Albspirit

Media/News/Publishing

Brunilda Spiro: Atdheu im Narciz!

 

 

Prapa kuintave ndjek lojën tënde

Dhe fjala e veprimi frymën ma ndal

Në skenën me ty aktorin kryesor

Zogjtë e fluturimit fatal, kori janë!

 

Atdheu im Narciz

I bukur deri në adhurim…

Thonë që hyjve u zgjove zilinë një ditë

Dhe të mallkuan me veten të dashurohesh përjetësisht…

 

Lapidarë gurë-shkruar të ngritën në shkëmbinj

Për hiçin e çmuar të zbrazëtisë

E ti ” luan” në shfaqjen tënde teatrale

Naivin e dashuruar me një gjëagjëzë.

 

Merr pasqyrën e shihesh e krihesh

Atdheu im Narciz!

E mbete në ekstazën e vetëdashurisë

Që të bëri degën e thyer të Universit.

 

Atdheu im Narciz!

I bukur deri në adhurim

Ne naivitetin tënd vuan,se egoizmin të kallën hyjtë

Vetëm veten të duash dhe jo bijtë.

 

Që Mëngjeset të zgjohen si një gjethe peme

E mbetur rastësisht në degën e thyer

E mbrëmjet si fletë të zverdhura të një libri

Thjesht të harrohen në xhepat tona.

 

Që Zbrazëtia e shpirtit tonë të jetë

Si një sirtar i mbushur plot me sende

Që kurrë nuk i përdorëm

Nga ngurrimi për t’i hedhur apo nga frika e boshësisë?

 

Një natë hënëplotë, të pagjumë e larg

Një për një të numërova bukuritë

Aty ku dashuri ka më tepëri

Në qiellin sterrë, ajo është dritësim.

 

Dridhur gulçimesh e zgjimesh

Shpërndarë në qoshet e Botës

Diej të të kallim në kurm

Që të thyejnë pasqyrën e prapshtë

 

Sapo Dielli puth Malet

Fushat shtrat u bëhen për dashuri

Qielli thith aromat në ajër të kënaqësisë

Lozonjares Pranverë gushën ia spërkit.

 

Ti je qënia jonë dhe klithja e parë

Si far shpëtimi në kthimet e arratisë

Ne bijtë e tu inatçorë e plangprishës

“Le të kërkojmë vetvetet tona, e të bëjmë të mundur, që një ditë të gjendemi”

Atdheu im Narciz, mos u mbyt!

Please follow and like us: