Basha: Dorëheqja e Tahirit pas presionit nga Gjermania
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar pas vendimit të djeshëm të ish-ministrit Saimir Tahiri për dorëzimin e mandatit të deputetit. Kreu i PD deklaroi se vendimi i Tahirit erdhi pas presionit që Gjermania i bëri kryeministrit Rama.
Por ai tha se pavarësisht largimit të Tahirit nga Parlamenti, ai tashmë i ka shkatërruar provat pasi Rama pengoi prokurorinë ta arrestonte.
“Vetëm pas presionit nga Gjermania, ndaj Edi Ramës ku i’u tha se është e patolerueshme që Tahirit nuk i’u hoq imuniteti, erdhi dorëheqja e Tahirit. Por Prokuroria është në dorë të Ramë, pra edhe Tahiri është në dorë të Ramës, ashtu si Rama në dorë të Tahirit. A ka njeri që e beson se Tahiri bënte trafik pa mbështetjen e Ramës? Jo, sepse i duheshin milionat për të blerë votat. Kjo është arsyeja pse Rama pengon zbardhjen e së vërtetës sepse çdo informacion për Tahirin zbardh implikimin e vetë Ramës”, deklaroi Basha.
Më tej Basha tha se vendimi i Tahirit tregon edhe njëherë se pse sipas tij Rama ka kapur sistemin e drejtësisë dhe nxitoi të zgjedhë Prokurorin Përgjithshëm pa vetting.
“Që kur Edi Rama e mbrojti nga arresti, Tahiri e përdori për shkatërrimin e provave kyçe. E pastroi banesën nga provat. E vetmja gjurmë janë thasët me 830 mijë euro të kapura në makinën e Orest Sotës që edhe ai u lirua.
Kjo vjen pasi Rama emëroi Prokurorin e Përgjithshëm me PPP. Sot të gjithë e kanë të qartë pse Rama nxitoi për të kapur Kryeprokurorin, se pse i duhej kryeprokurori pa vetting. Sepse kështu Tahiri edhe pa mandat nuk do vihej para drejtësisë. Kështu, u eliminua financieri i bandës. Sot askush nuk u vu para përgjegjësisë, pse…se u bë me urdhër të Ramës”, deklaroi Basha.