Erdogan harron shprehjen ‘Turqia është Kosovë’, ç’ndodhi në takimin me Vuçiç
Vizita e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç në Ankara tregon se marrëdhëniet midis Serbisë dhe Turqisë janë gjithnjë e më të mira, por kjo nuk do të thotë se dyja vendet nuk kanë probleme, vetëm se i kanë mënjanuar ato. Kështu kanë deklaruar për ‘Sputnik’ profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Sërdan Perishiç dhe analisti Vojislav Laliç.
Laliç beson se Turqia nuk mund të afrohet më pranë Ballkanit nëse anashkalon Serbinë. Ai ka shtuar se marrëdhëniet midis Serbisë dhe Turqisë kanë kaluar nëpër sfida të mëdha.
Përshtypja e analistit, është se presidentët në njëfarë mënyre mund të pranojnë në mënyrë të heshtur dhe mos t’i vënë në dyshim çështjet kontestuese, por kjo nuk do të thotë se ato nuk ekzistojnë.
“Kjo padyshim se është çështja e Kosovës e cila nuk po përmendet në takimet e fundit, të paktën gjatë deklarimeve. Nuk duhet të mashtrohemi nga qëndrimi i Turqisë në këtë çështje. Ankaraja për vite ka bërë fushatë me Organizatën e Bashkëpunimit Islamik dhe po përpiqet të gjitha vendeve të Konferencës Islamike t’u kërkojë ta njohin pavarësinë e Kosovës”.
Ndërkohë, Perishiç mendon se që nga viti 2016 pas një grusht shteti të pasuksesshëm, ka ndryshime të dukshme në politikën e jashtme të Turqisë dhe kjo tregon se ndryshimi duhet të realizohet edhe në Ballkan.
“Kjo është arsyeja pse Erdogan praktikisht hoqi dorë nga shprehja Turqia është Kosovë dhe Kosova është Turqi dhe nuk e përmendi më. Ky ndryshim në politikën e jashtme dhe bashkëpunimin me Rusinë është pozitiv për Serbinë, kjo po reflektohet në bashkëpunimin e mirë me Beogradin”, ka theksuar Perishiç.
Kur është fjala për hyrjen e Turqisë në Bashkimin Evropian, Perishiç ka thënë se Turqia nuk ka vend në BE por as Ballkani Perëndimor.