Rriten temperaturat në LSI pas shkrimit të Mother Jones: autori flet për VOA-n, Kasem Hysenbelliu sulmon ish-këshilltarin e Metës
Pas shkrimit të Mother Jones në lidhje me rrugën e financimit të LSI-së për lobimin në SHBA dhe reagimit të ashpër të Lëvizjes Socialiste për Integrim ndaj revistës amerikane, ka reaguar edhe gazetari autor i investigimit.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Dan Friedman, thotë se ka dokumente në qeverinë amerikane që vërtetojnë se paratë për LSI-në mbërritën nga një kompani off-shore në Qipro, si dhe hedh poshtë akuzat e LSI-së.
“Provat që ne paraqesim janë në artikull. Pra provat janë dhe nuk ka mashtrim. LSI-ja kishte kohë të mjaftueshme për t’iu përgjigjur pyetjeve tona. Shumicës së tyre ata realisht nuk iu përgjigjën. Kjo ngre pyetjen se përse po u shmangen përgjigjeve dhe dalin me akuzën ne se po sajojmë gjëra të paqena.
Ne nuk financohemi nga para droge dhe duket se ata po përpiqen të sajojnë. Artikulli ynë është i dokumentuar, pra ne citojmë dokumente të depozituara pranë qeverisë amerikane, ndërsa reagimi i tyre është se ne sajojmë. Përse e bëjnë ata këtë? Përse nuk përgjigjen me vërtetësi për atë që kanë bërë ose nuk kanë bërë?, thekson gazetari Dan Fridman.
Ndërkaq, Zëri i Amerikës, ka tentuar të lidhet me Vangjel Tavon, deputetin e LSI-së i cili ka ndërmjetësuar me avokatin grek që ka firmosur kontratën lobuese në emër të Shqipërisë.
“ Zëri Amerikës u përpoq sot të kontaktonte dhe me deputetin e LSI-së Vangjel Tavo, për t’u interesuar për lidhjet e tij me avokatin grek Iraklis Fidetzis, i cili firmosi në emër të LSI-së kontratën e lobimit mes kësaj partie dhe grupit McKeon, apo dhe për faktin që sipas Revistës Mother Jones, ai dyshohet se kishte realizuar një vizitë në Uashington në muajin prill, si pjesë e lobimit përmes shoqërisë “Dorelita Limited”.
Zoti Tavo nuk ju përgjigj telefonatave dhe as mesazheve të korrespondentit tonë në Tiranë”, theksohet në lajmin e VOA-s.
Ndërkaq temperatura rreth e brenda LSI-së duket më shumë se inkadeshente.
Duket se ka një nervozizëm të brendshëm që shfaqet hapur në rrjete sociale nga përkrahës të LSI-së që kanë pozicione të rëndësishme publike.
Ralf Gjoni, ish-këshilltari diplomatik i Ilir Metës kur ky i fundit ishte kryetar Kuvendi, e më pas kandidat për deputet i LSI-së, duket se pas zgjedhjeve është shmangur nga politika dhe po mban qëndrime më të ndryshme nga ish-partia e tij.
Ai sulmohet egërsisht në rrjet nga njerëz të rëndësishëm, si për shembull Kasem Hysenbelliu, drejtori i televizionit Fax News, i cili njerr “librin e shpisë” dhe i vërsulet Gjonit.
“O Ralf…..(e shan me nënë)Ilir Metës që të ka mbajt ty këshilltar. Unë i hoqa vota GERT Bogdanit për të ti dhënë ty e ti thua negociatat”, thotë Hysenbelliu, i nervozuar duket se si një përkrahës i LSI-së është për hapjen e negociatave sot.
LSI ka dalë sërish për të kundërshtuar shkrimin e Mother Jones, e cila thekson se do të vazhdojë serinë e investigimeve të saj për lobimet në SHBA.
Pas shkrimit të parë në lidhje me lobimin e PD-së, prokuroria e Tiranës hapi një hetim dhe çështja tashmë zyrtarisht po ndiqet dhe janë marrë në pyetje disa drejtues të lartë të selisë blu. /tesheshi.com/