Jeta Dedja Toçila: Shteti që i riviktimizon fëmijët
Fëmijëve në Shqipëri mund t’u ndodhin 1001 të zezat në shkollë dhe sërish Ministria e Arsimit reagimin maksimal do ta ketë: “Do e shqyrtojmë çështjen dhe do marrim masat”. Masa ekstreme që mund të marrë për ndonjë mësues që dhunon do të jetë ndonjë paralajmërim, ja edhe pezullim apo largim nga puna. Dhe me kaq i lan duart. Po për pasojat në shëndetin mendor të fëmijës a ka ndonjë masë që merr ministria? Në fakt nga reagimet e kontrollet e Ministrisë së Arsimit kundrejt ankesave apo rasteve të denoncimeve, shpesh herë mos u çudisni kur edhe fëmijët mund të bëhen me faj. Ndodh të thuhet në përgjigjet e organeve të arsimit në Shqipëri, për ndonjë rast abuzimi, se fëmija është ca i lëvizur, ose shpesh herë mësuesja i kishte tërhequr vëmendjen, ose fëmija është nxënës që bën shumë herë mungesa në shkollë dhe nuk ka përgatitje të mirë në mësime. E pra, ministria e Arsimit nuk e lë fajin vetëm tek mësuesit e saj, por edhe fëmija ka pjesën e fajit. Sigurisht një fëmijë që është viktimë një herë, nuk është problem të bëhet viktimë edhe dy herë, apo tre herë. Fundja fëmijë është do të rritet e kalitet. Këto janë metodat staliniste të arsimit shqiptar. Ndëshkohet fëmija, sjellja e tij që të bëhet shembull. “Mësuesi me kamzhik apo notë në dorë është zoti i paprekshëm, heroi komunist që sakrifikon për fëmijët e botës. Le t’i heqim kapelen ta nderojmë dhe të mos ia vëmë re sjelljet agresive, verbale e fizike. Ai e ka për të mirën e edukimit, për të mirën e fëmijës”.
Dhe nuk duhet të kufizohemi vetëm tek Ministria e Arsimit, por edhe te ministria tjetër me emër të gjatë ku futen edhe çështjet sociale. Nuk çuditem që vit pas viti në shtëpitë e fëmijës Sarandë, Vlorë, Shkodër apo gjetkë të kapen nga media raste abuzimesh. Për sa kohë filozofia e edukimit nuk ndryshon dhe për sa kohë punonjësit e edukimit nuk kalojnë në filtra profesionalë, por edhe nëse quhet se kalojnë në këto filtra, ata që janë mbi krye të tyre janë partiakë, raste të tilla do të ndodhin.
Prindër shtrëngoni rradhët se vetëm ju mund t’u dilni për zot fëmijëve, edhe fëmijëve të braktisur madje. Mos prisni t’ua mbrojnë të tjerët. Shoqatat e bëjnë për sy e faqe dhe për fonde, qeveria sigurisht që e kalon turpin me bukë me besimin se për tre ditë çështja bie në harresë.
Prandaj le të bëhemi njëherë bashkë për fëmijët, se për ta ia vlen të mbushen sheshet.
P.S. (Bravo emisionit “Stop” për punën e lavdërueshme në mbrojtje të fëmijëve).