Albspirit

Media/News/Publishing

Sotir ATHANASI: Kryqi i Anës, Via Dei, profesori tragjik petroninas, unë dhe të tjerë (IV)

 

“Efkaristo poli, albanemu”!

( Faleminderit shumë, shqiptari im! )

Kështu mbyllet pjesa e Tretë

 

Ato fjalë më shumë i ndjeva brënda vetes se sa i kuptova. Njerëzit që ishin aty pranë dhe qenë mjaft, kthyen kryet për të shikuar se kush ishte “Shqiptari i saj”. Kjo qe kundërvënie e hapët për ata që flisnin keq në shtyp e televizion për bashkëkombësit e mi, duke mbjellë një bindje sa shpërfillëse aq edhe përbuzëse, ashtu siç bëhet për delen e zezë. Dhe ja: një greke e aksidentuar, grumbullon forcat për të falenderuar një shqiptar!

Po të ishte Borani në vend tim, pas atij falenderimi dhe asaj buzëqeshje të lehtë – fine,  do të këndonte këngën vlonjate:

             O mbi qepik,

             Mbi qepikun e syrit tënd,

             O po do të rri,

             Do të rri e të pushoj.

Por nuk ishte Borani.

Prandaj thashë me veten time:

– Edhe unë të falenderoj, Ana!

PJESA E KATËRT

Makinën e mbylla dhe e sigurova. Në çastin kur do të largohesha, një tufë pëllumbash qenë grumbulluar dhe çukisnin thërrmiat në një cep të trotuarit. Kullureshitësi, djalë rreth të tridhjetave, me njërin krah të lidhur, më pyeti:

– Shqiptar je?

– Po, – thashë unë.

– E mora me mënd dhe u gëzova që, ajo vajza të falenderoi dhe u theu hundën disa skeptikëve këtu, në Greqi.

Unë tunda kryet me mirësjellje.

Ai vazhdoi:- Ditën e parë e ke  me këtë mjet?

– Po.

– E di se ç’makinë është kjo?

Unë ngrita supet.

– Është makinë funerale, ose makinë e të vdekurve. Mos të të gënjejë karroceria e saj me llamarinë.

Mua më mbuluan djersë të ftohta në të gjithë trupin.

– Vishe atë këmishë se je bërë sikur ke dalë nga dushi, – më tha plot dashamirësi patrioti im.

Atëhere e kuptova se isha lakuriq dhe se, këmishën e mbetur vetëm me një mëngë e kisha hedhur mbi sup si të qe thes i hamenjve.

– Pronari yt miku im, është një maskara që s’e ka shokun. Çdo javë këtë punë bën. Ai ka një zyrë funerale që në greqisht quhet GRAFIO TELETON. Ja ku e ke të shkruar. Dhe bashkatdhetari im më tregoi me gisht, tabelën që mbulonte të gjithë hapsirën e qelqtë të pjesës së pasme. Ishte një role e mushamajtë të cilën ai, mesaduket e kishte merakun e tij t’a ulte dhe të binte në sy pikërisht firma e tij: VIA DEI.

Unë, tani po e shihja për herë të parë.

Kullureshitësi rregulloi fashimin e krahut dhe me dy gishtërinjtë e dorës së lirë, si i dha pak mjekrës majtas, tha:

– S’ke pse çuditesh! Nuk je ti i pari që bie viktimë e mashtrimit. Jo. Në të njëjtin kurth rrashë edhe unë para një muaji. Gligora, më thërriste qelbaniku dhe dora e tij, si e nxjerrë nga libri i Anatomisë, si skeletet e fantazmave, sikur më godiste atë nenin e ekuilibrit.  Ai, mbase kishte të drejtë se unë s’kisha guxim të ecja me shpejtësi mbi 80-90/km. në orë. Prandaj thërriste dhe u grindëm. Pasoja?! Mjeti doli nga rruga dhe unë theva krahun.

– Po… fantazma?

– Farën e keqe,  nuk e gjen gjo! – themi ne andej nga Tirona.

Dhe me dy gishtat e dorës së lirë, rregulloi fashon te e djathta për t’i dhënë kokës një lëvizje rutinë. A, si për të forcuar një gardh distancimi nga e keqja. Në atë lëvizje unë, mbase lexoja një lloj shfajsimi nga “mëkatimi”. Për këtë fliste edhe një ai mllef ende I pa zbrazur ndaj tij, edhe pse kishte kaluar, siç tha, një muaj nga dita e aksidentit.

– Nuk e di me se je marrë ti o plak, por unë kam dhënë letërsi  te Petro Nini. Këtu në Greqi, o plak, po jetojmë si në kohën e Gogolit, themeluesit të romanit rus me shpirtëra të vdekura. Po. Dhe mos u çudit fare. Jo çdo njeri ka aftësinë dhe kurajën të shohi atë që ka fare pranë dhe që i duket normale kur ajo është KATASTROFALE.

Unë hapa sytë për të kuptuar nëse ishte normal dhe  bënte shaka, apo ishte i dehur, a i goditur dhe bënte fjalë për një të vërtetë tejet tronditëse? Apo për të mos thënë për një akuzë kaluar groteskut. Veç kësaj, e lëshuar në mes të Athinës si predhë, qoftë edhe si metaforë, një sulm I tillë nga konceptimi i një prokure, në mos për tjetër, fyerje pa dyshim, ajo përbënte.

– Barbarizmi i këtyre, vazhdoi pretencën PETRONINASI , i kalon caqet e letërsisë. Thuhet se Gogoli ka shkruar edhe pjesën e dytë të romanit. Por, pas një krize shpirtërore, i dogji dorëshkrimet dhe mirë bëri…

Unë e shihja tejet i befasuar këtë Profesor dhe më mrekullonte aftësia e tij për të kapur tiparin e kohës krejtësisht të pavënëre re nga shkrimtarët. Ashtu si nxjerrja në  sipërfaqe me hiperbolën më ngjasonte. Thua të kishte lidhje mëria në përdorimin e kësaj gjuhe idhnake? Gjithsesi, veshja me këtë rrobë të Gogolit, nuk i jepte pushtet fenomenit. Ai thjeshtë, e nxirrte mbi sipërfaqe kalbësirën.

Befas, ai m’u afrua dhe ndonëse në shqip, me një zë fare të ulur si në lojën e telefonit të prishur, më tha:

– Ndoshta e kishte fjalën për këta tipa gjeniali Gogol. Prandaj duhet ta ketë grisur pesën e dytë të SHPIRTRAVE.  Se këta, miku im, kërkojnë KUFOMA OSE TRUPA PA SHPIRT,  Pra: SHPIRTËRA TË VDEKURA. Se unë, kam një muaj këtu dhe asnjë herë, mor po asnjë herë, po të them,  nuk kam parë që kjo makinë të sjellë dikë të aksidentuar. Dikë me shpirt të gjallë. Rasti yt,  bën një… përjashtim nga rregulli. Dhe… dënim a humbje për efendikoin tënd. Sidoqoftë, t’i kërkoi dhipllo merokamata (Dyfish ditë pune), – më tha ai, po me atë ton inatçor, po me atë mllef, po me atë ashpërsi intime. Ajo vajza është e sigurtë që do të jetojë. E pashë në çehre unë. Ia dëgjova edhe zërin. Ai qe plot jetë.  Kjo do të thotë se do të mbetet me frymë.  Ti duhet të gëzohesh se kjo përbën një risi, për këtë mjet, pavarësisht se nuk është i yti.

Pas kësaj, me të dy gishtat e dorës së lirë, i dha mjekrës djathtas. U afrua edhe më pranë meje dhe diç nuhati.

– Ti ke ecur me xhama të mbyllur në gjithë këtë vapë zhuritëse?  – më pyeti befasisht si për t’u siguruar në kishte të drejtë si në përfundimin e një hulumtimi të sapo kryer.

Unë u hutova dhe menjëherë ktheva kryet për të parë dritaret e mjetit.  Ato ishin vërtet të mbyllura.  Atëhere u kujtova se kjo kishte ndodhur për të shmangur përplasjen me katananë. Ngrita lart gishtin e madh të dorës së majtë dhe me buzëqeshje i thashë:

– Po, por nga e kuptove?

Ai gjithashtu bëri të njëjtin gjest dhe po  me atë ëmbëlsi të pyetjes sime, më tha:

– Çdo brez ka teorinë e vet. Edhe ne, gjithashtu. S’kemi pse të bëjmë përjashtim. Mund të themi se jemi brezi i Gishtit të madh, – okejt dhe i parfumit.

