Albspirit

Media/News/Publishing

Majlinda Bregu fiton postin e Sekretarit të Përgjithshëm të RCC

Ish-ministrja e qeverisë Berisha, që pati përplasje të forta me Lulzim Bashën duke humbur pozitat në PD, Majlinda Bregu është zgjedhur Sekretare e Përgjithshme e RCC. Detyrë që e nis në Janar 2019 dhe e përfundon në 2021.

Përmes një statusi në facebook, jo me pak krenari ajo thotë se fitoi edhe Shqipëria, ndërkohë që nuk harron të falenderojë ministrin e Jashtëm, Dimtir Bushati që propozoi emrin e saj për këtë post të rëndësishëm në një organizëm europian.

“Fituam:Unë fitova garën, por fitorja i takon vendit tim! Faleminderit të gjithëve që besuan dhe më votuan për pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Mirënjohje të gjithëve,vendeve anëtare, institucioneve shqiptare, Komisionit Europian, EEAS( Shërbimi i Jashtëm i BE),Parlamentit Europian, familjes time politike EPP, e mbi të gjitha vendeve që votuan bindshëm kandidaturën time. U përpoqën të gjithë, me qartësinë se drejtimi prej meje i këtij institucioni do të ishte fitore e Shqipërisë dhe shqiptarëve! Jam e nderuar sot që për herë të parë më takon mua të drejtoj si e para shqiptare në një pozicion të lartë ekzekutiv, institucionin që ka si mision fuqizimin dhe rritjen e bashkëpunimit në vendet e Europës Juglindore! Një falenderim miqësor për Ditmirin. Na ndajnë sinoret politike, por na bashkoi qasja Europiane dhe përpjekja për të punuar pro Shqipërisë!E di që do të jetë një sfidë e vështirë, por nganjëherë e vështira është më e mira!”, shkruan Majlida Bregu.

Menjëherë ka reaguar miku i saj, Astrit Patozi, i cili thotë me ironi se Majlinda duhet të falenderojë Lulzim Bashën:

“Mund të thuhet pa frikë se emërimi i saj është e vetmja fitore e Partisë Demokratike në këto 5 vjet, që kur kryetar i saj u caktua Lulzim Basha. Sepse ka qenë i vetmi rast kur ky i fundit nuk ka pasur mundësi të ndikonte apo ‘ndihmonte’ për të regjistruar një humbje tjetër. Ndaj edhe Majlinda nuk ka pse të mos e falenderojë edhe Lulin. Krenarë që Europa njohu dhe vlerësoi një nga investimet më të qenësishme dhe serioze të Partisë Demokratike në 15 vitet e fundit”, shkruan Patozi në një status në facebook.

Sakaq, në faqen online të RCC konfirmohet emri i Sekretres së re të Përgjithshme për periudhën 2019-2021. Po kështu pretendenti tjetër në këtë garë, malazezi Igor Luksic do jetë sekretar pas Bregut, në përriudhën 2022-2024.

Sa i përket buxhetit të këtij këshilli, në statut thuhet se përveç Komisionit Europian i cili është financuesi kryesor, secili prej vendeve anëtare ka detyrimin të japë të paktën 50 mijë euro në vit. Ç’ ka do të thotë se buxheti i RCC nuk është më i vogël se 1.2 milionë euro në vit.

Please follow and like us: