Albspirit

Media/News/Publishing

NE ISHIM GJIMNAZISTËT QË SFIDUAM DIKTATURËN

SAKIP   CAMI

(Me rastin e 50 vjetorit të  Gjimnazit të Laçit)

Kanë kaluar shumë vite dhe kujtimet i  kam të freskëta ashtu si në ato vite dhe në ato ditë të bukura të viteve 70. Jo për nostalgji por me të vërtetë kanë qenë ditë të vrullshme, ditë rinore, të veçanta dhe të vështira deri në vetmohim.

Unë jam matura e dytë e këtij gjimnazi, pas maturës së parë ku mësuan Alqi Lango, nxënës i shkëlqyer dhe futbollist i ekipit simpatik të futbollit të qytetit tonë industrial të atëhershëm, Izota Katuçi që nuk dallohej nga çunat, Ana Ballta që imitonte babain  e saj Nestin mësues historie në gjimnaz, Agim Doda që u bë një regjizor i talentuar e shumë të tjerë.

Në klasën time mësonim së bashku me Xhemal Xhafën që vinte nga Thumana dhe ishte nxënës i shkëlqyer që më vonë u bë mësues fizike i po këtij gjimnazi, Fran Selalën që matematikën e kishte lëndën e tij, Drita Kishtën që ishte një nga vajzat më të mira në matematikë por që studioi për histori, Zef Dugagjinin që udhëtonte me biçikletë nga Adriatiku dhe që ma mësoi edhe mua biçikletën, e unë për “mirënjohje” ja prisha disa herë duke u rrëzuar shumë herë e duke u bërë copë për vehte.

Zefi ishte kampion i garave të çiklizmit kur i zhvillonim asokohe. Ai studioi për ekonomi dhe tani drejton Telekomin.

Astrit Zorba ishte muzikant i lindur. Flokë kaçureli sikur kishte lindur së bashku me fizarmonikën. Mbrëmjet e bukura të vallëzimit ishin dhuratë e tij e vëllezërve të tij, inisiativë e Parashqevisë, Vitores, Shpresës dhe e të gjitha shoqeve tona të mira.

Unë vija nga Dibra dhe banoja tek xhaxhai dhe për hir të së vërtetës duhet thënë se isha nxënës shumë i mirë në mësime dhe me vullnet të madh, por gjeta tek çunat e Laçit një ngrohtësi të jashtëzakonshme.

Ne ishim njerëz të varfër  ekonomikisht por shumë të bashkuar e të dashur me njëri tjetrin. Edhe sot unë i kam lidhjet me shokët e mi gjimnazistë, me Zefin, me Fran Nezhën e Gjok Rabelin, Pashk Kolën, Pashk Syziun, Isuf Gjonin, Nikolin Gjeloshin, Jak Smaçin, Xhemal Xhafën, Ndue Prekën, Ali Laçin, Rrok Pëllumbin, Osman Alushin, Selman Mihanën, Petrit Bushin, Gazmend Tagën, Preng Doçin, Nikoll Vatën, Skënder Mustafain etj.

Një homazh të veçantë për Simon Ricën , djalin më të mirë të klasës , të qeshur dhe të shoqërueshëm me të gjithë. Simoni pas studimeve të larta arriti deri në drejtor i uzinës së superfosfatit të Laçit.

Mësuesi i matematikës Gjergj Klimi nga Tirana më vonë u bë pedagogu im edhe në Shkollën e Lartë Ushtarake. Asllan Bami është jo vetëm mësuesi im i letërsisë por edhe nxitësi im në fushën e letërsisë.

I paharruar mbetet Sofoja, Sofokli Rrapi,  mësuesi i fizikës që mundohej të ta fuste mësimin në tru që në klasë se Sofoja e dinte se ne udhëtonim me orë të tëra për të ardhur në shkollë, nga Gurrëzi, Fushë Kuqja, Zejmeni, Miloti, Thumana, Mamurrasi, Gjormi etj.

Ai u martua me Zanën, shoqen tonë të klasës, por pas mbarimit të gjimnazit. Ne e kuptonin dashurinë e tyre, por Sofoja ishte nga ata njerëz që i kishte të shenjta parimet e mardhënieve midis njerëzve.

Ne ishim “Matura 72” , ne ishim rinia e vështirë por dhe e zonja e atyre viteve që dinte ta sfidonte kohën , që në zboret ushtarake të Patokut dhe Tales bënim mbrëmje vallëzimi  me muzikën e stacionit të dytë të Radio Tiranës të ditës së mërkurë e të shtunë, që këndonim e kërcenim “Mami Blu” e “Jezahel” , që ndiqnim Festivalin e San Remos e  pëlqenim Adriano Çelentanon, Toto Kotunjon, Sherif Merdanin e Françesk Radin.

Me ne në zboret ushtarake ishte Tahir Beja, ushtaraku me vizion që kishte mbaruar në Rusi, i martuar me ruse dhe që kërkonte që edhe ne të ecnim me ritmet e kohës moderne.

Mësuesin Dedë Berisha, kosovarin nga Peja që u dashurua dhe u martua me Pranverën nga Gjirokastra dhe që këndonte së bashku me ne në mbrëmjet rinore dhe në aksionet e Jugut këngën kosovare “vajza me kaçurrela” e kishim jo vetëm mësues por edhe shok.

Mësuesi i përgatitjes fizike Ndue Tarazhi ishte modeli i punës për përgatitjen e sportistëve të rinj dhe për përgtitjen e ekipeve zinxhirë në futboll, basketboll e futboll.

Në aksionet e rinisë në Jug të vendit, në Jonufër të Vlorës e në Lukovë të Sarandës bashkoheshim të tre gjimnazet e rrethit, të Krujës, Laçit e të Fushë-Krujës. Këto aksione pune, aksione të vëshira për hapjen e taracave të agrumeve kishin bukurinë e përballimit të vështirësive të punës së rëndë fizike dhe kordinimin me  mbrëmjet të ashtuquajtura tematiko-dëfrimi, që në fakt ishin thjesht argëtuese. Ato ishin kënaqësia e jetës si për ne të rinjtë gjimnazistë ashtu edhe për të rinjtë aksionistë të zonës së Mbishkodrës që punonin bashkë me ne.

Laçi atëhere ishte qytet industrial me përbërje nga e gjithë Shqipëria veri dhe jug. Kishte inxhinjerë të talentuar kimistë e metalurgë, inxhinjerë ndërtimi e ushtarakë të përgatitur që rrezatonin dije , kulturë dhe diktonin kërkesa të reja për jetën , kërkesa këto, që binin ndesh me regjimin e kohës.

Ne të rinjtë gjimnazistë mbanim lidhje më këtë elitë intelektualësh dhe mësonim prej tyre.

 

 

 

 

 

Please follow and like us: