Klea Petro: Ora e Shqipërisë, (jo e politikës)
Ora e Shqipërisë ka ardhur. Por, kjo është ora e shqiptarëve dhe jo e të zgjedhurve tanë. Progresraporti që do të publikohet brenda 24 orëve të ardhshme, për herë të parë do të rekomandojë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian. Ky është shpagimi më i mirë për brezin që ngjizi një revolucion historik nën thirrjet e “Shqipërisë si e gjithë Europa”, i njëjti brez që e pa veten të shkërmoqur në centrifugën e një tranzicioni të dhimbshëm pa fund e krye.
Hapja e negociatave bën që Shqipëria dhe Europa, dy qënie të pandashme për vetë historinë tonë mijëravjeçare të jenë më pranë se kurrë njëra-tjetrës. E nëse sot ndodhemi përballë apoteozës tonë europiane, merita për këtë është e jona, jo e politikanëve tanë, që vijojnë të vendosin kuajt e tyre të betejeve në një garë mbi interesat e këtij vendi. Askund tjetër, si në këtë hapësirë të pafundme paradoksesh dhe pasionesh të ethshme, siç do ta kishte perifrazuar Braudel, nuk ndodh që të zgjedhurit të dalin kundër zgjedhësve, duke u përpjekur të bllokojnë atë që ne dëshirojmë.
Skena e fundit në Parlament ishte e vetëm një notë e stonuar, në një simfoni të shëmtuar që na shurdhon prej kohësh. Mielli dhe vezët e hedhura në Parlament ishin miell dhe vezë të hedhura kundër integrimit, një akt që lë gojëhapur edhe vetë mbështetësit e paktë të integrimit tonë, të cilët në vendet e tyre duhet të përballen me forca gjithmonë e më të egërsuara anti-europiane dhe anti-emigracion. Gojëhapur, siç ndodhi kur komisioni i opozitës votoi në nëntor 2016-n kundër hapjes së negociatave në Bruksel apo kur me përpikmërinë më të madhe, sa herë afrohet publikimi i progresraportit të radhës, sajohet një sebep sa për të vendosur barrikada në rrugë e bulevarde, duke përligjur refuzimin e radhës. Të mos ngatërrohemi. Edhe këtë herë, sa për sy e faqe, Parlamenti ynë do të votojë unanimisht pro hapjes së negociatave, siç ndodhi për vetingun dy vjet më parë. Edhe pse përpara asaj vote, u desh të përjetonim të shtatë rrathët e Ferrit, në një kalvar të pafundmë sherresh dhe teknikalitetesh, që për pak na kthyen në udhëkryqin e përhershëm.
Por, ky tis i hollë mirëkuptimi do të shqyhet brenda orës së ardhshme, kur të zgjedhurit të rikthehen në habitatin e tyre, duke përfaqësuar vetveten, e jo më të zgjedhësit. Ndaj, rekomandimi që do të japë BE ditën e nesërme nuk është meritë e atyre, por eksluzivisht e jona. Është merita e atij minatori të mjerë në Bulqizë, e atij fshatari të ngratë në Roskovec, e atyre që përmbyten vit pas viti në Obot, e atij fermeri që replikohet anembanë vendit, e të rinjve që përpiqen të ecin përpara pavarësisht të gjithave, por që bashkohen mes tyre në një aspiratë të palëkundshme që u ka mbirë në zemër.
Është kjo aspiratë, që sado tkurret apo shpërfytyrohet në analet e Kuvendit, nuk mund të tjetërsohet. Ndaj, qoftë edhe për pak kohë, le të festojmë këtë arritje tërësisht “all-shqiptarçe”.