Albspirit

Media/News/Publishing

Pse erdhi Patriarku Kirill në Tiranë?

 

Bardhyl Hazizaj

Pas vizitës së bujshme të kreut të Kishës ruse në Tiranë ditët e fundit, nuk janë të paktë ata që mendojnë se në Ballkan filloi Kryqëzata nga njerëzit e fesë në mbështetje të politikës! Në këtë aspekt vizita e klerikut të lartë rus ka ngjallur diskutime dhe pse jo edhe dyshime.

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe.

Në Ballkan përplasen interesa të shumta të Perëndimit e të Lindjes. Këtë e dinë mirë si ballkanasit që jetojnë në trojet e tyre ashtu edhe të huajt të cilët përpiqen të përfitojnë nga situata. Politikanë dhe diplomatë europianë e shohin me frikë rritjen e prezencës turke në Ballkan dhe i ruhen ndikimit turko-mysliman, duke argumentuar se Turqia ka synime perandorake! Fakti që Kosova dhe Bosnje-Hercegovina fituan pavarësinë i frikëson shumë ideologët ortodoksë. Ndërsa  shqiptarët janë të ndarë në disa shtete në Ballkan, por edhe të përçarë , forcohet lidhja e serbëve  me sllavët si ajo Rusi-Rumani-Serbi-Mal i Zi-Bosnje Hercegovine-Adriatik. Po forcohet çdo ditë e më shumë lidhja Serbi-Greqi. Funksionon fuqishëm trekëndshi  Beograd – Moskë – Paris.

Vizitat e krerëve të Vatikanit janë vlerësuar nga ortodoksët si rritje e ekspansionit katolik në Shqipëri, po kështu shihet me xhelozi përpjekja për të rritur ndikimin e Turqisë. Pas vizitave të Papa Gjon Palit më 25 Prill 1993 dhe vizitës së Papa Françeskut më 19 shtator 2014, duket se u rrit xhelozia e ortodoksëve të cilët erdhën t’u kujtojnë shqiptarëve orgjinën ortodokse!

Në këtë kontekst shihet edhe vizita tre ditore në Shqipëri (28-30 prill 2018) e Patriarkut të kishës Ortodokse Ruse, Kirill, për të na kujtuar orgjinën ortodokse. Të mos harrojmë se nga të gjithë personalitetet ruse që kanë qëndruar më gjatë në Shqipëri, pas Nikita Hrushovit rreth gjashtëdhjetë vjet më parë në Tiranë, kjo vjen e dyta. Patriarku rus u prit me nderimet më të larta jo vetëm nga kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Hirësia e tij Janullatos, por edhe nga krerët më të partë të shtetit, nga Presidenti dhe Kryeministri, ndërsa Tirana “u blindua”, sikurse raportuan mediat.

***

Dihet se feja qeverisi popujt në shekuj me sekretin e Zotit, “çdo gjë që bën njeriu në tokë e sheh Zoti në qiell” etj. Zoti u identifikua me frikën dhe u përdor si kërbaç! Por ndërhyrja e feve në politikë, sa herë ndodh, ka pasur si synim t’i hedhë benzinë zjarrit në vend që të qetësojë situatën.

Akoma edhe pas 100 e ca vjetësh nga themelimi i shtetit shqiptar ka ideologë perëndimorë që e trajtojnë Shqipërinë si vend mysliman! Vizitat e shpeshta të përfaqësuesve të lartë të shteteve europiane në Tiranë, sipas disa analistëve tregon se ideologët europianë janë me mendimin se: “Nuk duhet të lejohet të ekzistojë një vend islamik në zemër të Europës”. Të jetë kjo arsyeja thelbësore pse vonohet integrimi i Shqipërisë në BE?

Në vijën e parë të kësaj ideologjie janë: Rusia, Franca, Anglia që thuhet apo lihet të nënkuptohet se mbeshtesin hapur hegjemonizmin serb me qëllim që të pengojnë influencen gjermane dhe turke në Ballkan. Sikur nuk e dinë këto fuqi se çfarë luftërash, gjakderdhjesh dhe fatkeqësish ka sjellë Serbia në Ballkan, për Europën e më gjerë.

Më 1999 kur shpërtheu konflikti në Kosovë vetëm SHBA-ja ishte e para që e mori seriozisht këtë  aksion për çlirimin e Kosovës, pasi një pjesë e madhe e vendeve, madje  dhe anëtare të NATO-s, mbështesnin hapur dhe fshehur Serbinë për të ruajtur interesat e tyre ekonomike. Në vijën e parë kundër ishte Greqia, Italia, Rusia etj.

Le t’u referohemi disa fakteve të njohura ose pak të njohura.

Rusia ka armatosur ushtrinë serbe me sistem raketash S-300 dhe me avion gjuajtës e bombardues Mig-29. Serbia mbështet të gjitha nismat e Rusisë në të gjitha aktivitetet ndërkombëtare. Ushtria e Serbisë ka blerë material dhe teknikë ushtarake me qëllim  modernizimin ushtarak e 14 llojeve të armëve, sidomos të tankeve T-72, automjete, shtrete për raketën “Sumadija” me rreze veprimi 300 kilometra, sistemi raketor “Aleksandar”, pushkë modulare 6,50 milimetra, platforma tokësore pa ekuipazh “Miloš”, automjete të blinduar “miloš”, sistemi raketor vetëlëvizës “Paksars”, sistemi shumëgrykësh “Oganj 2”, automjeti komandues për sistemin raketor “Alas” të cilët në fushën e luftës quhen përbindsha. Më këtë armatim Serbia bëhet fuqi më e fortë ushtarake në rajon: Ushtria serbe ka më shumë tanke se Franca! Armatosja e Serbisë mundet të çojë deri në një luftë në Ballkan, ndoshta një luftë evropiane! Ky ishte përfundimi i një raport për qëllimet e Departamentit të Shtetit dhe SHBA  nga analistët të CIA-s në mars 2017.

Rusia ishte dhe është kundër pranimit në NATO të Serbisë e Malit të Zi. Ekspertë të ndryshëm rusë theksojnë se nafta ruse do të luajë një rol të pazëvendësueshëm që të mbajë larg Serbinë nga diktati europian e amerikan dhe të konsolidohej më tej lidhja  e vjetër ortodokse Moskë-Beograd-Athinë. Po kërkohen forma të reja të bashkimit sllav. Duke shfrytëzuar marrëdhëniet jo të mira mes Turqisë dhe Greqisë, Turqisë dhe BE, Turqisë e Rusisë, Greqisë e Shqipërisë lind nevoja e një boshti ortodoks.

Lëvizjet e tanishme në Europë e në botë rusët i konsiderojnë si dëshmi të forcimit të aspiratave të njerëzve për bashkim mbi një bazë etnike ose fetare dhe ky proces nuk do t’iu shpëtojë sllavëve. Zytarë e diplomatë dhe kleri rus mendojnë se e ardhmja e  popujve sllavë qëndron tek bashkimi i tyre. Aktivitetet e ardhshme do të kenë organizatorë jo vetëm kishën ortodokse ruse, por edhe disa organe shtetërore ruse. Boshti kryesor si deri më tani do të jetë Moskë-Beograd-Athinë.

***

Politikanë dhe ideologë serbë, si dhe strategët serbomëdhenj po bëjnë zhurmë të madhe në botë për idenë e “rrezikut të krijimit të një shteti islamik” i cili do të shtrihet nga Sarajeva deri në Stamboll ku do të përfshihet Bosnje Hercegovina, Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Traka e deri në Egje.

Kjo “alibi banale” lindi në rrethanat kur Turqia ka pushtuar tregjet dhe bankat në Ballkan. Sipas disa politikanëve: “Ballkani është një kënetë ku mundet të ndërhyjë kushdo”. Nga historia dihet se përleshjet mes islamikëve dhe ortodoksëve kanë më shumë se 500 ose 1000 vjet. Sllobodan Millosheviqi në 600 vjetorin e Betejës së Fushë Kosovës hodhi parrullën “Svi srbiu jednoj drzavi (të gjithë serbët në një shtet)”. Inteligjenca serbe është e përfshirë nga shovinizmi. Për serbët civilizimi botëror është i huaj, pasi ata duan të groposin mendimin filozofik të Platonit, Arisotelit, Agustinit e ato të kohëve moderrne.

A ekziston rreziku i Fondamentalizmit, (islamik apo sllav) në Ballkan? Le t’i referohemi Europës. Në shekullin e 18-19 në Poloni u forcua tmerrësisht katolicizmi dhe pse ishte nën presionin rus. Po kështu katolicizmi në Irlandën e Veriut me protestantët në Angli. Po kështu ortodoksia në Serbi, Bullgari, Greqi, edhe pse ishin nën sundimin Osman, kur u largua Turqia nuk pati ndonjë ortodoksi të madhe. Prandaj kjo tregon se në Ballkan mbretëronë patriotizmi nacional territorial dhe jo fondamentalizmi mysliman. Gjakderdhjen dhe luftën e radikalizuan njerëzit e indoktrinuar dhe politikat, ku klerikët herë hapur dhe herë fshehur kanë qenë në ballë.

Në fund të Luftës së Dytë Botërore shtete të ndryshme përqafuan komunizmin, por nuk u bënë të gjithë ortodoksë. Edhe vetë Serbia nuk është e gjitha ortodokse edhe pse popullohet nga disa popullsi ortodokse, po kështu edhe Franca nuk është e gjitha katolike, as Anglia nuk është e gjitha protestante. Përkatësia fetare është çështje private e qytetarëve. Pavarësisht këtyre nacionalizmave, në Ballkan mendohet dhe po punohet me vendosmëri që të zbatohet plani perëndimor dhe ai amerikan.

Lobi serb vepron si një grusht i vetëm duke patur mbështetjen dhe përkrahjen e hapur të Rusisë e të disa shteteve të tjera, ndërsa lobi shqiptar nuk e ka këtë unitet. Jo vetëm në SHBA por edhe shfaqja në Bruksel ku para disa ditësh anuluan veprimtarinë për Skënderbeun!

***

Sot jemi në një situatë që duhet të na verë në mendime. Po të flasim me termat ushtarakë, komandantit të mirë, të aftë, inteligjent i duhet të bëjë kalimin e vijës së frontit e grupeve ose njerëzve në prapavijë të armikut! Gjatë organizimit të mbrojtjes, komandantit i lind (nevoja) domosdoshëria të hedhë (të kalojë) në prapavijë të armikut një pjesë të forcave dhe në këtë mënyrë ia ul presionin armikut në frontin e rregullt.

A thua që vizitat e hierarkëve të lartë të kishave kanë ardhur me këtë mision?

Nga arti ushtarak dihet se forcat që do të kalojnë në prapavijë të armikut, nuk duhet të jenë më të mëdha se ato që do të zhvillojnë luftime në front. Kjo varet nga situatat dhe mundësia. Megjithatë çdo komandant duhet të llogarisë se edhe kundërshtari, armiku, mundet të veprojë në të njëjtën mënyrë dhe të hedhë në prapavijë të mbrojtjes reparte ose grupe njerëzish me të njëjtin qëllim!

Nuk është më sekret se shtete e shërbime të fshehta të shteteve të ndryshme të Ballkanit ose jo të Ballkanit  bashkëpunojnë në kurriz të të tjerëve  e sidomos të shqiptarëve.

Please follow and like us: