Media gjermane për Edi Ramën në Berlin
Shqipëria do të hyjë në BE por ka jo pak probleme, shkruan “Die Welt”. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kërkon të bindë kancelaren gjermane se Shqipëria është gati për hapjen e negociatave.
Përmes artikullit “Make Albania great again”, gazeta gjermane “Die Welt”i kushton vëmendje të mërkurën vizitës së kryeministrit Rama në Berlin. Ish-basketbollisti dhe artisti në Berlin do të synojë me sharmin e tij të bëjë për vete kancelaren Merkel që të marrë mbeshtetjen për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, shkruan gazeta.
“Dhe vërtet Rama, një socialist ..ka se ç’të tregojë. Ekonomia rritet, Tirana mbushet me fasada që shkëlqejnë, një reformë në drejtësi e kërkuar nga BE ka marrë udhë…Por që ka njerëz që janë skeptikë, kur shtrohet pyetja për Shqipërinë që të bëhet sa më shpejt anëtare e BE-së, kjo lidhet edhe me histori si kjo: Në tetor prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri…sepse emri i tij përmendej disa herë në telefonatat mes tregtarëve shqiptarë dhe italianë të drogës.”
Gazeta gjermane i kushton vëmendje të gjithë zhvillimeve lidhur me rastin Tahiri dhe konkludon me përgjigjen e Ramës kur i pyetur nga “Die Welt” lidhur me rastin e sëkëlldisshëm Tahiri thotë: “Besoj në radhë të parë se dyshimet ndaj një personi nuk mund të pengojnë përpjekjet e një vendi të tërë.”
Gazeta thekson se “është një nga këto raste që e prishin dhe përcaktojnë imazhin e Shqipërisë në pjesën tjetër të Europës. Deri më sot nuk është i hequr plotësisht dyshimi se kriminaliteti i organizuar ka kapur fort ekonominë e vendit dhe tentakulat e tij arrijnë deri në nivelet më të larta të qeverisë. Në raportin e Interpolit për vitin 2017, Shqipëria renditet ndër prodhuesit më të mëdhenj të kanabisit në Europë, ky vend përshkruhet si pikë e rëndësishme e tregtisë me kokainën dhe heroinën”.