Facebook shfaqet me rregulla të reja
Duke filluar nga dita e sotme, Facebook ka futur në fuqi një mori rregullash të reja në lidhje me përmbajtjen prej përdoruesve duke përcaktuar qartë ato që quhen “limite”. Rregullat në fjalë ishin edhe më parë ku shpreheshin në një faqe të brendshme të Facebook-ut dhe përdoruesit presupozoheshin se i lexonin kur hapnin llogari, por duke filluar nga sot, në një mënyrë shumë më të qartë dhe të mirëpërcaktuar, Facebook i ka shpallur ato në faqen zyrtare. Kështu, kompania synon që t’i japë fund deklaratave mbi faktin se abuzohet me përmbajtjen duke i dhënë mundësi gjithashtu edhe përdoruesve që të apelojnë në rastet kur përmbajtja e tyre hiqet nga Facebook për shkak të raporteve të marra. Rrjeti më i madh social në botë deklaron se do të jenë shumë strikt sa i përket materialeve nudo, dhunës, drogërave dhe armëve, por kjo do të bëhet duke patur parasysh kontekstin e shpërndarjes së materialit. “Kështu për shembull nëse dhuna ndaj dikujt jepet për të demonstruar një lajm atëherë ai që e shpërndan ka të drejtë që ta apelojë heqjen e materialit”, shprehen zyrtarët e Facebook. Kompania ka marrë masa pas akuzave të forta në lidhje me të dhënat që merreshin prej përdoruesve duke ia ofruar këto kompanive të marketingut dhe të tjerëve të interesuar për të ndikuar në zgjedhjet e qytetarëve. Duke filluar nga sot, çdokush duhet të ketë kujdes me atë çfarë shpërndan në Facebook, ndryshe do të penalizohet.