Pirro Dollani: Përse ndodh kështu?
Në komunizëm u mësuam me poshtërimin, burgimet, torturimet nëpër qeli, internimet, vrasjet në kufi e brenda hekurave të burgjeve për fajin e rëndë se shkruanim poezi, u mësuam me radhat për bukë, u mësuam me 10 kokrra vezë e 450 gram mish të grirë në muaj, paçka se një familje mund të përbëhej prej 10 veta, me një gjel deti çdo prag viti të ri, dhe me autorizim për fruta për familjet ku udhëheqësit lokalë e qëndrorë do të shkonin të bënin vizita për 5 Majin.
U mësuam me drejtues injorantë, analfabetë, sharlatan e shpirtkazëm që nga brigadier më i thjeshtë e deri atje në “bironë politike”: me palrat, me lenkat, me pilot e milot!
U mësuam të duartorkisnim e të brohoritnim sa më shumë për udhëheqësit e shquar, madje edhe kur njerëzit e familjes na i kishin internuar, burgosur, shtruar nëpër çmendira apo pushkatuar për krimin e rënda se “kishin shkelur normat e Partisë”.
U mësuam që kur të “grabisnim” diçka për të mbajtur shpirtin gjallë, qoftë edhe 3-4 patate në arë, apo një lakër a dy qepë, të mos ia thoshim askujt, ta mbanim të fshehtë, mundësisht edhe nga gruaja, nga motra e vëllai dhe as mos ta flisnim me vete, se muret kishin veshë. Sepse edhe për 3-4 patate e pësoje më keq se Zhan Val Zhani. Por tani në periudhën postkomuniste askush nuk “grabit” më 3-4 patate, një lakër apo dy qepë, por mijëra, miliona para. Dhe këta që vjedhin nuk janë njerëz të thjeshtë, por pushtetarë, drejtues të organeve të drejtësisë, lidera partie, deputetë! Dhe ajo që e bën të çuditshëm shoqërinë postkomuniste shqiptare është fakti që këta hajdutë në vend që t’i fshehin gjërat e blera me paret e vjedhura, si makina disa milionëshe, ora që kushtojnë sa rroga 5-vjeçare e tyre, etj. këta trima shkojnë me to nëpër zyra, në parlament, në takime me popullin. Me paratë e vjedhura ndërtojnë vila me mure të lartë, jo një por disa, në vende të ndryshme të vendit. Kur sheh “sarajet” e këtyre pushtetarve tanë, ato “vilat” e ish-lidërve komunistëtë sot të duken si geto. Kur ra komunizmi dhe lexomin te RD-ja se lenkat, pilot, palrat kishin nga 2 banjo, habiteshim e thoshim me vete: po me bark janë këta të flamosur që na paskan nga dy banjo? Ndërsa tani, s’na bën përshtypje kur lexojmë në shtyp se këta pushtetarë, politikanë, gjyqtarë, etj. kanë jo nga një shtëpi, por nga disa shtëpi, pallate, makina luksoze, miliona para në banka të ndryshme, etj., etj.
Gjatë këtyre 27 viteve u mësuam edhe me fyerjet, sharjet, ulërimat, grushtet jo vetën në rrugë, por kudo, deri atje lart në Parlament. Parlamenti ngjason me një arenë ku janë mbledhur gangsterë adoleshentë, njerëz histerikë e çilimij që vetëm shahen. Si çdo grupim gangsterësh edhe këta kanë fanellat (më fal, “flamurët”) e tyre. Ca mbajnë flamurë vishnje, ca blu, të tjerë mbajnë copëra rreckash të shkëputura nga këto dy flamurë. Dhe as skuqen e as nuk zverdhen fare edhe kur mbarë një popull i shikon nga ekranet e televizorit. Pasi, pavarësisht formimit të tyre gjysmak, të cunguar e pa moral një gjë ata e dinë mirë: se ky nuk është turpi i tyre, por TURPI ynë. Po, po Yni: i çdo shqiptari që ka votuar e voton për njerëz të tillë. I çdo shqiptari që rend pas mitingjeve të tyre e brohorit për ta! Ata nuk erdhën nga hëna, ne i votuam. Madje me votime me “standarte demokratike”.
Vetëm po të bësh një përqasje të thjeshtë ndërmjet “demokracisë” në periudhën e komunizmit, me këtë “demokracinë” e sotme njëzeteshtatë-vjeçare, vërejmë se do të ishim të “lumtur” nëse në kohën e tanishme, procedurat për zgjedhjen e kandidaturave, psh. për deputet të afroheshin të paktën FORMALISHT me procedurat “demokratike” që zbatoheshin nga diktatura. Por fatkeqësisht, mënyra sesi bëhet seleksionimi për zgjedhjen e kandidatëve brenda partive nuk është aspak demokratike, për të mos thënë që nuk gjen as më të voglin element demokratik. P. sh.: në komunizëm kandidatët për në Kuvendin Popullor zgjidheshin nga organizatat e partisë në rrethe (sado formal që ishte ky proces) dhe pastaj shpalleshin emrat e tyre për çdo zonë elektorale. Pastaj, kandidatët bënin takime me popullin e zonës së tyre, kështuqë votuesit e kishin të qartë se për kë votonin, pavarësisht se nuk kishte ASNJË RËNDËSI nëse votoje për Fuatin, Prengën, apo traktoristin Ibrahim, pasi roli i tyre deputetëve të ardhshëm do të ishte vetëm që të ngrinin dorën sa herë u kërkohej kjo gjë.
Po tani në këtë periudhë demokratike, si procedohet? Kryetarët e partive (nënkupto: tiranucët,) bëjnë lista rendore sipas midesë së tyre. Natyrisht, zgjedhin ata individë që do t’i mbështesin edhe kur kryetarët të bëjnë nga një. . . P- të madhe! Askush s’e hap gojën e të vërë në dukje se po shkelen statutet e partive e standartet demokratike, sepse kanë frikë që u fshihet emri nga lista e kandidatëve. Madje, anëtarët e partive duhet të duartrokasin tiranucin, edhe kur vendos në krye të listës idiotë, servilë, gjysmë-analfabetë, hajdutë, vrasës, trafikantë! Dhe kur ndonjë deputet i partisë del jashtë vargjeve që Partia i ka caktuar t’i recitojë në Parlament, ky deputet rrezikon mos të zgjidhet më. Dhe ditën e votimit, ne si popull, (duke qenë gjysmë shekulli nën diktaturë) jemi mësuar ta përkulim kurrizin deri te këmbët e qelbura jo të kryetarit të partisë, por të çdo anëtari fanatik e shkojmë me atë entuziazmin bolshevik të trashëguar nga koha e Diktaturës dhe hedhim votën tonë jo për një individ të caktuar, me mish e gjak, por për ca “iniciale të vdekura” që përfaqësojnë kufomat e dekompozuar të partive që kanë vite që kanë vdekur. Në fletat e votimit nuk ka emra njerëzish konkretë. Vendin e emrave të kandidatëve që do të votohen janë zëvendësuar mes inicialet PS, PD, LSI, PR, dhe K-R! Dhe ne si popull me kulturë demokratike pranojmë të votojmë, pa pasur as më të voglën ide se cili njeri (lexo: hajdut, rrugaç, gjysmëanalfabet, mafjoz do t’na përfaqësojë në instancat më të larta të Pushtetit!) Dhe pikërisht, ky është MËKATI ynë, e njëkohësisht TURPI ynë! Prandaj këta gangsterë adoleshentë tallen me ne, me mbarë një popull, pasi e dinë se çdo katër vjet, ne do të shkojmë të votojmë jo për njerëz konkretë, që i njohim, por për lista të përpiluara plotësisht nga kryetarët e partive! Ngaqë edhe liderit “demokratë” që kanë jetuar nën diktaturë, janë të pavetëdijshmëm që edhe pse flasim e bërtasin për demoraci, japing një kontribut konkret në ndërtimin e një shoqërie autokratike, ku kryetari i Partisë është monarku.
Po përse ndodh kështu? Të vjen keq ta pohosh, por një nga arsyet është se të gjithë, pakashumë, jemi, pinjollë të atij “NJERIU TË RI” të krijuar nga Diktatura gjatë gjysmë shekulli. Pavarësisht se komunizmi fizikisht ka ngodhur, por të menduarit si komunist jeton e lulëzon në mendjen e shumë e shumë shqiptarëve, veçanërisht të “liderave” të partive, pavarësisht se ç’ngjyrë kanë flamurët e tyre. Pa qenë nevoja të shtojmë edhe një arsye tjetër se përse ndodh kështue: sepse në krye të çdo partie politike, do të gjesh ish-sigurimsa, ish-persekutorë të kohës së komunizmit, sharlatanë dhe bij të atyre prindërve që mbanin pozita kyçe në regjimin diktatorial./ylliria/