Ismail Kadare: Një pasdite në Zyrih…
Në fletoret e mia kam shënimet për një pasdite në Zyrih. Madje, edhe titulli ashtu është “Një pasdite në Zyrih”.
Ngjante me një refleks të zbehtë të një pasditeje tjetër. Në të vërtetë, kisha qenë në Zyrih dhe atë pasdite e mbaja mend mirë. Çdo ditë që mbahet mend ka një çast kur kapet kujtesa si me kanxhë. Në Zyrih ai çast ishte kur gidi që më shoqëronte, duke më treguar një shtëpi, më tha: Këtu ka jetuar Gëte. Zot, sikur ta dija, thashë me vete. Ishte e treta shtëpi që më qëllonte të shihja, që kishte lidhje me Gëten, dhe ato, jo vetëm ngjanin me njëra-tjetrën, por në fasadën e tyre kishin diçka që të kujtonin fytyrën e Gëtes, pas moshës shtatëdhjetëvjeçare. Ishte shtëpi ku mund të mendoje se kishte jetuar një shkrimtar i mesëm, por kurrsesi Gëte, gjë që të krijonte një bezdi brenda teje.
Shtëpia ndodhej në Zyrihun e vjetër, jo larg hotelit “Helmhaus”, ku kisha zënë vend. Por shestimi për Gëten do të ishte gjithsesi i paqetë, ngaqë fare pranë gjendej ndërtesa ku dadaistët gjermanë kishin shpallur artin e tyre dhe pak më tej shtëpia ku kishte banuar Lenini, për të cilën dy dadaistë të mbetur gjallë ende, botonin kujtimet e tyre, të dy në kundërshtim me njëri-tjetrin dhe, me sa dukej, të rrejshme. (Njëri thoshte se Lenini vinte shpesh në mbrëmjet e tyre të zhurmshme për të shfaqur entuziazmin e tij për dadanë, kurse tjetri ngulte këmbë se Lenini, jo vetëm s’shkelte kurrë atje, por i mërzitur prej zallahisë i kishte telefonuar policisë të ndërhynte për të ndërprerë orgjinë.)
Vite më pas këtu duhej të qe vërtitur Aleksandër Solzhenicini, i cili shumë herë duhej ta kishte vështruar me urrejtje tabelën gjermanisht: “Këtu ka jetuar shefi i komunistëve rusë Uljanov Lenini”, ngaqë, me siguri, i qe dukur se pikërisht atje kishte nisur fatkeqësia e tij. Së fundi, si për të plotësuar tablonë, aty pranë ishte një kafene, ku Xhojsit i pëlqente të pinte verë të bardhë dhe ti, pasi e dëgjoje këtë, ishte e natyrshme që të thoshe me vete: si është e mundur që në një vend kaq të ngushtë të ishin përplasur njerëz kaq të kundërt.
Nuk e di pse, por m’u duk se për të qetësuar atë dendësi të pazakontë në tru, më tepër se largimi nga kjo hapësirë, do të ishte takimi me një shkrimtar të gjallë.
A do të shkojmë, siç më premtuat, te Max Frishi? i thashë gidit.
Ai buzëqeshi me aq djallëzi, sa ç’është në gjendje të ketë fytyra e një gidi zviceran dhe, aty për aty, tha: ne jemi ndërkaq dy hapa larg Max Frishit.
I ramë disa herë ziles së shtëpisë së Frishit dhe një fqinjë na tha se shkrimtari, me siguri, do të kishte dalë të blinte qumështin, gjë që ishte i detyruar ta bënte vetë pas ndarjes me gruan, eh, në moshën shtatëdhjetëvjeçare, për perëndi, s’ishte lehtë.
Ndërsa largoheshim, ndjeva lodhje dhe mërzi. Kisha vënë re se ndodhte shpesh të dëgjoja fjalë të hidhura, për të cilat thosha më pas: ku dreqin i dëgjova! Ose, ku e ktheva kokën për ta parë atë shëmti. Dhe gjithmonë mendoja: si nuk isha larguar edhe pak, ose si nuk kishte erë që të mos dëgjoja, ose të ishte natë, që të mos shihja. Por ndërkaq ajo s’ndreqet më dhe ti je i detyruar të tretësh brenda teje shijen e hidhur. A nuk mjaftonte që fqinja të na thoshte se Max Frishi mungonte dhe ç’ishte e nevojshme të na sqaronte se ndoshta kishte dalë për të blerë qumësht, dhe aq më tepër të shtonte fjalët e tjera për ndarjen nga gruaja?
E ndieja se isha nervoz, herë me të tjerët, po më shumë me veten time. Ndoshta isha unë vetë që e krijoja këtë trazim. Ishte mendja ime ballkanase, së cilës i dukej ndoshta e padenjë që shkrimtari më i shquar i Zvicrës të dilte të blinte qumësht, pasi qe ndarë nga gruaja. E ç’dashke ti, i shfryja vetes, të rrëmbeje hanxharin, apo të ulërije për gabime ideologjike në ndonjë plenum?
Kisha vënë re se nervozohesha përherë kur dikush më prishte atë lloj magjepsjeje që mendja ime krijonte për gjërat. Ja tani po ecnim drejt hotelit “Helmhaus”, emrin e të cilit, duke u nisur nga shqipja, më pëlqente ta mendoja si “Shtëpia e Helmit”, dhe ndonëse e dija se s’mund të ishte ashtu, vazhdoja ta mendoja si një hotel ku mund të të helmonin. E kisha ruajtur me aq xhelozi atë përfytyrim, saqë, me gjithë kureshtjen, nuk e kisha pyetur asnjëherë gidin se ç’do të thoshte ky emër “Helmhaus”.
Mirëpo, atë pasdite zhgënjyese, pikërisht kur unë kisha nevojë për pak riparim, për pak suvatim magjepsës mbi zhveshjen e ftohtë, pra shi atëherë kur s’duhej, pa kurrfarë shtyse, duke hyrë në holl, gidi më tha: e dini se ç’kuptim ka emri i hotelit tuaj?Ishte aq e papritur ndërhyrja e tij, saqë nuk arrita t’i thosha “mos!”, se ndërkaq shpjegimi shfarosës ishte bërë: “Helmhaus” do të thoshte gjermanisht Shtëpia e Helmetës. “Ç’keni kështu? Mos nuk e ndieni veten mirë”?