Pas kësaj, ai qeshi sërish dhe vështrimi i tij, shihte thellë në sytë e mi që i ndjeja si të fundosur në ujë e mbase gjetiu ku përfytyrimi im nuk mund të ngjitej. Patjetër mund të kenë qënë kuota krejt të panjohura, të cekura shkarazi e të paformulua si ato që Profesori… sapo tha mbi dukurinë e brezit tonë.

Gjithsesi , një buzëqeshje e lehtë kënaqësie, lodronte përmes atyre syve e atij vështrimi ëndërrimtar e shpotitës poashtu, deri në largpamësi.

-Jam marrë me letërsi unë plako. Ti vërtet, solle një të aksidentuar, por aroma e trupit tënd, s’është e vëehtirë të merret me mënd se e ka origjinën te ai shpërthim djersësh erëmirë nga ku ndërveprimi i asaj vajze fisnike greke, si një barazpeshë dinjitoze ndaj shpëtimtarit, emeton kënaqësinë. Dukesh si i spikatur me lëng  trëndafili. Karakteristikë kjo e triumfatorëve,  përfundoi ai dhe me dy gashtat e dorës së lirë i dha pak mjekrës majtas.

Unë ngrijta sërish gishtin e madh lart si për të miratuar atë ç’ka shprehu ai dhe me buzëqeshje, ëmbëlsisht i thashë:

– Është mirë njeriu të dijë karakteristikën dalluese të brezit që përfaqëson. Dy të parat i kuptoj se: si Okej dhe GISHTIN E MADH  e çoj për të treguar dakortësi e palë me idenë e tjetrit. Po PARFUMI ku hyn këtu?

Ai qeshi gëzueshëm dhe butë:

– Mban mënd në vitet e DIKTATURËS kur shkonim në plazh me kabinë te HEKURUDHA?  Ne fëmijët, se të tillë ishim atëhere, kishim zbuluar se te lulishtja e Hotel Turizmit ‘Adriatik’ kishte ujë të ftohtë?

– Po, – thashë unë dhe kujtoja se çdo drekë me kanë në dorë shkoja e mbushja ujë.

Ai tundi kryet:

– Po rrugës do të shihje ndonjë turist, a do të këmbeheshe me ‘të, rrobat e të cilit kudërmonin era parfum. Erën dehëse të luleve dhe na dukeshin se ata vinin nga një tjetër planet.

– Kjo është tepër e hidhur, ndonëse mëse e vërtetë.

– Kur u ktheva për herë të parë në Tiranë, më kanë pyetur në më shumë se tre a katër gra, shoqe të mia të adoleshencës se ku është sekreti që këmishët e mia erëmonin zambak. Dhe… me dhimbje më duhej të spjegoja atë që në emigracion çdo fëmijë mjafton të paktën një herë të ketë parë se çfarë hedh mamaja e tij në lavatriçe.

Kjo pra, ka ndodhur në vitet ’93-94 të shekullit të shkuar.

Në këtë kuptim o plak, hyn edhe PËRCAKTIMI BREZI I PARFUMIT, – përfundoi profesori i letërsisë.

Le të kthehemi tani në tregimin tonë.

Nga çfarë dëgjova për punëdhënësin tim, mu ndez gjaku dhe u mata të ngjitesha lart. Por ai, në momentin më të keq për ‘të, mu shfaq me një pamje kapadaiu që ia jepte vetëkënaqësia përzier me zëmëratën në drejtimin tim. Kjo, siç edhe e kisha më se të qartë tanimë, buronte nga fakti se: ai ishte, përgatitur për dy kufoma e jo për një. Fajtori në këtë mes, isha unë. Pezmi dhe zëmërimi i kthyer në xhindosje u duk që në përplasjen e shikimeve tona të befta. Lexohej gjithashtu lehtë në ulërimën e humbjes së një kufome dhe që ngjasonte me flakën e squfurit në tufan. Por, vetëm për pak sekonda. Se, kur ndeshi kërcënimin e dritës sime që fliste për vetëtimat e rebelimit ata kandilë të ngjajshëm me flakhedhësen e gatshme për të përvëluar gjithçka në atë qoshkë, u shndërruar në një mejdan imagjinar,  u shuan siç fiket një llampë kur ndërpritet energjia elektrike në haur.

Më kërkoi çelsat e makinës me një zë dhe ton lutës.

– Dipllo dheka hiladhes dhrahmes! –

(Dyfish dhjetë mijëshe, domethënë njëzetë mijë dhrahmi,) – i kumtova unë vendimin tim.

Ai çapëliti sytë nga habia. Siç duket edhe sytë e mi do të qenë zgurdulluar, se dhëmbët më kërcisnin nga shtrëngimi. Isha gati t’i jepja një goditje, atje ku mund ta lija pa frymë vetëm me një lëvizje. Në repartet speciale unë, nuk kisha mësuar vetëm dhënien e ndihmës së shpejtë për të rimëkëmbur mikun. Por edhe për ta neutralizuar keqbërësin, pa e dëmtuar rëndë atë.

Ai e kuptoi se nuk ishte budalla. Duhet ta ketë hutuar tejet pamja ime. Por, gjithsesi, sikur po i dilte shpirti për këtë kërkesë që dyfishonte pagën time, tha plot ëmbëlsi ekzemplare e model neveritës:

– Dheka hiliadhes, pedhimu.

(Dhjetë mijë, biri im).

– Dopjo ditë pune, – përsërita unë dhe gishtat e së djathtës sime i puqa aq fort me njëri-tjetrin, sa më kërcitën.  Atë çast vura re se mbi kyçin e dorës, më kishin mbetur disa fije floku trazua me gjak nga ajo vajza greke me emrin Ana.

Nuk i meriton ky qen të preki këto flokë, mendova dhe e mposhta zëmëratën që përgatiste sulmin.

Ai futi dorën në xhepin e brendshëm të xhaketës dhe nxorri që andej katër pesëmijëshe dhrahmi. I shpalosi kaq dukshëm si të mos ishin prej letre, por copa metali me të cilat do të formonte mburojën antigoditje.

– Oriste pedhi-mu!

(Urdhëro, biri im !)

Ia rrëmbeva të hollat dhe ia flaka tutje çelsat që të mos më ulej përpara këmbëve për t’i marrë ato. Se, kisha frikë mos nuk e përmbajë dot veten dhe nga neveria që ndjeja, mund t’i këpusha ndonjë shkelm në surrat si të qe top futbolli. U mjaftova me një të sharrë vëndshe që vetëm kullureshitësi mund t’a kuptonte.

Ai u fut në kabinë për t’i lëruar vendin një tjetër mjeti që hyri në atë çikë qoshkë spitali.

– O Zot! Përsëri një tjetër GRAFIO TELETON! – u  pataks shitësi i gjevrekëve dhe me të dy gishtat e dorës së lirë, i dha mjekrës majtas.

Shpuri kokën pak mënjanë, siç bënte kur vërente diçka të papëlqyer e të papandehur.

Njeriu që ngiste mjetin, zbriti me një vetëkënaqësi që e linte ku e ku pas efendikoin tim. Ishte një barkfryrë, miqt e mi, me cigare në gojë që gogësinte çik e fët si paradhënie për ato që do të hante me kaparosjen e dy kufomave të siguruara tashmë. E thithte cigaren si të ishte marihutanë, se me drogmen ai përngjante. Nuk e ngopte tymi, siç edhe nuk duhet të ngihej as me piraterinë e trupave të vdekur. Ish një fytyrëgjerë  me faqe të kuqe si prapanicë gici. Sytë i kish si thëngjij të posa ndezur. Flokët përpjetë e të pashtruar si iriq. E gjithë pamja e tij qe një trazim e neveritje më vete. Dhe s’kisha faj. Të gjitha këto ishin ca si shumë për stomakun tim të troshitur nga rruga e të pangrënë, me gjithë ato ngarkesa truri e zemre qe më erdhën tinëzisht e paburrërisht.

Profesori i letërsisë, më dha një shishe me ujë:

– Shpëlaje gojën! – më tha dhe unë atëhere vura re se: ai kishte dy sy boj-deti dhe një vështrim të ëmbël e tejet vëzhgues.

Unë bëra atë që më tha ai dhe pa e pasur shumë mëndjen në veprimet e mia. Në një farë mënyre isha i sugjestionuar nga ai vështrim. Këtë e tregonte edhe ai rrëkëllimi  pa e kuptuar se ç’bëja. Piva të gjithë shishes si i babëzitur. Pas kësaj, më erdhi për të vjellë. U afrova te cepi murit dhe nxorra…vrerin që kisha brenda. Ishte vreri i asaj dite vreri.

– Tani shpëtove më tha PETRONINASI. Se ti nuk ke mide për këto poshtërsira. Ky barkderri që erdhi tani ty të trazoi stomakun. Kurse mua më lëndoi krahun dhe po më dhëmb si t’a kem rithyer. Eh!…dhe ai me të dy gishtat e dorës së lirë, i dha mjekrës pak majtas me rënkim, për të shtuar:

– Janë personazhet e pashkruar të Gogolit, o plak. Mbase nuk e meritojnë t’ua japish njerëzimit. Këta tipa ia heqin kuptimin e jetës. E sa për bukurinë, as që bëhet fjalë. Këta janë për prokurori dhe jo për letërsi.  Po kujt prokurorie?!

Mu afrua më pranë dhe me një zë tepër të ulur si pëshpëritje, më tha: – Ne jetojmë në dhe të huaj, o plak. Të ishim të zotë bënim vëndin tonë dhe nuk vinim këtu. Se…kështu thonë këta Shvejkë.

I tha këto dhe befas me një shpërthim tejet grotesk, plotësoi mendimin filozofik:

Këta nuk e dinë që po jetojnë kohën e Gogolit.

Sytë iu mbushën me lot gjë që tregonte dhimbjen përzier me keqardhjen për këtë kategorizim shkuar akuzës.

– Ti nuk e di se ç’më kanë parë mua llampatinat për atë barkderrin në autostradë. Ti do të më pyesish çfarë? Shumë e thjeshtë. E mori një fatkeq që thërriste për ndihmë dhe kur e sollën këtu, ai mbërrijti i vdekur. Kokërdhokët e syve të dritëziut kishin perënduar. Ndërsa hunaza prej xhadi a nefriti në dorën e atij bualli me gur të çmuar, si. një semafor në teatrin absurd, ndërronte nga e bardha e fëlliqur në jeshile të errët. Tamam me surratin e vrerosur kur nuk gjen kufoma ky shtirak i tredhur.

– Po në qenkërka kështu, pse vjen këtu, o profesor?

– Ke plotësisht të drejtë. Unë vij këtu për dy arsye. E para se: te Petro Nini  kam të fejuarën mësuese matematike. Shtëpinë e prindërve e ka te Medreseja. Kurse  unë kisha të rregulluar një dhomë në Qytetin ‘Studenti’.  Nuk shtyhet, ë?  Si thua ti, o plak? Nuk na duhet një shtëpi?

Dhe ai, pa pritur përgjigjen time,  me të dy gishtërinjtë e dorës së lirë, i dha mjekrës, pak më të majtë.

– Të drejtë ke, o profesor. Po e dyta?

– E dyta…

Ai nguroni në fillim të përgjigjesh.

Unë përsërita: – Po e dyta?

– E dyta…Se dua të vijë dita që atë barkmadhin të mos e shoh më në timonin e asaj makine vrasse. Por në karrocerinë e saj si atë që solli sot.

Unë ngriva.

Ai, përkundrazi: nisi ta shkoqi e mbase ta shkrijë idenë e tij më hollë e ta bëjë më të lëngët. Tha:

– Vetëm atëhere njerëzimi do të marrë  në dorë shkrimet e grisura të Gogolit.

Pas këtij pohimi, mua mu mpi, jo vetëm truri, por i gjithë trupi. Kurse Ai qeshi pa shkak dhe përfundoi:

– Nuk flas kot, plak-o ! Kam dhënë letërsi te Petro Nini ku më pret e fejuara.

Sytë sërish iu mbushën me lot. Qe hera e fundit që me dy gishtërinjtë e dorës së lirë, i dha pak majtas mjekrës, por tashmë në të djathtë. Dhe me zërin që i dridhej, artikuloi një vendim të marrë tashmë prej kohësh:

– Vajtja tek e fejuara, është vazhdimësi e jetës sime. Dhe kjo nuk mund dhe nuk duhet të jetë e njëmendtë, kur:

Ndërgjegjia ime qan, klith e thërret për një DALËZOTËS  PËR KËTO JETË PARALELE TË NDËRPRERA

Sytë e njomur të profesorit i jipnin portretit të tij një pamje tejet tragjike.

Please follow and like us: