Kastriot Myftiu: Apeli im për politikanët
Para disa kohësh bëra një shkrim ku u kujtova politikë-bërësve se periudhat e vështirësive dhe tensioneve ekonomike dhe sociale kanë pasoja të rënda në shëndetin e njerëzve. Natyrisht po ta kishte thënë një person me autoritet apo ‘ekspert’, kjo do të kishte tërhequr vëmendje dhe ndoshta do të postohej në disa portale, siç i servilosen gjithnjë portalet autoritetit, megjithëse këta ‘ekspertë’ nuk thonë ndonjë gjë që njerëzit nuk e dinë. Nejse!
E para, a e dini se gjithçka ekziston në formën e energjisë që vibron në një frekuencë të caktuar, të dritës dhe të tingullit. Ajo që ne e mendojmë si materie fizike, përfshirë trupin tonë, është e papërfillshme krahasuar me formën jo materiale të energjisë. Duke ekzistuar në formën e energjisë, ne jemi pandashmërisht të lidhur me njëri tjetrin, ashtu si valët e oqeanit të madh botëror, ku nuk dihet ku mbaron njëra valë dhe ku fillon tjetra. Nuk e besoni? Në një eksperiment me 7000 persona, shkencëtarët u kanë kërkuar atyre që, për një periudhë të caktuar, t’i thonë vetes dhe njëri-tjetrit vetëm mesazhe paqeje dhe dashurie. Dhe e dini çfarë mrekullie ndodhi? Në atë periudhë nivelet e krimit në të gjithë globin ranë me 26 për qind, pa përmendur përmirësime të tjera.
Nëse doni të krijoni një ide se ne ekzistojmë në formën e energjisë, shkencëtarët kanë llogaritur se materia fizike e gjithë njerëzimit është sa një kub sheqeri për kafe/çaj. Ajo që neve na duket si unë, ti dhe të tjerët, jemi një energji mjaft e dendur që vibron në një frekuencë të caktuar tek secili prej nesh, duke na dalluar nga njëri tjetri. E gjithë kjo na jep iluzionin e ekzistencës sonë fizike.
E dyta, gjithçka ka vetëdije, jo në nivelin e vetëdijes njerëzore dhe jo në kuptimin e ekzistencës së trurit siç e njohim ne, por në kuptimin e vetëdijes së ekzistencës së vetvetes dhe të mjedisit përreth. Nuk e besoni? Në eksperimentet e tyre shkencëtarët kanë vënë re se kur nuk vëzhgohej nga njeriu, elektroni shfaqte formë fizike. Por sapo vëzhgohej nja syri i njeriut, ai shndërrohej në energji në formën e valës.
A e dini se qelizat tona këndojnë dhe qajnë në formën e ultratingujve? Se ato emetojnë dritë në formën infra? Se çdo qelizë ka vetëdijen e vet? Nuk ju besohet? Po si ka mundësi që një qelizë tharmi/majaje lëshoi një tingull paniku kur hodhën acid pranë saj?
Në vazhdë të kësaj, dikur kam postuar një shkrim ku shprehesha se bimët që i rrisim vetë na njohin. Arsyeja? Sepse ato kanë ESP (extra-sensory perception). Por a e dini se, nëse vendosni një lidhje harmonie dhe dashurie me bimët që mbillni vetë për t’i ngrënë, ato arrijnë t’i zbulojnë problemet tona shëndetësore dhe rriten edhe për këtë arsye? Se ato flijojnë vetveten për këtë? Po bimët që nuk i rrisni vetë? A e dini se ekziston një teknikë për të vendosur një lidhje me këto bimë për t’i bërë edhe më të ushqyeshme për veten tuaj? Përgjigjet e këtyre pyetjeve po i lë për një shkrim tjetër.
E bëra këtë shkrim për të përcjellë mesazhin e dashurisë dhe harmonisë me njëri-tjetrin dhe gjithçka na rrethon. Prandaj, o politikanë, sa më shumë probleme të ketë ky popull, aq më shumë ju dëmtohet shëndeti dhe lumturia vetë juve dhe fëmijëve tuaj, sado të paprekshëm t’ju duket vetja nga kjo. A nuk po e shihni se edhe jeta juaj po bëhet ferr? Përpiquni për mirëqenien dhe lumturinë e gjithë njerëzve pa dallim dhe do të shihni se jeta juaj do të ndryshojë si nata me ditën. Të paktën bëhuni kaq egoistë!