Albspirit

Media/News/Publishing

Pronari që mbronte ligjin e mbetjeve, por që fabrika i mori flakë dy herë

Vullnet Haka, pronari i fabrikës së riciklimit të mbetjeve “Everest” që mori flakë të dielën paradite në zonën e Kasharit, pranë autostradës Tiranë-Durrës, është një prej emrave më të njohur që ka dalë në mbrojtje të importit të mbetjeve.

Si për të mos mjaftuar kjo, fabrika e tij e riciklimit, është shndërruar në burimin kryesor të ndojtjes së ajrit në të gjithë zonën e Kasharit dhe një pjese të mirë të kryeqytetit.

Haka është kryetar i Shoqatës së Ricikluesve në Shqipëri dhe si i tillë, rreth dy vite më parë, u shfaq në mbrojtje dhe mbi të gjitha duke lobuar fuqishëm që të miratohej ligji për importin e mbetjeve në Shqipëri për t’u ricikluar.

Mirëpo, siç duket, nga njëra anë lobonte për të miratuar ligjin e mbetjeve, nga ana tjetër nuk respektonte ligjin e sigurisë në fabrikën e tij.

Një vit më parë, kompania “Everest”, u përfshi nga flakët dhe më pas u gjobit për mos respektim të kushteve të sigurisë.

E njëjta situatë u përsërit edhe ditën e dielë, kur fabrika e riciklimit të mbetjeve u përfshi nga një zjarr masiv, duke u shkrumbuar e gjitha.

Drejtori i Zjarrëfikësve të Tiranës, Shkëlqim Gonxhaj, deklaroi se nuk funksionoi sistemi i alarmit të zjarrit dhe se nuk u lajmëruan nga biznesi, por nga banorët për zjarrin.

Nga ana tjetër, banorët e zonës së Kasharit, janë ankuar disa herë për ndojtjen që shkaktonin mbetjet në fabrikën e riciklimit, që u dogj ditën e dielë.

Nuk ka shtet – këtu, se po të kishte shtet nuk do ta kishte lejuar këtë. Nuk është hera e parë. Sikur edhe një helikopter të kishin sjellë ta shuante zjarrin dhe të mos ndodhte gjithë kjo“,- thanë banorët.

Mirëpo, pavarësisht ankesave të shumta, ata deklarojnë se nuk u mor asnjë masë.

Kohë më parë, shoqëria civile, denoncoi në studion e emsionit “Opinion” në TV Klan se industria e riciklimit ‘Everest’ funksionon jashtë parametrave.

Please follow and like us: