BE: Irani, Rusia dhe Turqia kanë “përgjegjësi të veçantë” në Siri
Shefja e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini i ka bërë thirrje Rusisë, Iranit dhe Turqisë për të bërë më shumë në uljen e luftimeve në Siri.
Mogherini ka foluar para gazetarëve më 25 prill në Bruksel, pasi donatorët ndërkombëtarë janë mbledhur në ditën e dytë në një konferencë për të ndihmuar shtetin e shkatërruar nga lufta.
Ajo ka thënë se tri shtete ndajnë “përgjegjësi të veçantë” për të siguruar kushte për arritjen e ndonjë armëpushimi dhe për t’i bërë presion Qeverisë së presidentit sirian, Bashar-al Assad për t’u kthyer në tavolinën e negociatave.
“Ne jemi duke parë një përshkallëzim të aktiviteteve ushtarake e që në fakt është e kundërta e asaj që Rusia, Irani dhe Turqia kanë premtuar se do të bëjnë”, ka thënë ajo.
Rusia dhe Irani i kanë dhënë Assadit mbështetje thelbësore në luftën shtatëvjeçare në Siri, e cila ka vrarë qindra mijëra persona dhe ka detyruar miliona të tjerë për t’u zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Rreth 80 shtete, organizata dhe partnerë janë duke marrë pjesë në konferencën e donatorëve në Bruksel.
Agjencitë e Kombeve të Bashkuara u kanë bërë thirrje shteteve që të kontribuojnë në apelin humanitar prej 9.1 miliardë dollarëve për Sirinë.
Deri më tash është njoftuar se janë donuar vetëm 2.3 miliardë dollarë.