Spartak Ngjela: Çfarë pritet të ndodhë pas vettingut?
Çfarë pritet të ndodhë, pas vettingut, me Gjykatën Kushtetuese dhe pushtetin gjyqësor në Shqipëri?
Gjykata kushtetuese tani është jashtë funksionit, sepse ajo nuk ka më forcë juridike. Vetingu i gjyqtarëve të lartë, si hapi i parë i kontrollit antikorrupsion, po jep shenjat se një përqindje e lartë gjyqtarësh do të skualifikohen nga ONM.
Po, a nuk po krijon kjo një paralizim të pushtetit gjyqësor? Dhe, a ka ndonjë zgjidhje?
Duhet të theksojmë se, në lidhje me gjyqtarët, ka sot vetëm dy zgjidhje të mundshme: ose ndërkombëtarët do t’i drejtohen shtresës së juristëve në Shqipëri, ose duhet angazhim me gjyqtarë të nivelit të lartë nga vendet e Bashkimit Europian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kooptimi i gjyqtarëve nga shtresa e juristëve aktualë shqiptarë, nuk është zgjidhje e shpejtë; sepse këta duhet të kontrollohen në nivel profesional, por edhe duhet të trajnohen, kurse magjistarët janë ende të rinj, pavarësisht se janë në nivel të mirë profesional.
Kjo është arsyeja që rruga e dytë është rruga më e shpejtë dhe më e sigurt. Dhe nuk ka asnjë pengesë.
Shqipëria ka nevojë për angazhimin e gjyqtarëve të mëdhenj, sepse ka nevojë të ristrukturohet juridikisht çështja e pronës dhe të goditen abuzimet me tregun, gjithashtu nevoja është edhe në krijimin e mendimit të ri juridik profesional në arsyetimin e vendimit gjyqësor. Aspekt tjetër është sigurisht dhënia e drejtësisë, e cila nuk mund të ekzistojë pa gjyqtarë të mëdhenj.
Në një vend ku për një shekull nuk është dhënë drejtësi, mungon koshienca e ligjit dhe gjithashtu edhe besimi se ligji ka funksion objektiv dhe të barabartë.
Gjyqtarët e mëdhenj emancipojnë shoqërinë dhe ngrenë personalitetin e individit në një vend. Personaliteti i gjyqtarit që jep vetëm drejtësi, në fakt ngre vetë personalitetin e shoqërisë.
Në Shqipëri deri tani nuk ka pasur kurrë gjyqtarë të mëdhenj që të krijojnë modelin shoqëror të moralitetit dhe të drejtësisë, prandaj ka dhe abuzim terribël me pushtetin.
Kjo është arsyeja që huazimi i gjyqtarëve të mëdhenj dhe drejtimi i gjykatave shqiptare prej tyre, minimumi në një dhjetëvjeçar, do të jetë një proces që do krijojë premisat për ngritjen e personalitetit të individit dhe të vetë shoqërisë në Shqipëri.
Edhe magjistarët e rinj shqiptarë e kanë nevojë të domosdoshme këtë proces.
Në Shqipëri, në një të ardhme të shpejtë, do jenë në funksionim dy kolona ku do të mbështetet ristrukturimi i shtetit shqiptar:
SPAK dhe gjykata e reformuar me gjyqtarë shqiptarë të pakorruptuar të nivelit të lartë dhe me gjyqtarë të huaj me kapacitet të spikatur profesional.
Vetëm gjyqtarë të mëdhenj mund ta nxjerrin Shqipërinë nga kriza e identitetit të individit dhe nga kriza juridike ku është futur çështja e pronësisë. Por çështja e pronësisë nuk mund të zgjidhet nëse nuk goditet korrupsioni kryeministror që tani është tërësisht në shënjestrën e politikës amerikane. Kjo është realisht edhe pika ku takohen SPAK-u dhe reformimi i pushtetit gjyqësor që do të vijë pas vetingut.
Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, janë tre institucionet që formojnë SPAK- un, dhe në fakt, këta janë tre organet që do të godasin në mënyrë drastike korrupsionin e lartë politik në Shqipëri.
Korrupsioni shtetëror shqiptar ka qenë dhe mbetet një korrupsion kryeministror.
Numri i të korruptuarve si korrupsion kryeministror sot në Shqipëri është jo i vogël: janë katër kryeministra, që do të penalizohen të parët; dhe një varg i madh i taboreve të tyre. Është shpronësimi i këtyre që do të çlirojë tregun nga uzurpimi klientelist, sepse dhe konfiskimi i parasë që është gjetur nëpër bankat e huaj bën pjesë në këtë ndërmarrje, e cila do të rrafshojë gjithçka që ka të bëjë me pronësinë abuzive.
Duhet të jetë e qartë se liria ekonomike nuk funksionon në Shqipëri si rrjedhojë e korrupsionit të madh kryeministror.
Ja pra pse Shqipëria ka nevojë sot që të huazojë gjyqtarë të mëdhenj, sepse personaliteti i tyre profesional, në funksion të drejtësisë, do të stabilizojë me drejtësi në Shqipëri tregun si organizim ligjor, dhe shtetin institucional si administrim në ruajtje të jetës dhe dinjitetit të njeriut.
Pikërisht këtu, menjëherë pas këtij hapi historik që do të hedhë SPAK-u, do të fillojë edhe funksionimi i gjykatës shqiptarë, e cila do të zgjidhë me kompetencë çështjen e pronësisë në Shqipëri. Pa u shkatërruar korrupsion i kryeministror, në Shqipëri nuk mund të ketë zhvillim.
Prandaj, në procesin antikorrupsion do të konfiskohen disa miliardë dollarë dhe me mijëra hektarë të grabitura nga korrupsioni kryeministror në rreth 20 vjet; pastaj do të filloi analiza e pavlefshmërisë së veprimit juridik, me anë të vendimeve gjyqësore të cilët do të arsyetohen nga gjyqtarët e nivelit të lartë që do të vinë në ndihmë të pushtetit gjyqësor nga vendet perëndimore, dhe do të fillojë nga puna normale e ekspertizës Instituti Shkencor i Pronës në Shqipëri.
Për zgjidhjen ligjore të çështjes së pronësisë në Shqipëri, duhet që domosdoshmërisht të ngrihet Instituti Shkencor i Pronës, me specialistë shqiptarë dhe të huaj. Ky Institut do të analizojë të gjithë gjendjen faktike, dhe do të mbështesë gjykatat me ekspertizë të lartë profesionale. Instituti do të pranojë të gjitha ankesat dhe materialet që do t’i vinë nga gjykatat dhe nga individët; dhe do të krijojë bazën e plotë të ekspertizës për zhbërjen e abuzimit që korrupsioni kryeministror shqiptar ka bërë në afër njëzet vjet.
Sistemi ynë është kombinimi i lirisë ekonomike më lirinë politike. Asnjëra nga këto të dyja nuk ekziston sot në Shqipëri, sepse nuk ka drejtësi për të garantuar këto dy liri. Ja pra, kjo është reforma jonë në drejtësi: garantimi i kombinimit të lirisë ekonomike me lirinë politikë. Kurse, gjithashtu, edhe vetë korrupsioni sigurisht që është rrjedhojë e mungesës së drejtësisë në një treg të uzurpuar nga abuzimet klienteliste.
Kjo është gjendja sot në Shqipëri; dhe vetëm gjyqtarët e mëdhenj do ta zhvendosin gjendjen shqiptare pa drejtësi, në garantimin dhe kombinimin e dy lirive të mëdha: lirinë politike me lirinë ekonomike.
Pa gjyqtarë të mëdhenj të huazuar nga Perëndimi, sot për sot, nuk mund të arrihet dot ndërmarrja që arsyetuam më lart. Huazimi i tyre është domosdoshmëri historike dhe prandaj do të ndodhë.
Të tre këta grupe profesionalë: SPAK, Pushteti Gjyqësor i reformuar dhe Instituti Shkencor i Pronës, në disa vjet, do të godasin me penalizim dhe shpronësim korrupsionin e lartë shtetëror; do zgjidhin drejt çështjen e pronësisë; dhe do të krijojnë më në fund shtetin ligjor dhe ekonominë e tregut në Shqipëri.
Vetëm një lidhje organike e këtyre tre kolonave do të sjellë më në fund shtetin juridik shqiptar dhe do të godasë me ligj dhe drejtësi padrejtësinë abuzive që ka ndodhur në Shqipëri, sidomos në këta njëzet vjetët e fundit.