Albspirit

Media/News/Publishing

Orhan Pamuk erdhi në qytetin ku nuk ndodh asgjë

Image result for yzedin hima

Yzedin Hima

 

 

 

 

“Nëna më tha se në një vend ku nuk ndodh asgjë, asnjeri nuk ka arsye të pikturojë dhe asnjeri nuk mund të shkruajë”

Orhan Pamuk

 

Berati është qyteti ku prej shumë kohësh nuk ndodh asgjë. Ajri ndotet nga makinat e shumta, bisedat monotone apo zënkat e vogla të banorëve të tij. Të ardhurit nga Tirana apo qytete të tjerë, thonë se sapo shkelnin në Berat, trupi u shkrehet dhe sytë u koten për gjumë. Të nesërmen ata betohen se këtë gjumë nuk e kishin provuar kurrë. Dhe në qytetet e tyre, kur binte fjala për gjumin e thellë e të patrazuar, ata shprehen se kishin bërë një gjumë berati.
Pylli i bukur në qendër të qytetit, që e mbushte ajrin me cicërima dhe freski, mori fund, kur një projekt për ndërtimin e pedonales e preu dhe në vend të tij shtroi beton dhe mbi beton, gurë. Lamja, qytetari hokatar, që dikur thoshte se shiu u bën mirë lapidarëve, u shpreh se pylli u pre, që të shfaqen lapidarët dhe bustet e vendosur në park. Lamja, siç thoshte, nuk kishte asnjë mëri me lapidarët, por nuk e duronte hipokrizinë e disa njerëzve, që bënin sikur nderonin lapidarët, ndërkohë që qenë shndërruar vetë në “lapidarë” në parcelat e pushtetit.
Ky qytet, që në trashgimine e tij kulturore, në këngë, poezi shfaqet tthellësisht lirik, ka një dobësi për heroizmat dhe heronjtë, qofshin të sajuar apo të vërtetë. Ndoshta këtë dobësi për epikën heroike, qyteti e ka nga që i ka munguar ndër shekuj dhe me delikatesë e shpreh duke zgjedhur në qeverisje persona që vijnë nga vende epike.
Edhe para tetë vitesh, kur në Berat erdhi shkrimtari nobelist Orhan Pamuk, prej kohësh nuk ndodhte asgjë. Qyteti, prej vitesh që nuk mbahen mend, pozonte si muze, i varuar në kodrat si stenda. Banorët e tij silleshin në qytet si vizitorë të përkohshëm në një muze, ku të gjitha ngjarjet tashmë kanë ndodhur.
Atë paradite njerëzit shëtitnin në shëtitoren e qyetit krejt të përgjumur nga vapa e parakohshme dhe ninulla e ëmbël e rrjedhës së qetë të lumit. Edhe pulëbardhat, që dikur e e grisnin qetësinë e qytetit me klithmat e tyre, kishin kohë që qenë larguar, ndoshta për shkak të ndotjes së lumit, që e shtërngon në bel qytetin. Atë paradite në qytetin e lodhur nga pritja për një ndodhi, u përhap në ajër lajmi se në mesditë do të vinte në qytet shkrimtari nobelist turk, Orhan Pamuk.
Thuhej se Orhan Pamukun e kishin lexuar tre vetë në të gjithë qytetin, ndërsa i katërti e kishte nisur e braktisur disa herë, për shkak të gjumit që i shkaktonte rrëfimi. Pasi u mat disa herë për ta rinisur romanin dhe lexoi plot 3 faqe, e mbërtheu një gjumë i tmerrshëm dhe fjeti plot dyzetë e tëtë orë pa ndalim. Që nga ajo ditë, gruaja ia fshehu librin, ndërsa farmacistët e qytetit po ankoheshin për rënien e shitjeve të barnave të gjumit. Qytetarët kishin zbuluar një “ilaç” bio, mjaft të efektshëm për gjumë, librin.
Ndër qindra punonjësit e bashkisë, ende nuk kishte një lexues të Orhan Pamukut, me përjashtim të një ish emigranti, që kishte jetuar disa vite në Turqi dhe prej pesë vitesh orvatej dhe rropatej për ta lexuar në origjinal, sfilitje që i kujtonte punën në fabrikën turke, ku punonte tërë ditën e perëndisë dhe paguhej sa për të mbajtur shpirtin gjallë.
Orhan Pamuk u shfaq në mesditë në Berat, së bashku me botuesen e tij. I gjithë personeli i bashkisë u derdh drejt bibliotekës së qytetit. Nuk ka të dhëna nëse edhe udhëtarit të famshëm Evliya Çelebiut, i njohur si Marko Polo i Perandorisë osmane, do t’i jetë bërë një pritje nga një turmë e tillë 340 vjet më parë. Të paktën në letrat e lëna, Çelebiu nuk e bën një njoftim të tillë.
Orhan Pamuku përshëndeti turmën duke respektuar në fjalën e tij shijen e saj. I hutuar nga entusiazmi i të pranishmëve, foli për kodrat më të bukura në botë, që kishte parë gjatë udhëtimit për në Berat dhe për ngjashmërinë e Beratit me qytetin e tij të lindjes, qytet ku, siç thotë diku, Orhan Pamuku u rrit me trishtimin e madh se në të nuk ndodhte asgjë. Pritësit, të dehur dhe të hutuar nga aroma e lavdisë që e mbështillte shkrimtarin nobelist, harruan t’i flisnin për kodikët, skribët, miniaturistët, kaligrafët e hershëm të Beratit. Askush nuk i foli për Beratin si qytet të poezisë në shekullin XVIII, me Sulejman Naibin, Nezim Beratin dhe mulla Alinë. Askush nuk i foli Orhan Pamukut, piktorit të dikurshëm, autorit të romanit “Unë jam e kuqja”, për Onufrin dhe të kuqen e tij.
Pas fjalimeve dhe zhgënjimeve të lexuesve të paktë të Pamukut, të cilët nuk patën mundësinë t’i drejtonin ndonjë pyetje shkrimtarit të madh, a t’i preknin dorën, turma u drejtua drejt Kalasë, për të vizituar Muzeun “Onufri” dhe monumentet e tjerë. Turma u turr në të përpjetën e Kalasë, duke dihatur. Kënaqësia që turma ndjente për sakrificën e bërë nuk dallohej qartë nga buronte, nga dashuria për artin apo nga lartësia e detyrës së kryer.
Kur mbërriti në Kala, turma u habit nga mungesa e shkrimtarit. Priti e priti, por ai nuk u duk.
Orhan Pamuku, qe kthyer në një kafene të rëndomtë në anë rrugës, ku nuk preferonte kurrë të ulej një punonjës bashkie. Ai donte ta përjetonte këtë qytet si dukur në fëmijërinë e tij, një qytet postosman, ku të mbyste trishtimi nga që nuk ndodhte asgjë. Ndihej disi fajtor dhe i dukej se ardhja e tij e kishte prishur qetësinë, pikëllimin dhe atë prehjen otomane të këtij qyteti, ku prej kohësh nuk ndodhte asgjë.

 

Please follow and like us: