Albspirit

Media/News/Publishing

Premiera e filmit dokumentar ‘Kastriot Gjini, kompozitori që u shua në mars…’

Filmi dokumentar “KASTRIOT GJINI, kompozitori, që u shua në mars…” realizuar me skenar dhe regji te gazetarit te njohur Ilir YZEIRI, me operator Spartak Papadhimitrin, është një vepër krijuese e tyre, si dhe e figurave më të shquara të kulturës dhe artit shqiptar. Nëpërmjet disa intervistave dhe analizës estetike, zbërthehet jeta muzikore dhe krijimtaria origjinale e Kastriot Gjinit me vlerat e tij të spikatura dhe kontributin e vet të veçantë në muzikën shqiptare. Portreti i tij krijues, vlerësuar nga kolegët si “Magjistar i këngës” dhe nga populli si “Kompozitori i rinisë”, është zbërthyer në këtë film dokumentar, që do shfaqet si premierë në Kinema “Millenium”, ditën e mërkurë, 9 maj 2018, në orën 19.00.

Fotografia e Fluturak Germenji

Kush ishte Kastriot Gjini?

Lindi në Tiranë në 14 korrik të vitit 1949.U diplomua për Gjuhën Angleze në Universitetin e Tiranës në vitin 1971. Ai vdiq në moshën 29 vjeçare (mars 1979) në Itali ku kishte shkuar për t’u operuar nga një sëmundje e zemrës. Kjo gjendje shëndetësore iu rëndua si rezultat i persekutimit që diktatura komuniste i bëri veprës së tij.

Kompozimet e tij ishin me motive nga jugu i Shqipërisë, motive këto që i njihte shumë mirë. Kastriot Gjini ishte një fenomen në muzikën shqiptare. Një talent i lindur, muzika e tij ishte më së shumti e rrymës pop/jazz në këndvështrimin e sotëm, por e bazuar fort në muzikën/tonalitetet folklorike burimore Shqiptare. Talentin e tij prej muzikanti, Gjini e tregoi që në moshën pesëvjeçare, ndërsa kompozimin e parë, një këngë për fëmijë (Fyelli Magjik), e ka bërë kur ishte vetëm 11 vjeç. Në moshën 18-vjeçare, Kastrioti kompozoi këngën “Kartolina” që bëri jehonë në vitin 1968. Me pas kompozoi këngët “Fqinja”, “Kabina numër 3”, “A do vish sivjet në plazh?”, “Mes dritash (Interesant)”, “Ne studentët”, “Shtegtimi”, të cilat i përkasin fondit të artë të muzikës së lehtë shqiptare. Kastrioti është pionier i folkut shqiptar të viteve 1970-1979.

 

Please follow and like us: