Albspirit

Media/News/Publishing

Viron Kona: Hunda

Tregim

1.

Mësuesi ynë i matematikës i klasës së gjashtë kishte një zakon të  çuditshëm. Kur të kapte të papërgatitur, pa detyra apo kur bëje ndonjë prapësi,  ai kërkonte që t`i afroheshe pranë tryezës. E, ndërsa qëndroje si qyqar përpara tij, ai të shihte për pak çaste gjithë kënaqësi, siç sheh  gjahtari prenë e porsakapur, pastaj, kur t`i s`e prisje,  në mënyrë krejt të befasishme dhe me një shkathtësi  gjarpri, ai të mbërthente hundën mes dy gishtave të përthyer dhe ta shtrëngonte e ta përdridhte kaq fortë, sa të dilnin lot nga sytë. Përgjithësisht, siç i thonë fjalës, ai ishte njeri që nuk shikonte përtej hundës së vetë, por ama hundët tona, pra të  nxënësve të tij, i shihte me vëmendje e përqendrim të madh. Pëshpëritej se në shtëpi ai mbante një literaturë të gjerë për hundët, e cila ishte e pajisur me figura dhe fotografi hundësh në pozicione dhe pamje të ndryshme. Sipas tij, llojet dhe format e hundëve, tregonin tipin dhe personalitetin e njeriut. Për shembull, ai që e kishte hundën me kurriz dhe me sqep si të shqiponjës, ishte agresiv dhe i pabindur; ai që kishte hundë të shtypur, ishte i dëgjueshëm dhe kishte prirje për studim. Mësuesi  vlerësonte më shumë ata që kishin hundë të gjerë apo hundë të drejtë, të cilët, siç thoshte, kishin prirje të ecnin dhe të përparonin në jetë. Gjithsesi, qëllimi final i studimit të formave, linjave, lakueshmërisë, gropëzave apo kurrizeve të hundëve tona, ishte që, kur të vinte çasti i duhur, ai të realizonte kapje sa më spektakulare të hundës. Mbase po e zgjas dhe po e teprojë me këtë përshkrim, por ky zakon apo stil ndëshkimor, e kishte shndërruar atë në një mësues të frikshëm. Të paktë qenë ata që i kishin shpëtuar “darës” së tij, prandaj,  midis nxënësve ai përmendej shpesh me zë të ulët me nofkën: Mësues “Dara”. Edhe  mësues të tjerë përdornin stile dhe metoda ndëshkimi, por në to s`kishte asgjë origjinale. Ata, për shembull të jepnin ndonjë pëllëmbë, të kapnin dhe të tërhiqnin fort njërin vesh apo të dy bashkë dhe të ngrinin peshë si një lepur; të kapnin qimet e kokës pranë veshit dhe t`i tërhiqnin  deri sa t`i të ulërije nga dhembja; të goditnin me noçkën e gishtit në kokë fare papritmas ose, dikush tjetër të thoshte të hapje dhe të shtrije pëllëmbën e  dorës dhe të binte disa herë më anën e mprehtë të vizores… Sigurisht që, stili i ndëshkimit që përdorte  mësuesi ynë i matematikës, ishte padyshim më interesanti ndër stilet dhe metodat ndëshkimore. Aq shumë përmendej ky stil ndëshkimi, sa që kishte marrë dhenë dhe, shpesh herë shkolla jonë identifikohej me mësues “Darën”. Jo rrallë dëgjoje ndonjë prind, që e kërcënonte dhe e trembte fëmijën me shprehjen: “Ehe, vetëm mësues “Dara” të del akut ty, por ç`e do se je në të tjetër shkollë? Hajde-hajde se vitin tjetër atje, në shkollën e mësues “Darës” do të të çojë!”

Por mësuesi ynë, ndonjëherë, dinte të bëhej edhe gazmor, ai kishte aftësi të tregonte edhe anekdota të rralla, si për shembull:

“-Pa më thoni ju bukuroshë, ç`është gomari?

-Kafshë e urtë, – përgjigjej ndonjëri.

-Veshgjatë, – ia kthente dikush tjetër

-Jo, bukuroshë, “gomari është një kalë që nuk ka përfunduar   studimet.”-thoshte mësuesi dhe, si heshtte një çast, vijonte: -Atëherë, unë ju pyes: nëse ju  mbeteni në klasë, si do të quheni? – dhe, teksa ne qëndronim të heshtur dhe të fyer ngaqë nënkuptonim se cila ishte përgjigja e pyetjes,  mësuesi ynë ia shkrepte të qeshurit dhe s`pushonte për një kohë të gjatë si të donte të na lëndonte më shumë.. .

 

2.

Nuk dua ta zgjasë me këto gjepura, por po hyj drejt  në temë.

Atë ditë po rropatesha të zgjidhja një problem të matematikës, por që në fillim e kuptova se nuk isha në gjendje ta zgjidhja, kështu që veçse shkarravitja në tabelë duke e bërë lëmsh gjithçka.

-As këtë problem nuk zgjidh dot!? – më bërtiti mësuesi.

Unë i hodha një vështrim të përvuajtur dhe, nga hutimi bëra një gabim matematikor mjaft trashanik, saqë edhe klasa lëshoi një pasthirrmë habie. Atëherë, mësuesi, i cili  më ndiqte nga tryeza e tij, u bë xhind dhe m`u drejtua me një ton të ashpër dhe ironik:

-M`u afro pranë t`i bukurosh, të bashkëbisedojmë pakëz  kokë më kokë ne të dy dhe unë të të mësoj   ty një mënyrë shumë interesante se si zgjidhet një problem matematike, – dhe, kur unë u afrova gjithë druajtje e frikë në distancën rreth gjysmë metri, ai bëri lëvizjen, mbase më të famshmen deri atëherë, teksa unë ndjeva  një palë “darë” që mbërthyen fortë hundën time. Pastaj, duke u mbështetur mirë në karrige dhe pa m`i ndarë sytë, ai nisi të ma shtrëngonte hundën, duke ma përdredhur majtas e djathtas, aq sa mua nisën të më lëshonin sytë xixa. Ndërkaq, ai, duke më parë me sytë që i shkëlqenin nga kënaqësia e ligë, më thoshte se ndihej i zhgënjyer nga unë, pasi forma ime e hundës, e cila ishte e drejtë, tregonte se  unë duhej të isha tip i njeriut që i pëlqente dija dhe kultura…

-Ti e ke gabimisht këtë hundë të drejtë more idiot dhe injorantë. Tipi yt duhet të kishte një hundë si të shqiponjës, – më bërtiste ai, duke e shtrënguar edhe më fortë hundën time zhgënjyese. Pasi u lodh së shtrënguari  e së ma përdredhuri majtas-djathtas, mësuesi ia filloi lëvizjes lart – poshtë dhe poshtë – lart. Ajo qe e ç`qe!… Më në fund, mësuesi i liroi si me pishman “darët” dhe, duke ma lënë hundën krejt të lirë, më bërtiti:

-Ik, ulu në bangë dhe mos guxo të më vish më  i papërgatitur!

Duke shkuar drejt bangës, vura dorën tek hunda dhe ndjeva që ajo më ishte rrjepur dhe gjakosur keq. Nxora shaminë dhe mbështolla hundën me të.

Kur ora e mësimit mbaroi, m`u afruan disa nga shoqet dhe shokët e klasës dhe u kujdesën të më ndalnin gjakun që vazhdonte të më rridhte.

-E paske lëkurën e hundës shumë delikate, si të një femre, – më tha Daku, i cili ngaqë vinte gjithnjë i papërgatitur, por që edhe formën e hundës e kishte me kurriz si të shqiponjës, e kishte provuar disa herë “darën” e mësuesit. Gjithsesi, gjakosja ime, sipas Dakut, nuk ishte përgjegjësi e “darëve” të mësuesit, por e hundës sime me lëkurë të hollë.

Në shtëpi nuk guxoja të shkoja. Prindërit do të më pyesnin se ç`e kishte gjetur hundën time dhe unë nuk do të dija sesi t`u përgjigjesha. Nuk isha nga ata fëmijë qaramanë që ankoheshin për mësuesit. Madje, atëherë, ne e kishim për turp të ankoheshim kur  mësuesit  na rrihnin. Ndonjërin që ankohej te prindërit për ndonjë rrahje, ne e tregonim me gisht:“Ja, ai që u ankua për mësuesin!” Si të thoshim, “shih, mor shih se çfarë burracaku u tregua! Vetëm për disa pëllëmbë fytyrës, u ra burive dhe alarmoi gjithë lagjen”!

U  sorollata nja dy orë në rrugët e qytetit dhe, kur po binte mbrëmja (mësimin e zhvillonim pasdite) shkova me hap të ngadaltë drejtë shtëpisë. Sapo hyra, babai im i mirë dhe i urtë, m`u afrua dhe më pyeti:

-Po t`i, ç` e ke atë hundë të gjakosur, me kë je zënë, kush të ka rrahur?

-Nuk u zura me njeri, por u rrëzova  nga paralelet kur po bëja vertikalen. – i thashë duke mbajtur kokën ulur.

Im atë nuk e hëngri gënjeshtrën time naive. Ai më hetoi disa çaste me vëmendje, pastaj nisi të ma  mjekojë hundën e rrjepur dhe të gjakosur. Jodjoja, që përdorej atëherë, e bëri  efektin, e përthau disi plagën dhe dhembjet  m`u pakësuan. Po ndihesha më i qetë, por kur u pashë një çast në pasqyrë, vura re se  hunda ime ishte skuqur e tëra si një karotë e pjekur.

Të nesërmen, kur  shkova në shkollë shokët dhe shoqet më shihnin me keqardhje, por, dikush, duke mos e mbajtur dot të qeshurën për shkak të pamjes që kishte marrë hunda ime, më quajti: “Hundëkuq”. Të tjerët   aq donin dhe, një pjesë e djemve atë ditë nisën të më tallnin e të më thërrisnin me nofkën: “Hundëkuq”. Tjetër hall ky!

 

3.

Por halli i hundës sime s`paskej  përfunduar, madje mund të them se ai hall sapo kishin filluar. Kur erdhi ora e  matematikës, mësues “Dara” hyri i vrenjtur, hodhi regjistrin mbi tavolinë  dhe, me ton justifikuese, kushedi pse, nisi të shpjegojë historinë e rrjepjes së hundës sime një ditë më parë,  histori kjo, të cilën e gjithë klasa e dinte me hollësi. – Por, – shtoi mësuesi, – nuk e prisja që ky lepur i butë  të dilte ujk i vërtetë, të ishte kaq qaraman dhe të  ankohej tek prindërit e tij, të cilët e  bënë problem të madh në drejtorinë e shkollës çështjen e rrjepjes së hundës. -Si heshti pakëz mësuesi m`u kthye mua: – Nuk zgjidhen kështu këto gjëra bukurosh, nxënësi nuk duhet të ankohet asnjëherë për mësuesin. Me ç`po kuptoj, ti dhe disa bukuroshë të tjerë të kësaj klase, veçse i hapni telash vetes me këto ankesa dhe s`keni për ta kuptuar kurrë rolin tim të veçantë dhe origjinal në edukimin tuaj shembullor. Do vijë koha që do ta kuptoni, por do të jetë shumë vonë, sepse si të thuash, atëherë juve do të jeni shndërruar në kuaj që nuk kanë përfunduar studimet, e që do të thotë…? Dhe, ai po priste, që klasa apo ndonjëri të thoshte:   “gomar”. Por klasa heshti, madje heshti edhe Siloja, i cili ishte servil numër një i mësues “Darës”.

Mua s`po më mbante vendi, ngaqë ndihesha i prekur thellë në sedër. Akuza që po më bënte mësuesi se, unë isha ankuar për të, po më shkaktonte një dhembje të mprehtë. Ajo akuzë, në ato çaste, ishte për mua më e rëndë sesa rrjepja e hundës.

-Me leje mësues! – guxova dhe ngrita zërin, – Unë nuk  jam ankuar për ju dhe as që më ka shkuar kurrë në mendje ta bëj një gjë të tillë. Do të jetë dikush tjetër që do të jetë ankuar, unë…, – dhe s`munda të vazhdoja më tej sepse lot të nxehtë më mbuluan tërë fytyrën.

Por, e keqja më e madhe ndodhi  në orën e gjeografisë. Sapo filloi mësimi, mësuesi i gjeografisë, nisi kontrollin bangë më bangë për të parë sesi ne i kishim plotësuar hartat “memece”. Kur erdhi te banga ku ndodhesha  unë, ai i hodhi një vështrim të shpejtë hartës që kisha përpara dhe, duke drejtuar gishtin tregues te hunda ime, me pyeti me ton mjaft  të ashpër:

-Ti je ai që t`u rrop hunda, hë? T`i je ai që alarmove gjithë Mesdheun, hë? Ti je  krye qaramani i shkollës dhe i qytetit, hë?

Unë s`flisja. Ç`t`i thosha? Ai nuk do të më besonte, sido që t`i përgjigjesha. Klasën e kishte pushtuar heshtja. Mësuesi i gjeografisë  ishte më i tmerrshmi i të gjithë shkollës. Askush nuk kishte guxuar t`i kundërshtonte atij.

Ndërkohë  ai ishte skuqur në fytyrë nga inati dhe vijoi të zbrazte mbi mua  breshëri fyerjesh:

-Hë more stërnip i gjarprit me zile, përse s`më përgjigjesh? Po të pyes: ty  t`u rrop  hunda, apo jo?

Sigurisht që, përballë hundës sime,  pyetja e  mësuesit ishte fare pa vend, sepse hunda  ime dukej që dhjetëra metra larg që ishte katandisur mos më keq, por unë isha  bërë më i heshtur se harta ime “memece” që kisha përpara.

Atëherë, papritmas, mësuesi i gjeografisë, lëshoi në stilin e tij një pëllëmbë me dorën e djathtë, e cila u përplasë në faqen time të majtë, pastaj, pa e mbledhur unë veten, pëllëmba e tij e majtë, u përplas fort në faqen time të djathtë. Dhe, si treni që merr xhirot ngadalë dhe më pas i shpeshton, edhe mësuesi, pas pëllëmbëve të para, nisi të më lëshojë vrunduj pëllëmbësh të tjera, majtas – djathtas, djathtas-majtas, aq sa faqet e mia u bënë flakë të kuqe dhe në to dukeshin shenjat e  gishtave të hollë si shkopinj xhazi … Goditjet ai shoqëronte me shprehje të tilla:“ Guxo po deshe dhe ankohu përsëri, por unë do të bëj që të kërcesh pogonishten, do të bë që  t`i thuash derrit, dajë…Po si more përbindësh, more delfin hundë-shishe, akoma s`e paske mësuar atë proverbin se, “Po të guxosh të godasësh dikë` me gur nga poshtë-lart, guri do të bjerë mbi kokën tënde…”Dhe, kur më në fund mësuesi i gjeografisë i dha fund ndëshkimit të tij teorik dhe praktik, unë nuk isha vetëm hundëkuq, por edhe faqekuq, më saktë, isha shndërruar në  një fytyrë kuq.

Ora e mësimit mbaroi dhe disa nga shokët dhe shoqet, më erdhën pranë dhe zunë të më ngushëllonin duke më treguar se kishte nxënës që e kishin pësuar edhe më keq, kurse unë kisha shpëtuar paq dhe e kisha kaluar ndëshkimin vetëm me një rrjepje hunde dhe me një tufë pëllëmbësh pesëçe. E ç`ishte një rrjepje hunde dhe disa pëllëmba fytyrës? Asgjë. Dëgjoja ngushëllimet qëllimmira të shokëve dhe veç  zemërimit që ndjeja për opinionin e padrejtë të mësuesit ndaj meje,  më brente dyshimi se këtej e tutje shokët e mi do të më thërrisnin me nofkat: “Hundëkuq”, “Faqekuq” apo “Fytyrëkuq”. Madje kjo parandjenjë imja nisi të  bëhej e vërtetë kur në ndeshjen e futbollit midis dy klasave të gjashta, mësuesi i fizkulturës, duke bërë formacionin e skuadrës tha: -Në portë do të qëndrojë “Hundëkuqi”.-Kuptohet që pas kësaj nofke me të cilën më quajti ai, tek lojtarët e të dy skuadrave plasi gazi dhe nofka mori dhenë.

Para se të shkoja në shtëpi, si edhe një ditë më parë, u sorollata sa andej – këndej, këtë radhë, që të më largohej ngjyra e kuqe e faqeve dhe shenjat e gishtave të mësuesit të gjeografisë…Hyra në korridor dhe më erdhi mirë kur pashë se njëra llambë ishte djegur dhe shtëpia ishte në gjysmë errësirë, kështu që askush nuk e vuri re se ç`u kishte ndodhur faqeve të mia. Nga dhoma tjetër dëgjova zërin e babait, që po i tregonte nënës sime se, ia kishte thënë nja dy fjalë dhe e kishte bërë për ujë të ftohtë atë mësuesin e matematikës që u shkulte hundët nxënësve. Aty mora vesh se, për rrjepjen e hundës sime, babanë tim e kishte vënë në dijeni  babai i një shoqeje të klasës. Nga kjo bisedë e babait me nënën, mësova se im at i kishte bërë një vërejtje edhe mësuesit të gjeografisë për të cilin ai kishte dëgjuar se i rrihte keq nxënësit.

-Hë, – më pyeti babai, – si u sollën sot mësuesit? Sidomos dua të di më shumë për qëndrimin që mbajtën mësuesi i matematikës dhe ai i gjeografisë. Vë bast se të dy ata kanë bërë autokritikë përpara klasës se këtej e  tutje  nuk do të vënë më dorë mbi nxënësit.

Unë heshta dhe s`po përgjigjesha, ndërkohë që mendoja se babai im e kishte të humbur bastin…

-E di që të vjen turp nga shokët dhe shoqet, sepse mendon se ata do të thonë se ti u tregove qaraman dhe i dobët që vajte dhe u ankove, por unë kam bindjen se gjërat duhen thënë, sepse kur përulesh dhe hesht ndaj dhunës, atëherë e miraton atë, prandaj, dikush duhet të guxojë t`i vërë përpara përgjegjësisë ata mësues që rrahin dhe keqtrajtojnë nxënësit.

-Po, o ba, – iu përgjigja me një ironi të fshehur, – Jo vetëm mësuesi i matematikës, por edhe ai i gjeografisë u sollën krejt ndryshe sot me mua. Mësuesi i matematikës  u soll  gjithë delikatesë, duke  përdorur ndaj meje ca fjalë tepër të zgjedhura, kurse ai i gjeografisë  e bëri autokritikën dhe e shfaqi pendimin e tij në një mënyrë origjinale…

-E dëgjon se ç`po thotë biri ynë? – iu drejtua babai nënës me një vetëkënaqësi të dukshme, – ankesa dhe qortimi im paskan vlejtur…

Po ndjeja keqardhje për sinqeritetin dhe besimin e babait tim të mirë dhe, sigurisht që, atëherë, nuk mendoja si ai. Sidomos, nuk më hiqej nga mendja anekdota që më tregoi mësuesi i gjeografisë teksa më rrihte, se “po të guxosh të godasësh dikë` me gur nga poshtë-lart, guri do të bjerë mbi kokën tënde…”gjë që u vërtetua plotësisht me rrahjen  shembullore që provova unë…

 

4

Atë vit dhe në vitet e ardhme, me  mua nuk ndodhi ndonjë gjë tjetër e shëmtuar, veçse, nofka “Hundëkuq”, vazhdoi të më shoqëroj jo vetëm në mjediset e shkollës por edhe jashtë saj. Njerëz, të cilët  nuk më njihnin, kur dëgjonin që më thërrisnin “Hundëkuq”,  u dukej  e natyrshme sepse mendonin se unë  kisha lindur ashtu, “hundëkuq”.

Një ditë vere, kur ndodhesha duke biseduar me dy shokë të mi dhe  me Lirën, shikimet e së cilës më shkaktonin ca ndjenja drithëruese, njëri prej djemve  më  pyeti se përse e kisha hundën gjithnjë të kuqe. U ndjeva ngushtë, por në çast më shkoi ndërmend të justifikohesha, duke thënë se kisha qenë në plazh dhe më kishte zënë dielli. Por, djali tjetër, që e dinte historinë e hundës sime, më hodhi një romuz:

-Mirë tani që është verë, po, edhe në dimër bën plazh ti?

Të dy shokët e mi ia krisën   gazit, kurse unë dhe Lira u ndjemë keq. U grinda me shokët, por ata aq donin  dhe zunë të më ngacmonin akoma më shumë duke  më thërritur: “Hundëkuq”, teksa Lira  u tërhoq mënjanë dhe zuri të qante  …

Edhe pas shumë vitesh, shenja e kuqe e hundës sime ishte ende  mjaft e dukshme dhe, tek e shikoja veten disa herë në ditë në pasqyrë, më kapte pesimizmi dhe dëshpërimi se hunda ime s`kishte për t`u normalizuar kurrë. Gjatë gjithë jetës sime, mbi hundë do të ngelej vula e gishtave të mësuesit tim të matematikës.

5

Një ditë, tek hyrja e universitetit, rastisi që të takoja pikërisht mësuesin tim të matematikës. Kisha vite pa e parë dhe, kushedi  pse ndjeva një drithërimë. Sytë më shkuan në mënyrë instiktive drejt e te noçkat e gishtërinjve të tij, që, fare papritmas, mund të merrnin formën e darës. Më  bëhej  sikur  nga çasti në çast, ai   do të shpaloste përsëri përpara meje stilin e tij origjinal të kapjes së  befasishme të hundës, dhe, mbase për këtë arsye, instinktivisht qëndrova disi larg tij.

-Hë,-më pyeti mësuesi,-s`po të kujtohem? Kam qenë mësuesi yt i matematikës? Çudi si s`po më mban mend! E po, shkuan e vanë ato kohëra kur mësuesi nderohej e respektohej. -Dhe, duke më thënë këto fjalë,  vështrimi i tij u përqendrua pikërisht te hunda ime.

Heshta një çast dhe s`po dija si t`i përgjigjesha.

-Ç`t`ju them zoti mësues,-nuk është se ju ka harruar, sepse, edhe sikur të dua t`ju harroj, nuk mundem, sepse.., sepse, ju, po e shikoni edhe vetë… Stili juaj origjinal i edukimit, është pasqyruar dukshëm në hundën time. Edhe pas kaq vitesh, disa nga shokët e shkollës, por edhe të tjerë  të panjohur  më thërresin me nofkën: “Hundëkuq” dhe, në ato çaste, më falni që po jua them, por në përfytyrim nuk më shfaqeni ju, as trupi, as fytyra juaj, por vetëm “darët”, domethënë, noçkat e gishtave tuaj.

Pasoi  përsëri heshtja. E ndjeva se mënyra sesi i fola dhe toni im nervoz ishin shprehje e një pakënaqësie dhe revolte që më ngacmonte prej kohësh. Do desha ta kisha frenuar veten, por më shumë sesa  në fytyrë, unë isha  gërvishtur  thellë në shpirt, dhe, siç dihet, plagët e shpirtit janë më të thella dhe nuk mund të harrohen lehtë. Por, në atë çast, nuk më erdhi dot në ndihmë as ajo shprehja e urtë se, “koha shëron shumë gjëra”. Kjo, sepse hunda ime, me kalimin e kohës, nuk ishte normalizuar, por ishte bërë edhe më e kuqe dhe e rrudhosur. Tek e fundit,-i dhashë karar vetes,-ajo që ishte bërë,  nuk ç`bëhej më. Edhe faji i bërë, nuk shlyhej dot më. Hundës sime, s`kishte doktor dhe  medikament kozmetik që mund t`i bënte derman, kështu që, ndaj veprimit të dikurshëm të mësuesit tim,  le të tregoja pakëz zemërgjerësi.

Mësuesi më shihte në fytyrë pa folur dhe, mua po më dukej se në sytë dhe fytyrën e tij po fillonte të  ravijëzohej  një si ndjenjë faji. Por, deri aty, sepse ndonëse mendonim të njëjtat gjëra, asnjëri prej nesh, as unë dhe as mësuesi, nuk po guxonim ta kapërcenim hijen që qëndronte pezull midis nesh. As ai nuk e pati kurajën të më kërkonte të falur, por as unë që t`i shprehja zemërgjerësinë time me shprehjen:  “E po, gjëra që ndodhin, i ka jeta edhe këto!” Dhe, duke u përshëndetur me fjalë që sa mezi u dëgjuan, u ndamë, secili në krah të kundërt, duke ecur me hap të ngadaltë, të heshtur dhe  të menduar…

 

Please follow and like us: