Albspirit

Media/News/Publishing

Dominique Moisi: Macron, mishërimi i vlerave amerikane

Dominique Moisi, si e gjykoni fjalimin e Emmanuel Macron para Kongresit të SHBA? Mendoni që udhëtimi i tij ka qenë i frytshëm?

Ai i Macronit në Kongres ishte një fjalim i madh. Një ditë më herët, në konferencën për shtyp në SHtëpinë e Bardhë me presidentin Trump, mu duk më në mbrojtje. Por sot Macroni shpalosi vizionin e tij për botën. Eshtë sikur të ketë zëvendësuar presidentin e SHBA.

Në çfarë mënyre?

Tradicionalisht, është udhëheqësi i Amerikës që mban një fjalim pozitiv, optimist, internacionalist, universalist. Sot e bëri presidenti francez. Macron ka marrë vendin që zakonisht në histori i përkiste presidentit amerikan. U duartrokit vazhdimisht nga demokratët, dhe në disa momente edhe nga republikanët. Macron u tregua i zoti në çështjet themelore dhe i aftë në formë, sepse nuk e sulmoi Trumpin direkt.

Republikanët u shfaqën të ftohtë kur Macron fliste për mjedisin dhe marrëveshjet e Parisit.

Disa tema nuk mund të ndillnin unanimitet. Por ajo që më bëri përshtypje, është se Macron e dinte që kishte në dispozicion një foltore të jashtëzakonshme. E përdori për t’iu drejtuar të gjithëve: qytetarëve amerikanë, pjesëtarëve të Kongresit, por edhe qytetarëve të botës, europianëve dhe francezëve.

Si ju dukën tonet e fjalimit?

Shumë amerikane. Macron përsëriti disa herë “I believe”, ka lartësuar vullnetarizmin dhe optimizmin, vlera tipike amerikane. Dhe në të njëjtën kohë u thoshte amerikanëve atë që donin të dëgjonin, pra që Irani nuk mund të bëhej fuqi bërthamore, as sot, as kurrë. Ky fjalim para Kongresit justifikon tërësisht vizitën shtetërore të macron në SHBA, dhe u përgjigjet kritikave që i janë bërë për këtë marrëdhënie të çuditshme personale me Donald Trump. I çuditshëm ky president që përqafon gjithmonë Trumpin, duhet t’i zgjedhë më mirë miqtë e tij, duke parë vlerat që mbron. Por duke u shfaqur si interlokutor i preferuar i Trumpit, Macron pati nderin të flasë në Kongres dhe e përdori këtë mundësi deri në fund.

Macron po shfaqet si udhëheqës i botës së lirë, në vend të presidentit amerikan?

Po, Macron po shfaqet si kampion i demokracisë klasike, që i kundërvihet demokracisë joliberale. Përgjigja ndaj frikës, nacionalizmit dhe izolacionizmit është presidenti Macron.

Po në lidhje me Iranin, a nuk ka pranuar ai idenë e Trumpit, pra që marrëveshja aktuale nuk funksionon?

Këtu presidenti francez u shfaq më pak bindës, sepse kërkonte një kompromis. Në 12 maj Trump do të tërhiqet ndoshta nga marrëveshja, dhe Macron përpiqet të tregojë se jo të gjithë dyert janë të mbyllura, që Franca dhe SHBA të bëhen promotorë të kësaj ujdie. Këtu Macron është në pozicion mbrojtës, ndërkohë që për botën dhe vlerat, Macron sot luante në sulm.

A mos përfiton edhe nga marrëdhëniet e këqia të Trump me Merkel dhe May?

Po, natyra i ka tmerr boshllëqet dhe i mbush gjithmonë. Në këtë mënyrë, Macron vendoset në qendër të skenës ndërkombëtare dhe duket sikur u thotë bashkatdhetarëve: ka francezë që bëjnë grevë, por ndërkohë unë përfaqësoj në mënyrë të shkëlqyer Francën në SHBA, dhe duhet të jeni krenarë për presidentin tuaj. Besueshmëria ndërkombëtare e Macronit varet edhe nga sa do të bëjë realisht reformat e brendshme, dhe besueshmëria në vend forcohet prej pozicionit të tij ndërkombëtar, dhe nga fakti që Franca po rikthehet në botë. / Corriere della Sera – Bota.al

Dominique Moisi është Drejtor i Institutit Francez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

 

Please follow and like us: