Emil Asdurian: MBLEDHËS-GJAHTARËT DHE PARTITË (2)
(Pjesa e dytë)
Ese
EMILI
E ku mund ta dinte e shkreta, as që mund të mendohej, se emri që do të vendoste mbi mua, nuk do më sillte asgjë të veçantë veç asaj dhënë si çdokujt, si nga çdo prind: një shenjë frymëzimi a dëshire për t’i ngjarë dikujt, për një fat më të mbarë se i tyre. Ndoshta, një “adash” mbretëror të jepte një shtytje fati a magji fame. Mua jo. Gjyshes sime, zonjës Areti, siç e thërrisnin të gjithë dhe në Republikën e Parë komuniste, e cila më donte mbi gjithçka, dhe mbi bijtë e saj, kur linda imcak dhe nën peshë, me pak shpresë për të jetuar, (në këtë, njëlloj si Rusoi), iu prish radha e paracaktuar e gjërave, se im atë, biri i dytë, u martua i pari, punë dashurie diku në një jetimore. Kështu që me kanun nuk më takonte emri i gjyshit, siç bëhet rëndom për ta “ringjallur”, por megjithatë në kujtim të tij e fatit tim, bëri që të paktën emri im të fillonte me ‘E’.
Ehhh, pastaj ish dhe Rusoi, për të cilin kish mësuar në një gjimnaz francez në një cep të Perandorisë Otomane, pranë atyre gërmadhave të lashta sokratike, q’ende janë edhe sot, për nxënësin e përkryer, të bindurin pinjoll të shekullit të “dritëzimit”. Gjithsesi, isha fort larg atij Emili, sidomos për nga paudhësitë e bëra, mureve dhe çative, ku shkoja për të vjedhur trimërisht shegë dhe hurma dhe merrja dhuratë, bujari e dashuri të urtë e të butë, si ajo e nënave tiranase në lagjen ku banoja, pranë Fushës së Zezë/Druve, ku dikur mblidhej qymyri, jo se isha njeri pa njeri, as ai “i ardhshmi”, por thjesht një i çartur vocërrak, që duhej zbutur me dashuri.
Çuditërisht, ai, miku i të gjithëve, Jean Jaque, e hodhi dhe e shkroi këtë ide, ngjizur gjatë një endjeje rreth e rreth atij ishulli, ndërtuar enkas për të, ku dekada më vonë de Narvali gjeti Sylvinë e tij, që s’ish aspak Sophia e Emilit, (jo t’imja), i cili deri sa u vra mizorisht në një rrugë të Parisit nga vetja, si don Kishoti, s’arriti të kuptoj në ish e vërtetë, vegim i rastësishëm a trillim mendjeje të dehur nga dëshpërimi a/dhe vetmia: Lirinë e Individit. Në mendjen e tij, ‘U’ ish më i lirë se ne “bijtë e shekullit te ri”, që si shumë breza të tjerë, me radhë u kish humbur “dritëza e brendshme”, si dhe fanari i Rusoit, mes librash e pluhur harrese, siç ndodh rëndom nga koha.
Tek “Marrëveshja Shoqërore”, në rreshtin e parë Rusoi shkruan për të: “Njerëzit lindin të lirë dhe ende, kundo, janë në zinxhirë”.
Përsëri, në mes të punimit shkencor (disertacionit) “Ligjëratë mbi Pabarazinë” thotë:
–“…që ndërsa lidhjet skllavëruese formohen thjesht nga varësia e ndërsjelltë midis njerëzve dhe nevojat e anasjellta që i bashkojnë, është e pamundur të kthesh një njeri në skllav, vetëm atëhere, kur ai më së pari të shndërrohet në një gjendje ku s’mundet të bëjë dot asgjë pa ndihmën e të tjerëve; që ende deri më sot, s’egziston në natyrë.”
–“Kaq gjatë për të thënë se skllavëria është e panatyrshme! Lindim pa, vdesim me, zinxhirë”, bëlbëzoj unë.
Në kapitullin e fundit të novelës së tij Emili, diku pranë fundit, kur pret të martohet dhe të fillojë jetën mendjendritur e i lëçitur, plot besim në atë që kish mësuar, Emili dora vetë (jo unë) sqaron:
–“Sa më shumë lexoj veprat e njerëzve për organizmat e tyre, aq më qartë shoh sesi skllavërohen ata, në mundin e tyre për pavarësi dhe si vetë liria u tretet në përpjekjet për të siguruar vazhdimësinë e saj…formojnë gjithëfarë lidhjesh (sendesh); pastaj sa herë duan të shkojnë përpara befas gjejnë se ato i tërheqin për mbrapa”.
I shoh, të dy përballë meje, me nga një kupë vere në dorë. Njëri e pi me gllënka të mëdha, i etur për ta mbaruar e mbushur prapë sa më shpejt, sikur nuk do kishte festë tjetër, (Ç’festë?) ndërsa tjetri e thithte nga buzët pak nga pak dhe me ngadalë e rrotullonte në gojë sikur të ish puthje dhe unë, (nxënësi), në një kënd, i kundroj i habitur se çfarë do t’i thonë njeri-tjetrit, duke vrarë mendjen, në të njëjtën kohë, se çfarë kishin të përbashkët këta të dy! Ballin e lartë, që shkonte deri në mbaskokë, si mendimi i tyre i zgjatur, edhe pse njeri e kish mbuluar me kujdes nën një parukë të pudrosur, që mori në qafë shumë bashkohës së tij aristokratë. Hunda? Aspak, njeri me një të shkurtër, mishore me majën pak përpjetë, gjunjëzuar tashmë nga e shoqja e sertë dhe mosha, ndërsa tjetri me një të hollë si vargmal alpesh, si prej francezi të vërteteë! Sytë? Ndoshta, shkëndinë e behtë, apo mënyrën se si kundronin e shqyenin, kur të tjerët nuk i shihnin! Në të gjithë të tjerat, ishin, sikur njeri, ai hundëshkurtëri, pasi ish endur për ca kohë në Er dhe nëpër trupa vdekëtarësh të rëndomtë, kish përfunduar tek ky i fundit, që zjarrin i vuri botës me idenë e tij të lirisë dhe jo aq me atë të barazi-vëllazërisë. Emigrantë të ardhur, nga një klasë e mesme zejtarësh. Filozofë dhe pse mësuar kishin mjeshtëri tjetër. Kishin shkruar njësoj për ç’kishin pranuar dhe po aq për ç’e kundërshtonte. Të dy ishin marrë me shtetin dhe natyrën e tij. Dashuria, ishte e vetmja gjë që e njihnin vërtet, (hundëshkurtëri çoku pëlqente dhe djelmka, ndërsa tjetri e kish mësuar në një “ménage a trois”, që s’i kish pëlqyer kurrë, lëre pastaj, se kur filloji të merrej me paudhësi të tilla qysh 15 vjeç… Të dy besonin jo tek njerëzit, por në edukimin e tyre, aq sa i përkushtuan pjesën më thelbësore, për ç’shkruan e u shkrua e dëgjuar nga gojë e tyre.
Të dy besonin se e Vërteta eshtë një. Po ashtu e Drejta.
Ndryshimi themelor midis tyre mbetet, (s’ka kush ta ndryshojë, të dy kanë vdekur, njeri i helmuar dhe s’i dihet varri, tjetri për 16 vjet i harruar deri sa e vunë në Partheon): parimi që shoqëria skllavëron njerinë, nga natyra i dobët, qysh kur lindi nga pylli, por gjithsesi, i lirë.
Emili: –“Ne më kot e kërkojmë lirinë në fuqinë e ligjit. Ligji? A ka ligj? Kush është ai, qe respekton ligjin, kur kudo mbizotëron interesi vetjak dhe dëshira e zjarrtë (e paarsyeshme)”!
Rusoi:–“Është në shoqëri ku njeriu mëson të luftojë kundër vetes dhe të flijojë ç’i sjell dobi atij, për të mirën e përgjithshme. S’është e vërtetë që s’përfiton gjë nga ligjet, se ata të japin forcë për të qënë i drejtë dhe midis të ligjve. S’është e vërtetë që ata s’mund të japin liri, se të mësuan të zotërosh veten”.
Ehhhh, e tha Sokrati e shkroi Plato, e tha Emili dhe e shkroi Rusoi! Emili ish pjellë e Rusoit! Emili ishte Rusoi! Çudi, pse njerëzit mësojnë më shumë duke biseduar dhe me veten…ndoshta për këtë shpikën tejfolësin dhe librin e fytyrave….
PARTIA
Njëmbëdhjetë vjetë më vonë, pas vdekjes se mëshirimit të Sokratit si Ruso, kur për herë të parë u krijua, një grup, që më pas në historinë e njerëzimit, u quajt parti. Më 1789, në Revolucionin Francez, klubi i Jakobinëve, një arenë debati plotësisht të lirë, pa asnjë kufizim, u shndërrua në një bishë totalitare, që hante bijtë e saj, u krijua nga Tmerri që solli po ajo mbi veten dhe shoqërinë, me pjellën e saj Gijotinë, partia politike, themeluar në bazë të parimit të zvicerano-francezit, “vullnetit të përgjithshëm”, të shumicës. Ah, atë, të cilin e urrente me shpirt, se ish marrëzi, greku i urtë. E megjithatë….
Revolucioni kokëmbretprerës duhej të përkujdesej për dy gjëra të qënësishme për egzistencën e trinitisë së vet:
- Qytetarët të shprehnin hapur gjykimin e tyre dhe të merrnin pjesë pakufizim në zgjidhjen e çështjeve kryesore të Republikës.
- Të parandalonin me çdo kusht që këto të mos infektohen nga dëshirat e bashkësisë/komb, qe siç u provua nga çfare ndodhën, çonin në gënjeshtër dhe krim, se barazpeshimi i dëshirave të individëve nuk egziston.
Cilat janë të këqijat që sjellin partitë, politike ose jo, grupime të vullnetshme pa vullnet:
- Mënyra dhe rruga për të zgjidhur çështjet thelbësore, për të cilat u krijuan janë të paqarta.
- Mbizotërimi i mendimit të shumicës, anijes me shumë, por me asnjë kapiten, të gjithë të paaftë për të bërë ç’duhet.
- Legjitimojnë, në një mënyrë apo tjetër, gënjeshtrën dhe krimin e udhëheqësve.
- Janë makina që prodhojnë dëshira të marra bashkësish, të cilat nuk përputhen me vullnetin e përgjithshëm, por në kundërshtim të drejtëperdrejtë me të.
- Qëllimi i vetëm i partive politike s’është tjetër, veç rritja progresive e vetvetes.
- Shtypja e çdo mendimi të lirë dhe çdo lirie individi.
Rritja e vetes dhe fuqisë së saj: vendoset, në fillim një aksiomë për partinë, që do të tregojë se është mënyra më e mirë në shërbim të interesit publik, duke justifikuar egzistencën e saj dhe të një pushtet sa më të gjerë për vete, ku mungesa e mendimit të lirë krijon brenda saj një gjendje të përhershme dobësie, që i vishet mungesës së fuqisë, shërimin e të cilës e sheh vetëm në rritjen e numërit të anëtarëve, deri sa të bëhet forcë e vetme kombëtare dhe më pas ndërkombëtare. Ideja e “interesit publik”, për të cilën bën thirrje çdo parti politike, është trillim, një lëvozhgë e zbrazët, e cila shfaqëson përpjekjen për të qëne e plotë/gjithëfuqishme si domosdoshmëri, ku kriteri i vetëm që mat suksesin e saj, është rritja e partisë dhe e pushtetit.
Shtypja e mendimit të lirë dhe lirisë: është e vërtetë, e hapur, pretendohet dhe shpallet, (gjë që duhet të na kallë frikën, por tashmë jemi kaq të mësuar me të), vret ndë shpirtëra idenë e së vertetës dhe drejtësisë, duke e zëvendësuar me propagandë (“Parti, Enver, jemi gati kurdoherë!” jo larg “Hail Hitler”). Partitë predikojnë se edukojnë, ndërsa përgatisin për bindje pakushte dhe kontroll. Ato s’i shërbejnë të mirës së përgjithëshme, por politikanëve, sa këta të fundit i ndërrojnë si të ishin kuaj poste. (Politikanët në Shqipëri? Churchilli? Anëtarët e partisë komuniste q’u kthyhen në fashistë?) Me ne o kundra nesh, çon në përjashtim dhe vdekje! Kështu edhe pse u krijuan për të ndihur në ndreqjen e një çështje të rëndësishme të vlefshme për gjithë shoqërisë, duke u vënë në mes, pengojnë drejt për së drejti zgjidhjen e saj. Gjërat ngatërrohen kaq shumë sa askush s’e kupton më se ç’është e vërtetë, e drejtë apo më e efektshme. Autoriteti i partisë është forca kryesore dhe në demokracinë më demokratike.
Për çudi, ishte pikërisht në kohën e Revolucionit Francez ku çdo njeri/qytetar, për herë të parë në historinë moderne, merrte pjesë pa asnjë kufizim në ngritjen dhe zgjidhjen e problemeve me të rëndësishme të jetës publike, e arritur kjo nëpërmjet diskutimeve të hapura në sheshe tregu dhe me anë të “Cahiers de Revendicacion”, ose ndryshe “Statements of Grievance”, “ Paraqitjet e Ankesave”, të shpallura publikisht, në formën e “Murit të FB ” apo “Fletë-rrufeve”, që kërkonin zgjidhje dhe tregonin mënyra të ndryshme për t’i zgjidhur. Qysh atëhere, një gjë e tillë s’është përsëritur më, penguar sot nga mure betoni dhe hendeqe funksionarësh të zgjedhur apo të vendosur nga partitë…
…dhe natyrëshëm, pas një meditimi të gjatë dhe kaq të rënduar, pa një pikë verë, nën gërrhitjet e hijeve të ftuara, m’u mbyllen sytë…
Vijon
Shiko pjesen e pare ne linkun: