Vettingu, 500 policë dorëhiqen nga detyra
Data 7 maj është afati i fundit për policët, i vendosur nga Ministria e Brendshme për dorëzimin e formularit të vetëdeklarimit, në kuadër të Vettingut në Policinë e Shtetit.
Nga të dhënat e Ministrisë së Brendshme, 8 mijë efektivë kanë dorëzuar formularin e vetëdeklarimit. Por burime nga Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit thonë për Report Tv se 500 punonjës policie nuk do dorëzojnë formularët, nisur nga një nen i ligjit të Vettingut, i cili i lejon ata të japin dorëheqje dhe për rrjedhojë verifikimi për ta ndërpritet.
Punonjësit e policisë largohen nga detyra dhe nuk i nënshtrohen as kontrollit të pasurisë dhe as anës profesionale. E njëjta formulë si me Vettingun në drejtësi kur disa gjyqtarë dhe ish-kryeprokurori Adriatik Llalla u larguan nga sistemi. Afati i fundit për t’u larguar nga Policia e Shtetit, njësoj si për ata që duhet të dorëzojnë formularin e Vettingut, është data 7 maj. Pas kësaj date, të gjithë punonjësit e policisë do t’i nënshtrohen kontrollit për pasurinë dhe aftësitë profesionale.
Mësohet se janë edhe Drejtues të lartë të Policisë, ish-drejtues në qarqe, të cilët do japin dorëheqje nga Policia e Shtetit për t’i shpëtuar verifikimit të figurës, kontrollit të pasurive dhe vlerësimit të aftësive profesionale. Ky vendim i efektivëve vjen edhe për të përfituar
pagesën kalimtare, apo pensionin suplementar për ata që kanë më shumë se 15 vite pune.
Vetë ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj është shprehur se Vettingu në Policinë e Shtetit nuk synon fshesën në polici por identifikimin e elementëve të inkriminuar, ata të cilët kanë bashkëpunuar me kontigjente kriminale dhe nuk përmbushin kriterin profesional.