Albspirit

Media/News/Publishing

Fjala e plotë, Tahiri: 25 vjet, mbushur me hajdutë në politikë

Prita 2 jave të flisja në parlament, por mes mjellit e cizmeve e sherrit aty vetëm parlament nuk është bërë, nuk kisha rrugë tjetër veç kësaj që zgjodha sot për të ndarë me ju një qëndrim timin. Përpara më shumë se 6 muajsh, për mua filloi një histori tjetër me të cilën po përballem ende sot. Dhe kam 6 muaj që hesht e dëgjoj. Dëgjoj lloj lloj rrace që nuk më ka lënë gjë pa thënë, sa të kisha qeverisur 30 vjet, dhe në vënd të të gjithëve para meje, nuk do kisha imagjinuar dot kurrë kaq shumë akuza për veten time. Njëri kriminel, tjetri trafikant. Diku kokë e mafias, diku ushtar i mafies.

Një herë shtyllë e krimit, një herë dru i shtrembër i stivës. Këtë e kam quajtur “kur gjyqin ta bën djalli”….për gjyqin moral që më bëjnë rraca që ka qeverisur e shkatërruar për 25 vjet këtë vend e kam fjalën, se atë tjetrin e kam me drejtësinë. Kur gjyqin ta bën djalli, jo se jam unë ëngjëll sigurisht, kam punuar e kam gabuar si çdo njeri i kësaj bote. Por të dëgjoj që ma bëjnë gjyqin kjo rracë që me politikë ka vjedhur e prej politikës nuk është ndëshkuar….Nuk e pranoj për askënd e asgjë, kurrë. Më kanë thënë se më ka mbrojtur imuniteti, mandati parlamentit, se më ka mbrojtur maxhoranca dhe Edi Rama.

Sado kam thënë që as dua e as më duhet të me mbrojë askush e asgjë, më kanë thënë se të gjitha këto bashkë më paskan shpëtuar nga arrestimi e burgu. Tani dëgjoj që unë jam edhe pengesë për integrimin. Se 25 vjet mbushur me hajdutë në politikë, që veç lekëve, këtij populli i kanë vjedhur edhe të ardhmen e fëmijëve, integrimin po ua pengokam unë. Nqs ka një gjë që e di si drita e diellit, është se që nga dita e parë e angazhimit tim e deri sot jam përpjekur e ia kam dalë me të paktën një gje: une nuk kam qënë e nuk jam kurrë si këta. As fshihem pas parlamentit, as rri në parlament për të marrë rrogën kot, as për ti bërë hije ndokujt, as për të kapur ndonjë tender a ca lekë, dhe aq më pak për të pasur paprekshmëri.

Jo më të ketë ndonjë shans të vërtetë qe rrugën për në evropë ta pengoj unë. Kam 6 muaj që dëgjoj e hesht. Akuza e gënjeshtra përtej çdo imagjinate. Mjerë njerëzit e shkretë që këta palacot në politikë i dëgjojnë prej 1990 e këtej. E nuk kanë faj që nuk lënë ekran pa pështyrë sa herë vjen e enjtja e parlamentit. Unë kam 8 vjet në parlament e më duket sikur kam 80. 4 vjet isha Ministri i Brendshëm e me sa akuza e shpifje kam dëgjuar, më duket sikur në këtë vend nuk ka patur tjetër Ministër të Brendshëm veç meje. Por e vërteta ka çmim, dhe unë këtë e dija.

Gënjeshtra ka çmim më të lirë, edhe këtë e dija. Për mua ama, çmimi i lirisë dhe i së vërtetës, është më i shtrenjtë e më i vlefshëm se çmimi i karrierës. Kam parë e dëgjuar më shumë se ç’kam pasur kohë për të menduar. Dhe i kam quajtur të gjitha kosto normale të rrugës që zgjodha. Po kur dëgjoj këta të parlamentit si vajtojnë në emër të popullit, luten në emër të popullit, urimet i bëjnë në emër të popullit, kërcënojnë në emër të popullit, shajnë dhe vrasin në emër të popullit, kërkojnë dhe falje në emër të popullit….se kurrizi i popullit nuk mbaron, i mban të gjitha. Ndërsa këta luajnë teatrin e zakonshëm, fryhen e qeshin. E populli i shkretë mban, dëgjon e duron.

E kur i shoh të gjitha, ngushëllohem disi. Sa kanë folur e shpifur për mua, është shumë pak në krahasim me ç’i kanë bërë njerëzve të shkretë në kaq vite. Suksesi më i madh i djallit, ishte të bindte të gjithë se nuk egzistonte. Fiks kështu edhe këta që prej 25 vitesh të vrasin natën e të qajnë ditën. Hajduti flet për ndershmëri. Maskarai flet për moral. Injoranti flet për shkollat. Tenderaxhiu për të varfrit. Të gjithë bashkë për drejtësinë…do thotë ndonjëri edhe mua për trafikant më akuzojnë…nuk ka faj edhe ca kohë. Kam duruar 6 muaj, kështu duke dëgjuar e nuk kam folur, për të respektuar të vërtetën time dhe drejtësinë.

Ndaj kam heshtur. Që heshtja ime del nga manuali i punës për shumicën e politikës sot, këtë e di po aq sa di ç’do bënte kushdo tjetër po të ishte në vendin tim. Do shanin prokurorinë, gjykatën, do shtonin dozën e blerjes së medive, etj si këto. Unë akuzohem për trafik droge… kjo është akuza. Drejtësinë do e kërkoj në gjykatë e mezi po pres. Po këtë gjyqin publik me akuzat e shpifjet e gjithë karagjozave të politikës ku ta bëj? Më akuzon Lulzim Basha, kllouni me qesharak i politikës shqiptare që su lodh duke vjedhur e nuk u gjykua kurrë. Ministër i Brendshëm e vrau 4 njerëz në bulevard bashkë me Saliun e su hetua kurrë. Mbi 200 milion euro vjedhje të faktuara në rrugën e kombit, e su hetua kurrë. Shkonte në Lazarat kur droga ishte lumë krahqafë me banditët atje e as u hetua, as u gjykua kurrë.

Sot del si shul e ka fytyrë më akuzon mua. Më akuzon Sali Berisha e gjithë lukunia që e kanë bërë gojën çorape me shpifje pafund për mua, ndërkohë që vetë kanë qënë e janë akoma pas murit të paprekshmërisë të pa hetuar e të pagjykuar për vrasje, vjedhje, plaçkitje të shqipërisë, me keq se çdo pushtues. Më akuzon Monika dhe Ilir Meta, që zoti e di se ngado ti kapësh e rrotullosh, nuk ka ujë të shenjtë që mund tua lajë ç’kanë bërë. E sikur të ishin vetëm kaq, do ishte mirë por nuk janë vetëm këta.

Për mua nuk del një shqipëtar të më thotë se jam hajdut, se i kam vjedhur lekët, se kam vjedhur tendera, se kam marr lekë për të futur njerëz në punë, etj etj si këto. Unë rroj e do përballem me drejtësinë edhe për këto që më akuzojnë sot. Po këta të mjerë, që sot shqiptarët i drejtojnë gishtin për hajdutë të lekëve të tyre, e shesin dëngla gjithë ditën….si ia hodhën drejtësisë… Duke bërë harbutin, ia hodhën dhe drejtësisë. Duke akuzuar të tjerët për gjëra që kanë bërë vetë, ia hodhën. Duke blerë gjyqtarë e prokurorë, duke shpërndarë tendera e koncesione, duke marrë lekë për një legalizim, për një hipotekë, edhe për të futur njerëz në punë duke marrë lekë, e me to kanë blerë rehatin, e kështu rrojnë.

Duke blerë kundështarin në parlament, ia hodhën. Duke mbyllur gojë, duke blerë heshtje, në pazarin e madh bodrumeve të parlamentit ku bien dakort njeri mos merret me të shkuarën e tjetrin, tjetri mos merret me të tashmen e njërit. Duke blerë media, portale, sondazhe. Në shqipëri e jashtë shqipërisë. Ku një artikull ku shahem unë, pasohet nga një tjetër ku lavdërohet ai që e ka paguar. Duke blerë të huaj, ambasadorë e deputetë. Duke blerë e shitur gjithçka, në kurriz të njerëzve hallexhi të këtij vendi. Kështu ia hodhën. Dhe më bëjnë mua moral.

Ndaj ndoshta heshtja ime deri sot i duket si kurriz i përkulur. Por po e them thjeshtë; në qoftë se ka njeri që heshtjen time në respekt të drejtësisë e ka marrë për nënshtrim, për dobësi, për frikë apo dorëzim, nuk më keni njohur fare ndaj rimendojëni e bëjini llogaritë nga e para. Unë as jam dorëzuar. E as kam ndërmend ta bëj. E dua ti drejtohem edhe kolegëve të mij në grupin parlamentar, të cilët më së pari i falenderoj për durimin dhe mirëkuptimin, nga i pari tek i fundit, por në qoftë se ka qoftë edhe një koleg të vetëm që me fjalë dykuptimshe apo me mërmëritje nën zë mendon se mund të drejtojë gishtin tek unë, më e pakta e ka gabim. Unë po pres drejtësinë time, ndaj pak durim të gjithë.

Plot të tjerë politikanë janë akuzuar përpara meje në këto 30 vjet. Edhe për vrasje, edhe për vjedhjen e përditshme të lekëve të popullit, por të gjithë ia kanë hedhur paq, të gjithë kanë përfituar nga paprekshmëria. Diku nga imuniteti, diku nga pazaret. Unë nuk jam si këta. Nuk dua ti iki e as ti shmangem drejtesisë. Dua të vërtetën më të plotë. Nuk kam fuqi e forcë të gënjej, por kam vetëm fuqi për të vërtetën, të vërtetën time sot e nesër. Ndaj kam 6 muaj që hesht e pres. Kam 6 muaj… Njëri vinte e më sugjeronte të thoja se nuk isha unë por ishte Edi Rama kokë e trafikut të drogës. Kështu shpëtoja veten nga të gjitha. Tjetri më këshillonte të mos flisja shumë, se nuk është çështje nervash kjo, por llogarish. Kshu e ka politika.

Unë heshta. Tregëtarët e gënjeshtrave dhe pazarxhit e politikës dolën në treg. Nuk më kanë njohur mirë, aq sa të kuptonin se nuk ka qënë se nuk dija por se nuk doja që armiqtë, hajdutët, pazarxhit e dallaveret e politikës ti mbaja në krah. Unë kam zgjedhur ti vë përballë e nuk ka pasur e as ka asnjë lloj privilegji që më ndërron mëndje. Tani janë bërë gjithë bashkë përballë meje. Pushka top t’ju bëhet. Unë do ia dal. Papritmas u kujtuan të gjithë për hashashin. Opozita më ka akuzuar si trafikant drogë që pa marrë detyrën e ministrit e kështu vazhdon edhe sot.

4 vjet rezistuam, bëmë luftë, me suksese dhe dështime. Por bëmë luftë si asnjë qeveri më parë. Në çdo ditë të detyrës simë, veç opozitës dhe një pjese të maxhorancës, kam pasur përballë jo vetëm krimin në rrugë por edhe krimin në zyrat e shtetit e politikë, përfshirë edhe drejtuesit e Prokurorisë, edhe SHIK-un, që atëherë llogaritë dhe punët i bënin ose nga zyra e Saliut ose Ilir Metës, ose e të dyve bashkë. Prokuroria hall kishte të luftonte policinë, SHIK-u nuk vriste me armë e tortura, siç bënte atëherë, por qepte ditën me laps e letër ç’i thoshte Saliu në darkë. Njëri sot është në hetim. Tjetri, Visho Ajazi i SHIK-ut të Saliut, për turpin e madh sot është ambasador i propozuar po nga qeveria për të cilën unë shërbeva.

Ndërsa Saliu si Saliu, dhe Ilir Meta, fiks siç e do puna, nëj herë mbi palët e një herë me palët. Dhe prap në fund, mbeta vetëm unë me avazin e Saliut e Lulit që vjellin të njëjtat akuza për mua. Edi Rama i falenderoi për kontributin opozitar. Ndërsa pasardhësi im në detyrë, me akuzat për policinë e kriminalizuar, ia kaloi edhe Saliut edhe Lulit. Po këta që më akuzojnë mua sot, nga dolën kaq të dhimbshur për fushat që paskërkan lënguar mbjellë me hashash???? Lazaratin nuk e kishit aty për 20 vjet, plot e përplot? Krujën se kishit aty? Shkodren, Malsinë e Madhe, Dibrën, Tropojën, Tepelenën, Gjirokastrën, Beratin, edhe Tiranën nuk i kishit aty, të mbjella me hashash prej më shumë se 15 vjetësh, e aty ishin që ditën e parë kur mora unë detyrën.

Dhe tani u thoni njerëzve dhe botës, se e bëra unë? Në Parlament, rrijnë ulur me dhjetra ish ministra të brendshëm, dhjetra ish Kryeministra, askush nuk ka lëvizur as gishtin për të luftuar ndonjëherë në 25 vjet parcelat e hashashit, e sot rrijnë si ëngjëj. Unë u përpoqa, mbajta edhe palaçot e politikës në kurriz duke më bërë moral. Ta dini për statistikë: Hapni shifrat e GdF, në 4 vjet të qeverisë ku shërbeva edhe unë, ti mbledhësh bashkë, kultivimi i hashashit është më pak sesa vetëm 1 vit i Sali Berishës kur ishte Kryeministër. Nuk e thotë njeri këtë. Për fat të keq as deputetët e PS. As ministri i brendshëm se ka përmendur kurrë. As kryeministri jo.

Nuk e di pse. Për t’iu dhënë vetëm një shembull tjetër: Edhe kur mbyllëm lojrat e fatit, prap u akuzova unë, Kryeministri dhe gjithë qeveria. 150 milion euro fitim në vit nga lojrat e paligjshme të fatit per vite e vite me rradhë duke rrjepur familjet shqiptare, që për llogari është shumë më shumë sesa i gjithë kultivimi i hashashit, e prap kur i mbyllëm, po ne u akuzuam. Unë e qeveria ku unë shërbeva. Por ndërkohë që në parlament është bërë sherr në skenë për 4 vjet, poshtë në korridoret e errëta të parlamentit u bënë bashkë 10 vetë pa dallim partie që gjetën konsensus për të mbajtur peng sirtareve për afro 4 vjet ligjin e lojrave të fatit. Por përsëri u akuzova unë ndërsa këta të tjerët sot rrijnë si ëngjëj, e unë i mbaj edhe në kurriz duke më bërë moral, sepse këta dashnorët e popullit, me mediat e blera arritën ti thonin popullit se edhe për lojrat e fatit që unë i mbylla, prap fajin e kisha unë.

E unë prap i mbaj në kurriz duke më bërë moral. Mua as më shkon në mënd ti falenderoj kriminelët e pahetuar, e pagjykuar dhe të pandëshkuar të opozitës, me Lul e Sali në ballë. Kanë vrarë njerëz, e nuk dënohen. Kanë vjedhur paratë e shqiptarëve, e nuk dënohen. Keni dhunuar gazetarë e media, e nuk dënohen. Mua më akuzojnë për mbjelljen e hashashit të cilin vetë e kishin aty për 25 vjet, por akoma më keq kanë mbjellë varfërinë e mijra familjeve, papunësinë e mijra të rinjve, hajdutërinë e zyrtarëve, tregëtinë e pasurisë kombëtare duke shitur lumenj, kodra e male në këtë çik vend që ka mbetur.

E as hetohen, as gjykohen, e as dënohen. Nuk ua thotë njeri këto, nuk e di pse. Ndaj rrijnë si ëngjëj, bëjnë dhe moral. Sot dalin e thonë se po pengoj edhe rrugën e vendit për në Evropë. Nqs është e vërtetë sa pashë në media se paska edhe në Evropë deputetë palaço si ky Luli e këta që kemi këtu, që marrin guximin bëjnë prokurorin e gjyqtarin, siç ka ambasadorë këtu që e marrin përsipër, atëherë ajo është Evropa që unë nuk zgjedh as sot e as kurrë. Unë e di që politikanë pa kocka e pa bythë, këtë vend e kanë shitur qindra herë, e po të donin shqipërinë sa ç’duan një përkëdhelje koke nga ca të huaj, ky vend nuk do ishte ky që është.

Por nuk besoj u çmendën edhe këta të huajt sa të mos e vrasin mendjen për drejtësi por të duan kurban njerëzish për të shkelur në Evropë. E vërteta është më e thjeshtë. Këta që kanë qeverisur 25 vjet, nuk kanë lënë cep të shqipërisë pa shkallmuar, lekë të buxhetit pa vjedhur, në vend që të ndërtonin Evropën këtu në këto 25 vjet, sot qajnë për evropën të cilën ua pengokam unë. Ndaj këta anadollak që sot qajnë Evropën, ta dinë mirë se Shqipëtarët nuk do hanë integrimin, ndaj varfërinë që mbollët në 25 vjet pagajeni sot. Nuk ua kam unë fajin.

Shqiptarët nuk do mjekohen e shkollohen në dyert e integrimit, ndaj spitalet e shkollat që shkatërruat e që lekët për ti ndërtuar i keni vjedhur nga 3 a 4 herë, paguajini sot. Nuk ua kam fajin unë. Shqiptarët nuk do marrin rroga e pensioine në Evropë por këtu, ndaj rroga e pensione që nuk dalin as për bukën e gojës, e që janë më pak sesa vetëm 1 shishe verë në drekat e darkat tuaja, paguajini sot. Nuk ua kam fajin unë. Ekonominë nuk do e bëjë evropa e integrimi, ndaj oligarkët që i palluat me tendera e para të shqiptarëve, lekë që vodhët duke paguar për një rrugë 3 herë, për një shkollë 4 herë e për një spital 5 herë e sot as egzistojnë, paguajini sot. Nuk ua kam fajin unë. Jam shumë i vogël për të penguar integrimin e Shqipërisë në evropë.

Por mjaftueshëm i arsyeshëm t’ju drejtoj gishtin në fytyrë të gjithë atyre që sot qajnë për evropën e në 25 vite Shqipërinë e shkatërruan dhe varfëruan me keq se lufta. Dhe nuk ua kam fajin unë. Vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve e votuan si dele, me dy ambasadorë që për turpin tonë na duartrokisnin mbi kokë. Tani bëjnë edhe vetingun për policët e shkretë që ç’nuk kanë parë në 30 vjet për politikën. Shumë mirë të pastrohet policia, por kjo nuk bëhet brenda ditës e as me një veting. E mbi 1.300 policë që janë larguar e dënuar për korrupsion e shkelje ligji sa isha unë në detyrë, janë provë e vullnetit për të bërë ata që duhej. Por as këtë nuk e thotë njeri.

Por pyes, pas drejtësisë përse nuk e filluam nga vetja ne me vetingun? Deputetë, ministra, zv/ministra, politika në tërësi, pas gjyqtarëve dhe prokurorëve pse nuk e vazhduam vetingun me veten? Unë po hetohem, do gjykohem, e kjo është kaluar çdo vetingu. E palaçot që kanë qeverisur për 25 vjet, vazhdoj ti mbaj në kurriz duke më bërë moral. Rri e dëgjoj garën se kush e gjen e kush e kap peshkun e madh. Ca thonë banda është në pushtet, ca në parlament, ambasadorë lart e poshtë flasin për mafiozë dhe banda shqiptare, edhe ministri brendshëm numëron në televizor bandat, një tmerr për të marrë valixhet e për të ikur. Ka më shumë kriminalitet në Itali, po askush nuk numëron bandat në televizor.

Ka më shumë në greqi po përsëri se bëjnë. Ka më shumë vrasje, drogë, prostitucion kudo në botë, por askush nuk ia nxin faqen vendit të vet sa bëjmë ne, për të na fërkuar pak kokën ndonjë i huaj e për të bërë karrierë në kurriz të të tjerëve. Dhe shqiptarët na mbajnë në kurriz, duke i bërë moral. Unë kam duruar 6 muaj, do duroj edhe aq sa të duhet për të dalë e vërteta ime në dritë. Dhe pikërisht pse nuk jam si këta që kanë qeverisur 25 vjet, kam marrë një vendim për ta treguar edhe një herë se une nuk jam njëri nga rraca e atyre që rri në parlament për pazar a për shpëtim:

Unë nga sot dorëzoj mandatin tim të deputetit. Deri kur të zbardhet e vërteta e plotë, unë nuk do jem deputet por një qytetar i thjeshtë si mbi 2 milion shqipëtarët e tjerë. E si qytetar i thjeshtë, vetëm me të drejtën time, familjen, miqtë e të gjithë ata që besojnë ende tek mua, do përballem me prokurorinë, gjykatën, drejtësinë dhe ligjin. Siç do përballem me palaçot në politikë që kanë vjedhur këtë popull e sot shesin dëngla, e nuk do dorëzohem për asnjë çast. E sot i them të gjithqve, ja ku më keni, si qytetar të thjeshtë. Këtu jam e këtu do jem. Fuqia ime është vetëm e vërteta ime e nuk do rresht ti shkoj deri në fund.

Është familja ime dhe miqtë e mi të cilëve u kërkoj ndjesë për çdo minut shqetësim që kanë marrë prej meje dhe punës sime. Si dhe ata mijra shqipëtarë që më besojnë ende e që nuk kam fjalë mjaftueshëm t’i falenderoj për çdo fije mbështetje që më kanë dhënë e që më japin ende, qoftë edhe me një mesazh. Unë nuk jam nga ata që fshihem, e jo më të tretem pas parlamentit, mandatit, imunitetit e aq më pak të përfitoj nga këto. Dhe e kam të qartë që sot; kjo nuk është ndeshja ime e fundit, është vetëm ndeshja ime e parë. E do vazhdoj prap e prap, deri në fund.

Nga sot, nuk jam më deputet. Do përballem me këdo, sepse besoj e vërteta është më e thjeshtë por më e fortë se gjithçka tjetër. Si qytetar i lirë, jam përballë kujtdo e as do përkulem, as do dorëzohem. Dua të falenderoj çdo qytetar që ka besuar e beson ende tek unë. Aq më tepër ata që më kanë votuar. E sot u them, unë nuk jam palaçco si ata që kanë qeverisur për 25 vjet e sot shesin moral, unë jam Saimir Tahiri e s’kam nevojë as për mandat për tu përballur me drejtësinë dhe me politikën palaço të këtyre 25 viteve. Nuk jam dorëzuar kurrë, aq më pak të dorëzohem sot. Do jem aty bashkë me më të fundit që më beson, në një betejë që tashmë se kam vetëm timen. Se as drejtësinë e as evropën nuk na e fal njeri, aq më pak agallarët e politikës, por do ta fitojmë vetë.

Me mua mund të merren, e do duroj. Me familjen time jeni marrë, me gjithçka timen mund të merren. Po mbushen 30 vjet ama që kjo lloj politike merret me shqiptarët, duke i tallur, duke i sharë, duke i vjedhur, duke i vrarë, duke i marrë jetën e të ardhmen e kalamajve dhe duke i lënën në varfërinë poshtëruese. Ora e të vërtetës sime ndoshta nuk është larg. E po kështu për të gjithë, një orë do jetë ku secili të ketë të vërtetat e veta përpara fytyrës e do japë llogari. Deri atëherë, unë jam këtu. Se kjo nuk është ndeshja ime e fundit, është veç e para.

Please follow and like us: