Mother Jones denoncon LSI-në se ka lobuar në SHBA me kompani ruse të dyshimta
Revista amerikane Mother Jones, në artikullin e titulluar: Kush e paguan Bcuk McKeon-in në favor të një partie shqiptare, përmend veprimet misterioze të kompanive “offshore” në favor të Lëvizjes Socialist për Integrim. E njëjta revistë, pak kohë më parë botoi një raport në lidhje me lobimin e Partisë Demokratike në SHBA.
“Vitin e kaluar, Howard “Buck” McKeon, një ish kongresmen republikan që kryesonte Komisionin e Shërbimeve të Armatosura në Dhomën e Përfaqësuesve, u pagua për të lobuar në favor të një partie politike shqiptare që donte të lidhej me administratën e presidentit Trump dhe republikanët e kongresit.
Por shumica e shërbimeve të firmës mbulohej financiarisht nga një kompani “guaskë” qipriote, Dorelita Limited. Mbulimi nëpërmjet firmës ishte krijuar nga një avokat qipriot, i specializuar në krijimin e korporatave “offshore” dhe që kishte bashkëpunuar me kompani të lidhura me oligarkë rusë.
Megjithatë, kompania “shell” tani kontrollohet (të paktën në letër) nga një avokat me bazë në Athinë, i cili ka qenë këshilltar i një miliarderi grek shumë të debatueshëm. Burimi i parave që kalonin nga Dorelita te grupi McKeon, firma lobuese e krijuar nga McKeon në vitin 2015, pasi la Kongresin, mbetet e mjegullt. Në fakt, ky mund të jetë gjithë qëllimi.
Këto manovrime ngrenë pyetje se kush ka paguar për lobimin në Amerikë në favor të një partie të vogël shqiptare, fuqi e tretë, LSI, para zgjedhjeve të vitit të shkuar. Marrëveshja misterioze ofron një tjetër shembull të interesave të dyshimta që shfrytëzojnë kompani “offshore” të cilat përdorin sistemin politik të SHBA-ve për të ndikuar politikën në Ballkan. Muajin e shkuar, Mother Jones raportoi se Nicolas Muzin, një ish ndihmës i Senatorit Ted Cruz, i cili kishte punuar edhe për fushatën e Donald Trumpit, ishte paguar nga një kompani “guaskë” skoceze që kishte lidhje me shtetas rusë, të cilët lobonin për opozitën në Shqipëri.
“Qëllimi kryesor i kompanive ‘guaskë’ në vende si Qiproja është që të fshehin veprimtaritë për çështje delikate”, thotë Jeffrey Winters, shkencëtar politik në Universitetin Northwestern, i cili studion rrjetet financiare dhe se si të pasurit shfrytëzojnë kompanitë “guaskë”. “Kjo marrëveshje është mbulur plot me sinjale alarmuese”, shton ai.
“Një marrëdhënie e mirë dhe shumë speciale”
Në janar 2017, McKeon Group nënshkroi një kontratë prej 15,000 dollarësh në muaj me LSI-në, partinë e tretë politike në Shqipëri, që të lobonte në emër të saj në Uashington dhe të promovonte kreun e saj Ilir Meta, i cili asokohe ishte kryetari i parlamentit të Shqipërisë. Asokohe, Shqipëria, një vend me shumicë myslimane me 2.9 milionë banorë, që është në kufi me Greqinë, Maqedoninë, Kosovën dhe Malin e Zi, po kandidonte për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, të cilat zhvilloheshin përkatësisht në prill dhe qershor 2017.
Meta është një politikan prej shumë kohësh, i cili ka qenë kryeministër i Shqipërisë që nga viti 1999 deri në vitin 2002. Ai u çlirua në mënyrë të dyshimtë në vitin 2012 nga akuzat për ryshfete, që rridhnin nga një video që tregoi se po diskutonte marrëveshje, me sa duket në kushte korrupsioni, me një ish-ministër tjetër. Meta “perceptohet nga shumë qytetarë si një simbol i korrupsionit”, sipas një raporti të kohëve të fundit nga Freedom House, një organizatë jofitimprurëse e bazuar në Uashington.
Burimi tha se qëllimi primar i kontratës së Dorelitas ishte që Meta të fitonte “qasje” për tek Presidenti Trump, në formën e një takimi apo një fotografie me të.
Kontrata e McKeon me LSI kishte si objekt që firma e tij të mundësonte që Meta të merrte pjesë në inaugurimin e Donald Trumpit dhe të organizonte takime me “liderët kryesorë të Konservatorëve” gjatë festimeve inauguruese. Pas betimit të Trumpit, sipas kontratës, firma lobuese duhej të ndihmonte “të krijonte një marrëdhënie të mirë dhe shumë të veçantë me administratën dhe Kongresin e ri”. Kontrata nuk ishte nënshkruar nga zyrtarët e LSI, por nga një i njohir i një prej anëtarëve të partisë: një avokat me bazë në Athinë i quajtur Iraklis Fidetzis.
Në mes të janarit, Meta udhëtoi për në Uashington për të marrë pjesë në inaugurimin e Trumpit dhe, gjatë qëndrimit të tij, McKeon ndërmjetësoi takime për politikanë shqiptarë me republikanët, duke përfshirë senatorët Orrin Hatch (Republikan-Shteti Utah) dhe Pat Roberts (Republikan-Kansas) dhe Mike Conaëay (R-Texas), Mike Turner (R-Ohio), dhe Ed Royce (R-Kaliforni), kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës.
Uashingtoni është plot lobistë që përfaqësojnë regjime dhe interesa të huaja. Pra, nuk ishte e çuditshme që LSI të përpiqej të gjejente përkrahës në Uashington. Vitin e kaluar, tri partitë kryesore të Shqipërisë secila kanë përdorur lobistë për të krijuar lidhje me Uashngtonin politik. Por ajo që është kurioze është çka ndodhi pasi Grupi McKeon njoftoi në shkurt 2017 se kishte përfunduar kontratën e tij të lobimit me LSI.
“Prandaj përdoren kompanitë guaskë”
Doli se Dorelita ishte një kompani guaskë e që kishte vetëm një qëllim: të jepte pagesën për lobimin që McKeon do të bënte për LSI-në. Firma u inkorporua në vitin 2013 nga një avokat grek, i quajtur Andreas Petrou. Ai ka një zyrë të vogël ligjore në kryeqytetin e Qipros, e cila krijon dhe administron kompani guaskë. Një e treta e klientëve të kësaj firme janë rusë dhe madje kompania ka te reklama një numër enkas për klientët që flasin rusisht. Sipas regjistrimeve të bizneseve ruse dhe qipriote, firma e Petrout ishte e përfshirë me kompani me bazë në Qipro, të lidhura me Oleg Deripaskan, manjatin rus të biznesit të aluminit, i cili është përfshirë në skandalin e lidhjeve ruse të presidentit Trump për shkak të bizneseve që ka pasur me Paul Manafort, kreun e fushatës së Trump-it që është nën hetim. Dy biznese me bazë në Deripaska e kishin bazën në të njëjtën adresë si firma ligjore e Petrout: EN+ Corporate Services Limited dhe ACL Aluminum Constructions Limited janë kompanitë ku Petrou figuron drejtor, sipas zyrës së regjistrimit të bizneseve në Qipro. Regjistrimet e korporatave ruse vënë në dukje se Petrou ka pasur lidhje edhe me katër biznese të tjera ruse të cilat kanë qenë pjesë e perandorisë së aluminit të Deripaskas. Në fillim të këtij muaji, Deripaska dhe shumë kompani të tjera nën kontrollin e tij kanë marrë sanksione nga Departamenti i Thesarit në SHBA”./opinion.al/