PD kallëzon Ramën, Nikollën e Manastirliun në prokurori
Partia Demokratike kallëzoi sot në Prokurori Kryeministrin Rama, ministren e Arsimit Nikolla dhe ministren e Shëndetësisë Manastirliu për mbledhjen e të dhënave personale nga nxënësit dhe pacientët në spitale. PD kërkon fillimin e hetimeve për shpërdorim detyre dhe pëdorim të funksionit për arsye elektorale, si dhe kërkon pezullim e ministreve nga detyra pasi ato mund të prishin provat e hetimit.
Kallëzimi në prokurori vjen pas akuzave publike të bëra ditët e fundit nga opozita se Kryeministri Rama po mbledh të dhënat personale të qytetarëve në shkelje të ligjit.
Dy deputetët e PD Albana Vokshi dhe Bardh Spahiu, që dorëzuan kallëzimin në prokurori, sqaruan se Kryeministri Rama po përdor pushtetin për të marrë infomacione dhe të dhëna që janë të mbrojtura me ligj, e që më pas mund të përdoren për manipulime gjatë zgjedhjeve.
Deputetja Vokshi deklaroi:
“Denoncuam marrjen, grumbullimin dhe përpunimin e të dhënave personale të prindërve të të gjithë nxënësve, të të gjitha shkollave, në të gjithë vendin dhe në ndërhyrjen e kartelave personale mjekësore të pacientëve që bëjnë vizita në qendrat shëndetësore. Informacioni i kërkuar emër, mbiemër, numër personal, email, konsiderohen të dhëna të mbrojtura me ligj. Ndaj edhe urdhëri i Ramës për të marrë këto të dhëna është një shkelje ligjore dhe është një veprim antikushtetues.”
Menjëherë pas denoncimeve publike të Partisë Demokratike, megjithëse ministrja e Arsimit Nikolla njoftoi se mbledhja e të dhënave në shkolla po bëhej për një sistem komunikimi real me prindërit e nxënësve, ajo nxorri urdhër për ndalimin e këtij procesi.
Lidhur me ministren Manastirliu, deputetja Vokshi tha:
“Pavarësisht se Manastirliu nuk u tërhoq në dijeninë tonë dje janë marrë në tel qendrat shëndetësore për të ndërprerë marrjen e numrit të kartës së identitetit”.