Historia e panjohur e arrestimit të djalit të fundit të Ismail Qemalit
Kishin kaluar vetëm dy vjet pas çlirimit të vendit dhe vendosjes së regjimit komunist, kur Qamil Bej Vlora, punonjës i shërbimeve diplomatike të Ministrisë së Jashtme, do të përballej me kapriçot e sistemit të ri. Gjatë kontrollit që i ishte bërë në banesë, atij iu gjet edhe pistoleta e cila shërbeu si pretekst për futjen e tij në qeli. Kështu, Qamil Bej Vlora, djali i fundit i Ismail Qemalit dhe njëkohësisht i vetmi mes fëmijëve të tij, që qëndroi në Shqipëri, u arrestua në vitin 1946 për një armë pistoletë antike, pronë dhe kujtim i të atit të tij, që ai e ruante si një send mjaft të çmuar.
Ishte një pistoletë me dorezë fildishi që Qamili e ruante si kujtim nga babai i vet, por që strukturat e regjimit komunist që u instalua pas luftës, e përdorën për të burgosur pinjollin e familjes së famshme të Vlorajve, djalin e Ismail Qemalit”, thotë Shaska.
Arrestimi i Qamil Vlorës, 51 vjeçar, fëmijës së fundit të Ismail Qemalit, i vetmi prej tyre që kishte zgjedhur për të jetuar në Atdheun e vet, do të bëhej përmes një urdhri ose në terminologjinë e kohës “Letër rreshtimi”, të Prokurorisë së Gjykatës Ushtarake të Tiranës me nr. protokolli 418, të datës 10 dhjetor të vitit 1946. Siç tregon edhe faksimilja e dokumentit të arrestimit, që shoqëron këtë shkrim, Prokurori urdhëronte “rreshtimin e tij për një kohë të pacaktuar në burgun ordiner të Tiranës”.
Në kuadrin ligjor të kohës, me këtë akuzë, 51 vjeçari Qamil Vlora, cilësohej “sabotator i pushtetit”, çka e çoi atë pas hekurave të burgut, ku do të mbahej për dy vjet. Shaska, thotë se, Qamil Vlora, kishte qenë punonjës në strukturat e Ministrisë së Jashtme dhe arrestimi i tij do të shënonte ngjarjen e dytë të ngjashme në jetën e vet, pas akuzës që ju bë në vitin 1932 nga ish Mbreti Ahmet Zogu, që e akuzonte atë si pjesëmarrës në “Organizatën e Fshehtë të Vlorës”, një komplot që synonte rrëzimin e tij.
Gjatë qëndrimit në burg Qamil Bej Vlora do të sëmurej nga tuberkulozi, çka do t’i shkaktonte vdekjen pak vite më pas, në 1950, në moshën 55 vjeçare.
Qamil Bej Vlora lindi në Stamboll më 14 dhjetor 1895, ku kaloi gjithë fëmijërinë e tij, deri në vitin 1912, kur Ismail Qemali u largua nga Turqia për të shpallur Pavarësinë e Shqipërisë. Mësimet e para i mori në Stamboll, më pas vazhdoi Liceun në Nisë (Francë), ku mbaroi edhe Universitetin e Departamentit të Bouches du Rhone.
Pas vdekjes së Ismail Qemalit (1919) ai u kthye në Vlorë dhe në vitin 1921 u zgjodh Kryetar i Federatës «Atdheu» (Dega e Vlorës). Më 1923 u vendos në Tiranë dhe u emërua Sekretar i rangut të III-të në Ministrinë e Jashtme, ndërsa në fillim të vitit 1925 u emërua Sekretar i Parë i kësaj ministrie. Gjatë qëndrimit në këtë detyrë u nderua nga Presidenti i Republikës Franceze me urdhërin e lartë “Chavalier de la Légion d’Honneur” (13 nëntor 1926) dhe, dy vjet më vonë, në shkurt 1928, me propozim të Ministrisë së Jashtme, u dekorua nga Presidenti i Republikës Shqiptare, Ahmet Zogu, me titullin “Kavalier i Urdhërit të Skënderbeut”.
Gjatë punës në Ministrinë e Jashtme, ai u emërua edhe Kryekonsull në Selanik, ndërkohë që në gusht të vitit 1932 u akuzua se bënte pjesë në “Organizatën e Fshehtë të Vlorës”, një komplot antizogist.
Pas kësaj, ai arriti të largohej nga Shqipëria, së bashku me familjen dhe me ndihmën e mikut të tij francez, Justin Godart, u vendos në Francë. U kthye në atdhe më 1939 dhe u emërua anëtar i Këshillit të Shtetit. Në tetor 1943 u zgjodh deputet i Vlorës në Asamblenë Kushtetuese dhe vazhdoi si deputet deri në përfundim të Luftës II-të Botërore. Vdiq në Tiranë, më 15 dhejtor 1950, në moshën 55 vjeçare, pak kohë pas daljes nga burgu.