Albspirit

Media/News/Publishing

Vizita e Vuçiç në Ankara dhe Moskë duhet të ridimensionojë qëndrimet politike e diplomatike shqiptare

Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi

Presidenti i Serbise, Aleksandër Vuçiç, nisi sot një vizitë të tijën në Ankara. Për tri ditë ai do të vizitojë dy shtete të fuqishme, Turqinë dhe Rusinë. Nga Ankaraja ai do të fluturojë për në Moskë. Gjatë kësaj viizite kryetari i shtetit serb shoqërohet nga anëtarë të kabinetit dhe biznesmenë, në përpjekje për të forcuar veç lidhjeve politike edhe ato ekonomike e tregtare. Po cila është domethënia e kësaj vizite në kontekstin e sotëm gjeopolitik të Europës Juglindore dhe çfarë synon të realizojë Vuçiç me këtë?

E vërteta është se opinioni publik është mësuar t’i shohë presidentin dhe liderët e tjerë politikë serbë të udhëtojnë vazhdimisht drejt Moskës e të aranzhojnë politikat e tyre strategjike të sigurisë më Kremlinin. Por është hera e parë që numri një i shtetit të Serbisë bën një spektakël të tillë diplomatik e politik, duke vizituar me kaq pompozitet Turqinë dhe prej këtu më pas Rusinë.

Eshtë hera e parë që një president serb pritet me nderime kaq të larta nga presidenti i Turqisë. Eshtë hera e parë në historinë postmilosheviçiane që një vizitë si kjo shitet si shenjë e vendosjes së marrëdhënieneve strategjike jo vetëm midis Rusisë dhe Serbisë, por dhe midis tri kryeqendrave, përkatësisht Beogradit-Moskës dhe Ankarasë.

Ekuacioni sipas të cilit një vend mik me Rusinë është vend mik i Serbisë duket se do t’i shërbejë presidentit serb për një qasje të re në marrëdhëniet e këtij trekëndëshi. Por jo vetëm kaq. Duket qartë se ndërmjetës dhe avokat i marrëdhënieve të ngushta midis Serbisë dhe Turqisë është dhe mbetet presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i sapo celebruar për mandatin e katërt të tij si president i vendit me mandat 6 vjeçar. Edhe Stalini nuk kishte qëndruar në pushtet kaq gjatë sa Vladimir Putin! Hrushovi e Brezhnjevi jo e jo! Vizita e Viçiç në Ankara dhe në Moskë vjen në një periudhë deçizive të vendosjes së ekuilibrave të rinj në vendimmarrjen për prezencën gjeopolitike të aktorëve dhe faktorëve të fuqishëm në rajonin e Europës Juglindore. Serbia është në pritje anëtarësimit në BE, ndërkohë që ndjehet e rrethuar nga vendet anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Europian. Dilema me Rusinë plus Turqinë, apo me BE dhe NATO-n është dilema e kohës së sotme për Beogradin.

Nëse i vështrojmë më kujdes zhvillimet e sotme në rajon, atëherë vemë re se Beogradi po luan me dy karta: Nga njëra anë dëshiron integrimin në BE, sepse me Europën e lidhin marrëdhëniet ekonomike, tregtare, ato të bashkëpunimit shkencor, arësimor e në të gjitha fushat jetësore! Nga ana tjetër dëshiron të ruajë një lidhje specifike me Rusinë e pse jo edhe miken e saj Turqinë, gjithnjë për shkaqe gjeostrategjike dhe të sigurisë së saj kombëtare.

Tërheqja e Ankarasë në krah të Serbisë është goditja më e madhe që ajo i jep jo vetëm vendeve dhe popujve jo serbë në rajon, por edhe vetë Bashkimit Europian. Si të thuash, Vuçiç me këtë vizitë dëshiron të sfidojë jo vetëm shqiptarët, por edhe BE-në dhe SHBA-të. A do t’i dalë për mbarë kjo lojë politike dhe diplomatike Serbisë? Ne duhet të presim e të shohim! Varet nga lloji i marrëveshjeve që Vuçiç do të nënshkruajë në Moskë dhe në Ankara! Varet nga akordi politik që do të vendoset midis kryeqyteteve të këtij trekëndëshi! Duhet parë nëse presidenti serb do ta shfrytëzojë këtë vizitë si kortezi e thjesht për presion ndaj perendimit, apo do ta konkretizojë me kontrata dhe marrëveshje që bien ndesh me interesat dhe politikat e perendimit!

Një gjë është e qartë dhe lexohet lehtë: Serbia kërkon përfitime dhe bën presion që t’i marrë këto përfitime në raportet e saj me Kosovën. Shkurt, Vladimir Vuçiç shkon në Ankara dhe në Moskë për të marrë mbështetje sa i përket projektit të tij të marrëveshjes me Prishtinën, me objekt ndarjen e Kosovës! Ndoshta në këtë pikë mund të mos gjejë konsensusin tripalësh, sepse Ankaraja është e interesuar të ketë një lidhje përmes veriut të Mitrovicës me Sanxhakun dhe Bosnjën. Por a mjafton kjo që të tre këta aktorë të mos bëhen bashkë në një projekt, që ndoshta Turqisë i garanton diçka më shumë në marrëdhëniet me Serbinë?! Megjithatë sinjali është i qartë!

Serbia ende nuk e ka vendosur se në cilën anë do të jetë! Eshtë në interesin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon që Serbia të marrë anën euro-atlantike. E është gjthashtu në interesin e vetë Serbisë t’i bashkohet trendit të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare, së paku tani, pas 150 vitesh të krijimit të shtetit serb. Por kjo vizitë është një lajm i keq në kuptimet e mësipërme. Një marrëdhënie e ngushtë Rusi-Turqi i ka favorizuar dhe marrëdhëniet e ngushta të Serbisë me këto dy vende. Kjo sepse sa më shumë Turqia afrohet me Rusinë, aq më shumë largohet nga marrëdhnia e dikurshme e ngushtë e Turqisë më Shqipërinë dhe shqiptarët në Ballkan. Gjithashtu me Europën dhe NATO-n! Pikërisht ky interes ka zgjuar vëmendjen e Beogradit dhe presidenti serb ka për qëllim veç tjerash të dobësojë lidhjet e Ankarasë më Tiranën dhe Prishtinën.

E vërteta është se këto lidhje janë plasaritur prej aleancës së ngushtë midis Erdogan dhe Vladimir Putin, aleancë të cilën vetëm Edi Rama dhe Hashim Thaçi ende nuk duan ta shohin, ta ndjejnë dhe ta rivlerësojnë. Dhe gjithçka ndodh për shkak se të dy këta liderë shqiptarë shohin te presidenti turk, si dhe ai rus, modelin e qeverisjes, jo interesin tonë nacional. Kjo nuk do të thotë që Tirana dhe Prishtina zyrtare të bëjnë garë me Beogradin se kush do të dëshmojë më shumë miqësi e kush do të jetë më shumë xheloz për marrëdhnëiet me Ankaranë. Kjo do të thotë që marrëdhëniet me Turqinë duhen dimensionuar në kushtet e reja të zhvillimeve që po ndodhin në trekëndshein Beograd-Ankara-Moskë. Dimensionim do të thotë gjithashtu reagim diplomatik për të mbrojtur interesat e shtetit të Kosovës dhe të Shqipërisë si dhe të shqiptarëve në rajon.

Një distancim i kryeministrit Rama dhe presidentit Thaçi për vizitën e Vuçiç në Ankara dhe Moskë, do të vinte në siklet si diplomacinë turke ashtu edhe atë ruse. Ndërkohë që do të jepte sinjalin e qartë për BE-në dhe SHBA-të se shqiptarët duhen konsideruar seriozisht si aleatët strategjikë më të besueshëm në rajon të këtyre dy aktorëve dhe faktorëve gjeopolitikë kryesorë në botën e sotme! Një politikë dhe diplomaci ramiziane e stilit “ngreh e mos këput” është politikë dhe diplomaci e dëmshme për interesat e Shqipërisë, të Kosovës dhe shqiptarëve! Sigurisht ekspertiza, këshillimet dhe vendimmarrja i takon liderëve tanë në qevrisje. E vërteta është se diçka serioze duhet menduar dhe parasëgjithash duhet gjykuar, pasi asgjë nuk është e nuk do të jetë më si më parë! Ridimensionimi i politikës së jashtme është domosdoshmëri!

Please follow and like us: