Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Avdush CANAJ

 

Vjershat s`i shkruaj si ti
në ndonjë letër,
as në kompjuter,
krejt diku tjetër.

 

U gjej vend faqeve të pjeshkës,
te buzët e qershive,
nëpër qepalla fluturash,
në këmisha të kumrive.

 

Në kaçurela trëndafilesh
vargjet kanë hapsirë,
mes unazash kamomilesh
qeshin, ndjehen mirë!

 

Edhe në qerpikë dardhash,
edhe n`fustane pulëbardhash.

Jam Princ i Palnetit të Buzëqeshjes,
e dinë gjithë shpendia,
me 77 numra celularësh
të bukurosheve të mia!

..

PULËBARDHAT SHKRUAJNË VARGJE

Buzëve të detit
pulëbardhat shkruajnë vargje

vijnë valëzat t`i lexojnë
me buzëqeshje n`qepalla

s`i fshijnë, u pëlqejnë
për peshqit e vegjël
kur natën s`i zë gjumi

pulëbardhat s`hidhërohen
çdo varg e dinë mirë
edhe hëna kur del n`ullishtë

..

PËLLUMBAT E DINË SHTËPINË TIME
Të gjithë pëllumbat
shtëpinë time e dinë!

Vijnë me zogjtë e verës
në ballkone pemësh
këndojnë me violinë.

Me këto duar të vogëla
ua shtroj sofrën te kroi
ashtu si ka hije:

me buzëqeshje zemre
e thërmia dashurie.

..

NGA KËMISHA E NATËS

Një kopsë u shkëput

nga këmisha e natës,

ra në kopsht si zog!

 

S`është kopsë!

Yll i vogë zbriti

t`ia puthë ëndrrën

trëndafilës sime!

..

KOPSHTI

Kopshti
s`bën të jetë pa barë
e lule të çelura.

 

S`bënë të jetë
as pa ndonjë pemë
me këmisha gjethesh.

 

Patjetër edhe kroi
ku lanë gërshetat bukuria.

Pastaj zogjtë vijnë pa adresë
me fluturat për dore
ta blerojnë ditën.