I ktheve komisariatet në bordello/Tahiri-analistëve: S’më bëni dot gjyqin mua!
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u përplas me analistin Andi Bushati mbrëmjen e sotme duke iu referuar raporteve të palës italiane, Bushati akuzoi Tahirin se gjatë drejtimit të Ministrisë së Brendshme kanabizoi vendin. Tahiri mohoi akuzën.
“Shqipëria ka qenë e mbushur me kanabis! Ju keni gënjyer, ose keni mbyllur sytë. Nuk flasim vetëm për Lazaratin, kështu ka qenë Kruja, Berati, Malësia e Madhe, Tirana po ashtu. Jam i hapur për ballafaqim shifrash me ty dhe këdo. Në katër vite që kam qenë unë ministër janë më pak se një vit i Sali Berishës”, deklaroi Tahiri.
Bushati iu referua edhe mediave ndërkombëtare dhe disa shkrime në to në lidhje me kultivimin e hashashit. “Mediat italiane, gjermane e franceze kanë shkruar që në Shqipëri po bëhet nami me kultivimin e hashashit”, tha Bushati.
Tahiri e mohoi këtë.
“Në mediat e huaja e dimë të gjithë sesi blihen artikujt se janë artikuj me pagesë”, tha ish ministri.
Bushati shpërtheu në akuza ndaj Tahirit, për trafikun e drogës, ku solli në vëmendje se shefi i Antimafias Italiane, Franko Roberti, ka thënë që vitet e fundit është trefishuar kultivimi i kanabisit në Shqipëri.
Por ish Ministri Tahiri e mohoi një gjë të tillë, duke e cilësuar Bushatin si një njeri të paguar nga Lulzim Basha. Kjo rriti tensionet në studio, duke kaluar në akuza të forta.