën ta shemb
e të ndërtoj një pus mbi smerald
të shohësh se thellësive ka
ndriçim.
Ç’të bëj të shuaj cmirën
të bukurën ta vendos në vazo të kristalt
kur ta thyesh
ta shohësh veten pa trup, pa kokë.
Por…
Unë kam tabu për të ruajtur kafshërinë e pashuar
transportuar deri në idhuj
ku i ngre në piedestale
Të vras për atë nder
të gjërave të tua
që s’mundem t’i kem të lindura për mua.
Të dashuroj për të t’vrarë pak e pak
derisa të ndjej jetë brenda meje
Të shoqërizoj deri në atë pikë çmendurie
të shohësh sesi në fund
unë paaftësia vura përfund
zgjuarsine tënde.
Ç’të bëj
Po përhap këtë epidemi botës mbarë
Këtu nuk dua të vdes
Janë të gjithë rrjepacak e injorantë
janë të gjithë të bukurit e mbetur nga pak
Dua territore të gjera
kjo për të mirën e të gjithëve
t’i jap fund sa më shpejt ferrit tokë
E ju do shihni se pas shkatërrimit tim, tuajin
do ju shfaqet i madhi Jezus
Do jetoni jetën që po prisni me shekuj
Po ju ndihmoj, o njerëz
Po ju vras e shkatërroj
Kam marrë në dorë fatin tuaj
Jam udhëheqje
Tani
prisni fundin
Lutuni: Amin!
Zoti i përtejmë po vjen
Ora e parajsës po afron
Do rroni aq sa do mbeteni
Më falni… më falni pak
sa të shkoj në banjo…
S’e di a do kemi kohë
të dëgjohemi prapë
…liderët këtë bëjnë kur janë të gjithë bashkë
kur nuk kanë më çfarë të thonë…
Zoti do i mëshiroj të gjithë
Është i mirë zoti sepse: lutjet i dëgjon njësoj për të gjithë.
Amin…
Mblidh rreth vetes zotat e tu Perëndi
kanë bërë pakt me njeriun
nën emrin tënd lajmërojnë fundin e historisë
Por historia mbetet histori
Fundi i njërit episodi të vjetër
është fillim i një episodi të ri
Allah…Amin…!
Lutje fallciteteve
mes njerëzve pa kokë
Kësaj jete dhe zotave
U mjaftohet vetëm një falenderim…
(M. Bici. Vjersha nga cikli i poezive “ Për të gjithë të pafajshmit” Tiranë, mars 2019).