Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Louis Aragon

 

Përktheu Ilia Lëngu

 

Sytë e Elsës

Aq të thellë sytë e tu sa përkulur për të pirë

Pashë atje gjithë diejt e pasqyruar

Atje kërkon të vdes çdo i dëshpëruar

Aq të thellë ata sy sa gjithçka më bëhet fire.

 

Nën hijen e shpendëve oqean i trazuar

Pastaj çelet moti dhe sytë e tu ndryshojnë

Me velin e engjëjve vera retë i krijon

Mbi grunaja bluja ngjan më e theksuar.

 

Brengat qiellore kot rreket era për t’i degdisur

Më të kthjellët sytë e tu kur t’i përndrit loti

Sytë e tu sfidojnë qiellin kur hapet moti

Askund m’i kaltër qelqi se në vendin e krisur.

 

Nënë e Shtatë dhimbjeve ti drita e nemitur

Shtatë shpata prizmin e ngjyrave kanë shpuar

Më e dhimbshme dita mes lotësh aguar

Më i kaltër n’errësirë irisi i përzitur.

 

Sytë e tu çelin shtigje kur ndodh fatkeqësi

Nga ku mrekullisht shfaqen Mbretërit Magë

Teksa me dhembshuri të tre ata panë

Varur në grazhd mantelin e Zonjës Mari.

 

Në majin e fjalëve mjafton vetëm një gojë

Për të gjitha këngët dhe brengat në shpirt

Për milona yje i vogël qielli tmerrësisht

Për sytë e tu plot mister paskan nevojë.

 

I kapluar prej imazheve fëmija

Vështron i mahnitur shumë më pak se ti

Kur çapëlon sytë në më gënjen s’e di

Sikur lule të egra të kish çelur stuhia.

 

Mos janë vetëtima në lavandën që çel

Ku insektet shkarkojnë furi dashurore

Në rrjetën e yjeve endacakë robërohem

Siç vdes në mes të gushtit detari në det.

 

Radiumin e kam nxjerrë nga peshblendia*

Dhe duart në zjarr të ndaluar i kam djegur

O parajsë qindra herë rihumbur dhe rigjetur

Sytë e tu janë Peruja, Golkonda dhe India.

 

Dhe dikur gjithësia u bë copë e thërrime

Mbi shkëmbinj ku të mbyturit ndezën zjarr

Unë shihja mbi det dy sy shkëlqimtarë.

 

*Minerali nga nxirret radium.

 

Duart e Elsës

 

Zgjatmi duart kur brenga më kaplon

Për të cilat aq shumë kam menduar

Aq shumë kur vetmia më pushton

Shpëtim te ato duar kam kërkuar.

 

Kur bien pre në lakun e ngritur

Gjithë frikë ngutje e mallëngjim

Si ujë dëbore që krejt papritur

Prej duarve m’ikën fluturim.

 

Do dish vallë dikur çfarë përjetoj

Çfarë më pushton e më trondit

Do dish dikur çfarë më përshkon

Çfarë unë tradhtoj kur ti më çudit.

 

Çfarë gjuha e thellë thotë kësisoj

Gjuhë e heshtur me shqisa shtazore

Pasqyrë pa imazh pa sy dhe pa gojë

Fjalët s’e shprehin drithmën dashurore.

 

Do dish dikur çfarë duart mendojnë

Për prenë veç një çast zënë në pusí

Do dish dikur çfarë ato heshtojnë

Kur njohën një grimë pakëz fshehtësi.

 

Zgjatmi duart zemra t’më modelohet

Që bota të heshtë vetëm për një grimë

Zgjatmi duart shpirti t’më paqëtohet

Shpirti t’më paqëtohet si në amshim.

 

Kuantik për Elsën

Të prek teksa merr frymë dhe shikimet e mia

S’ janë më si në ditët kur jetonim të ndarë

Ti je perandoresha e unë perandoria

N’ ditë të mira e të këqija

Asnjëherë ti për mua nuk ke qenë kaq larg.

 

Në botën e çudirave ne gjejmë të bashkuar

Ngjyrën absolute të kënaqësisë së dëlirë

Por kur i rikthehem vetes teksa jam zgjuar

Kur psherëtij zemërlënduar

Ti s’më dëgjon më si t’ishte lamtumirë.

 

Ajo fle E dëgjoj gjatë si hesht i drithëruar

E mbaj në krahët e mi megjithatë njësoj

Si të mos jetë aty dhe ndihem i vetmuar

Ngase misterit më shumë i jam afruar

Si lojtar që parandien humbjen e tij në lojë.

 

Dita ka të ngjarë ta shkëpusë nga mungesa

Ma kthen më prekëse më të bukur se dit’e re

Nga terri i kanë mbetur aromat dhe esenca

Si ëndërr shqisore më duket se je

Veç dita që ma sjell është sërish natë ende.

 

Shkurre të përditshme ku jemi lënduar

Si këngë kryeneçe rrodhën këto vite

Asnjëherë i ngopur prej syve të lakmuar

Qielli dëshpërimi gruaja ime

Trembëdhjetë vjet heshtjen tënde kam përgjuar.

 

Si një guaskë që vetëm për detin jeton

Trembëdhjetë stinë e vjet zemërlënduar

Trembëdhjetë vjet pranë kimerave qëndruar

Të një frike t’ëmbël por që

të mundon.

 

Trembëdhjetë vjet frike të kotë përjetuar

Po ç’janë e vogla ime një mijë e një net

Koha nuk është asgjë për kë dashuron

Si t’ishin një ditë ikën trembëdhjetë vjet

Zjarr kashte që fill pas filli

djeg.

 

Elsa në pasqyrë

Bash në zemër të tragjedisë sonë

Para pasqyrës tërë ditën kundruar

Kreh flokët e artë e unë duke kujtuar

Se zjarrin po shuan me ato duar

Bash në zemër të tragjedisë sonë.

 

Para pasqyrës tërë ditën kundruar

Kreh flokët e artë sikur lodron

Bash në zemër të tragjedisë sonë.

Luan një melodi harpe pa i besuar

Para pasqyrës tërë ditën kundruar.

 

Kreh flokët e artë sikur lodron

Teksa vret mendjen për të kujtuar.

Para pasqyrës tërë ditën kundruar

Rindez pareshtur prush të lulëzuar

Pa thënë çka një tjetër do kish treguar.

 

 

Ajo vret mendjen për të kujtuar.

Bash në zemër të tragjedisë sonë

Si kjo dreq pasqyre bota ngjason

Krehëri ndan një prush të valëzuar

Që kthina kujtese më ka ndriçuar.

 

Bash mu në zemër të tragjedisë sonë

Siç brenda javës e enjtja qëndron

Dhe para kujtesës tërë ditën kundruar

Shihte teksa vdisnin të pasqyruar

Një nga një aktorët e tragjedisë sonë.

 

Më të mirët e kësaj bote të mallkuar

Njihen e s’ka nevojë për t’ua kujtuar

Mbrëmjeve të gjata flakët çfarë thonë

Kur flokëarta para pasqyrës qëndron

Dhe kreh në heshtje tis të flakëruar.

 

 

Enigma

 

Një fushë lini blu mes rrushit të zi

Kur era drejt meje dridhshëm e harkon

Një fushë lini blu me qiellin në gji

Dhe tërë qenia ime nis e fërgëllon

Përfytyro.

 

Një fushë lini blu në ditën e re

Kur mjegull e ëndërrt endet në ajri

Kur kam frikë mos i trëmb zogjtë në fole

Me hijen fluturake shtrirë në fshehtësi

Përfytyro.

 

Një fushë lini blu që lotëve u ngjan

Të çon në ato vise që dashuria njeh

Ku gjithçka erëmon ngazëllen e ka sharm

Sikur puthje përherë të shikoje atje

Përfytyro.

 

Një fushë lini blu që duket si çudi

Ku ti zbulon përherë një burim të thellë

Me mantelin e saj vërtet një mrekulli

Mos është shpinë e botës det apo liqen

Përfytyro.

 

Një fushë lini blu që flet qesh e qan

Ku shpirti të përhumb nuk di a e dallon

Çfarë mbolli atje kjo jetë gazavaj

Përse ta dashurosh të deh dhe të lëndon

Përfytyro.

 

Vargje për vallëzim

 

E diel e hënë është krejt njësoj

Mbrëmje mëngjes, ditë apo natë

Në ferr apo në qiell të shtatë

Dashuritë mes tyre ngjasojnë

Ishte dje kur unë të thashë

Gjumi në shtrat do na bashkojë.

 

Kjo ndodhi dje nesër njësoj

E vetmja udhë ku rrugëtoj

Zemrën time e ke dhuratë

Sa bukur ngjajnë të dyja bashkë

Jeta njerëzore sado të zgjatë

Gjumi në shtrat do na bashkojë.

 

E shtrenjta ime do jesh përherë

Mbulesa jonë është po ky qiell

Në kraharor do të mbështjell

Aq shumë të dua sa drithëroj

Rri përgjithmonë në këtë strehë

Gjumi në shtrat do na bashkojë.

 

Brengë-dashuria

 

Për gjërat më të thjeshta çfarë di ti

Ditët ngjajnë me diej të grimuar

Çfarë ëndërrojnë lulet në terrin e zi

Ikin me tymin dhe zjarret e shuar

Brengë-dashuria çfarë të ka mësuar.

 

Në skaj të dhomave të kam kërkuar

Atje ku llamba ende s’ishte shuar

Hapat tanë s’qenë më të bashkuar

As krahët tanë të përqafuar

Brenga-dashuri çfarë të ka mësuar.

 

Pranë dritares sime të kam kërkuar

Më kot kopshtet janë të parfumuar

Në ç’vise në ç’vise je duke qëndruar

Në maj nuk ia vleka për të jetuar

Brenga-dashuri çfarë të ka mësuar.

 

Çfarë di ti për pritjen e gjatë

Për emrin tënd unë kam jetuar

E njëjta dhe ndryshe ditë e natë

Dhe nga të ty vetëm unë i qortuar

Brenga-dashuri çfarë të ka mësuar.

 

Teksa përhumbem edhe qëndroj

Si rremtar një çast për të pushuar

Do dish sa gjatë agonia vazhdon

Kur je duke ndjerë fundin e afruar

Brenga-dashuri çfarë të ka mësuar.

 

Ti më gjete

 

Më gjete si guriçkë që mblidhet në zallinë

Një gjësend i humbur që askush s’i di dobinë

 

Si alga mbi sekstantin* që deti nxjerr në breg

Si mjegull në dritare që kërkon vetëm strehë

 

Si rrëmujë dhome hoteli ende e papastruar

E nesërme udhëkryqi kur festa ka mbaruar

 

Udhëtar pa biletë që në shkallët e trenit qëndron

Rrjedhë uji që breglumas të mbrapshtë devijojnë

 

Kafshë e egër që nga dritat e makinave hutohet

Rojtar që në mëngjesin e mekur nga puna largohet

 

Si ëndërr që në terrin e burgjeve ende pezull rri

Si zog i hutuar kur hyn gabimisht në një shtëpi

 

Si shenjë unaze n’gishtin e dashnorit të tradhtuar

Veturë e braktisur thellë një terreni të shkretuar

 

Si letër e grisur përhapur tejembanë nga era

Si nxirja ende mbi duar pasi të ketë ikur vera

 

Si vështrim i brengosur kur rrugën dot nuk e gjeni

Si bagazh në mëshirë të fatit në një stacion treni

 

Si një portë diku a dritare që përplaset nga era

Si plagë zemre a peme kur mbi to bie rrufeja

 

Gur buzë rruge si kujtim i çfarë ka ndodhur dikur

Dhimbje që kurrë nuk njeh fund si njollat mbi lëkurë

 

Si sirenë anijeje thellë detit kur s’e dëgjon askush

Si për një plagë të vjetër kujtimi i thikës në trup

 

Si kali në liri kur pi në pellg ujë të turbulluar

Si pas një nate makthesh nënkresa e shpartalluar

 

Si fyerje ndaj diellit kur pamjen një cifël ta errëson

Si zemërim kur sheh se mbi tokë asgjë nuk ndryshon

 

Si një fjalë të pandreqshme më gjete nëpër natë

Si endacak që për të fjetur ka hyrë në një stallë

 

Si qeni që mban në qafë inicialet e të zotit

Mbushur plot zhurmë e furi një njeri i qëmotit

 

 

S’është thjesht një fjalë dashuria

 

O Zot deri në të fundit çast

Zemërdridhur dhe i zbehtë

Kur në hije kthehesh vetë

Si vallë mundet që të ngjasë

Të duash me të vërtetë

Si ta quash këtë tallaz.

 

Mjaftoka pra të shfaqesh ti

Pamja që më mrekullon

Flokët gjestet që drithërojnë

Rilind e më shfaqet ndër sy

Një botë ku gjithçka gazmon

Ti Elsa ime e imja rini.

 

E fortë dhe e ëmbël si musht

Si diell dritaresh njësoj

Përkëdheljen e jetës shijoj

Dëshirë e etje zgjon tek unë

Të jetoj ende si dhe të njoh

Historinë tonë deri në fund.

 

Të jesh me ty është mrekulli

Kur drita faqen ta ka larë

Kur era të sillet vërdallë

Drithëroj kur shfaqesh ti

Si në takim për herë të parë

Me mua ngjan djaloshi i ri.

 

Më duhet që të kem durim

Po nuk munda të më qortojnë

Si mundet flakët t’i duroj

Ato të djegin që në fillim

Sytë e shpirtit të m’i verbojnë

Po s’kanë për retë ngazëllim.

 

Goja jote për herë të parë

Zëri yt për të parën herë

Krahu i zogut prek një degë

Pema dridhet fund e majë

Herë e parë kurdoherë

Kur ti më prek me fustan.

 

Merr këtë frut që regëtin

Flake gjysmën e dëmtuar

Kafsho pjesën e shpëtuar

Tridhjetë vjet kot po aq serish

Kafshimi yt i ka thelluar

Është jeta ime dhurimi im.

 

Jeta ime vërtet nis

Ditën që të kam takuar

Krahët e tu kanë penguar

Ecurinë e marrëzisë

Dhe ndër vise më ke çuar

Pllenuar prej mirësisë.

 

Erdhe kur qeshë i hutuar

Për të gjetur rrugën time

U ndeza si degë dëllinje

Në dhjetor në ato duar

Prej buzës tënde më linde

Nga ti jeta m’ka filluar.

 

Please follow and like us: