Gazetarët pa kufij: Urrejtja ndaj gazetarisë, kërcënon demokracitë
Organizata “Gazetarët pa kufij”, me seli në Paris vlerëson në raportin e saj për lirinë e medies se po rritet armiqësia ndaj gazetarëve dhe ajo haptazi po trimërohet nga udhëheqësit politik.
Në raportin që vlerëson shkallën e lirisë së medies në 180 vende, theksohet se armiqësia ndaj medies nga udhëheqësit politik, nuk është e kufizuar më vetëm në vende autoritare si Turqia, që ka pësuar rënie, apo Egjipti, ku “frika nga mediet”, është aq e theksuar, saqë gazetarët akuzohen në mënyrë rutinore për terrorizëm dhe të gjithë ata që nuk ofrojnë besnikëri, burgosen në mënyrë arbitrare.
“Gjithnjë e më shumë, udhëheqësit e zgjedhur në mënyrë demokratike, nuk i shohin më mediet si pjesë e mbështetjes thelbësore të demokracisë, por si një kundërshtar ndaj të cilit shfaqin hapur urrejtjen e tyre”, thuhet në raport.
Shqipëria
Shqipëria radhitet në vendin e 75-të për një vend më mirë sesa një vit më parë. Një raport i përbashkët i “Gazetarëve pa kufij” dhe BIRN-it i publikuar në muajin mars të këtij viti, ka gjetur shumë probleme në mediet shqiptare. Standardet rregullative janë manipuluar në interes të qeverisë dhe pronësia mbi medien transmetuese është përqendruar në duart e pak afaristëve të mëdhenj. Kjo, ka krijuar një situatë në të cilën auto censura është e përhapur dhe 80 për qind e gazetarëve nuk kanë besim në ardhmërinë e tyre profesionale.
Raporti veçon rastin kur, kryeministri Edi Rama, sulmoi gazetarët në vjeshtë duke i quajtur ata “injorantë”, “helm”, “sharlatanë”, e madje edhe “armiq publik”.
Kosova
Kosova radhitet në vendin e 78, për katër vende më mirë se një vit më parë. Por, sipas raportit, media në Kosovë, vuan nga ndërhyrjet e drejtpërdrejta dhe të tërthorta politike, trysnia financiare dhe pronësia e përqendruar. Gazetarët që kritikojnë autoritetet e Kosovës, shpesh akuzohen si “tradhtar” ose “simpatizues të serbëve”. Disa ditë pasi u themelua koalicioni qeverisës në shtator të vitit 2017, kryeministri (Ramush) Haradinaj i përshkroi gazetarët si “analfabetë” dhe i këshilloi ata që të “ktheheshin në shkollë”.
Dy gazetarë hulumtues u sulmuan fizikisht pasi që kritikuan anëtarët e qeverisë dhe aleatët e tyre. Ndarjet etnike në Kosovë, thuhet në raport, janë posaçërisht të dukshme në medie, ku pjesëtarët e komuniteti shumicë shqiptar, rrallëherë janë parë duke punuar përkrah atyre të pakicës serbe në një frymë të bashkëpunimit dhe vullnetit të mirë.
Qeveria aktuale duket më e gatshme të flasë me gazetarët dhe mediet në përgjithësi, për dallim prej dy qeverive të mëparshme, të cilat ishin shumë më pak të hapura për dialog.
Sipas raportit, Norvegjia është sërish vendi me shkallën më të lartë të lirisë së medies, ndërsa Koreja e Veriut është e fundit.
Evropa, zona me sigurinë më të madhe të medies, ka shënuar përkeqësimin më të madh këtë vit. Katër nga pesë rëniet më të mëdha në treguesin e lirisë së medies, janë regjistruar në vende evropiane: Maltë, Çeki, Serbi dhe Sllovaki.
Klima në Serbi e cila ka rënë në vendin e 76-të, nga ai i 66-të që e kishte vitin e kaluar, është bërë më e tensionuar që kur ish kryeministri Aleksandër Vuçiç u zgjodh president në vitin 2017. Ai përdori medien pro-qeveritare për të frikësuar gazetarët të cilët akuzohen për “tradhti” dhe si “spiunë të huaj”. Nën presidentin Vuçiç, Serbia është bërtë vend ku është e pasigurt të jesh gazetar, thuhet mes tjerash në raport.
Maqedonia është ngritur në vendin e 109, nga ai i 111-të që ishte një vit më parë, ndërsa Mali i Zi që një vit më parë ishte në vendin e 106-të, kësja radhe është ngritur në vendin e 103-të.
Sipas raportit, 9 për qind e vendeve të botës vlerësohet të jenë në gjendje shumë të mirë, ndërsa 12 për qind në gjendjen më të rëndë.