Albspirit

Media/News/Publishing

Hushi Agim: Vëllezërit binjakë

 

Tregim

Diku larg, në ishullin kontinent të Australisë, në një qytezë të vogël, në pyjet e shtetit të Viktorias kam dëgjuar një nga historitë më prekëse të jetës time, historinë e dy vëllezërve binjakë, Xherry dhe Berry.

Ata lindën në të njëjtën orë dhe ditë dhe e ëma vuri re në çastet e para të lindjes, para se të hapnin sytë ata zgjatën doçkat e vogla dhe zunë njeri-tjetrin për dore!

Dhe ashtu të bashkuar kaluan vitet e fëminisë. Qyteza e tyre ngrihej diku larg Melburnit, mes një pylli të pafundmë mes ekualiptesh dhe koalash. Ishte një qytezë e vogël minatorësh me një kishë të vjetër anglikane në qendër, ndërtesa me tulla të kuqe e bashkisë së qytetit, disa bare, kasapi dhe bukëpjekësi. Diku në periferi të ndara nga një kopësht me bimësi të dendur, ngriheshin spitali dhe teatri i qytetit.

Qyteti i gjithë ishte një rrugë e shtruar me asfalt, anash së cilës ngriheshin shtëpitë shumica të vjetra, të stilit anglez të shekullit të shkuar.

Berry dhe Terry e kaluan fëmijërinë e tyre në oborrin e pasmë të shtëpisë ku kishin dhe një pishinë ku laheshin në muajt e nxehtë të verës, nën shoqërinë e dy qenve të tyre, dy buldogëve të mëdhenj e të zinj sterrë.

I ati ishte minator, kurse e ëma ishte një grua shtëpiake që kujdesej për djemtë, rregullin e shtëpisë dhe gatuante për familjen dhe për dy qentë e mëdhej.

Jeta rridhte e qetë dhe me bukurinë e saj të natyrshme aty mes pyllit dhe koalave që shpesh ndalonin para portës së madhe të shtëpisë për të kërkuar ujë.

E ëma i mësoi djemt si t’i jepnin ujë koalave nga shishet e qelqta me një tub plastik si biberona bebesh. Ishte një kënaqësi e veçantë tek i shihje ato krijesa të bukura e të buta të pyllit tek mbyllnin sytë duke shuar etjen me ujë të freskët nga duart e djemve të vegjël.

Por papritur, një ditë prilli kjo rrjedhë ndaloi duke e kthyer gjithçka në një dhimbje që s’do ndalej kurrë.

Atë ditë Berri ndihej pak i sëmurë me grip dhe ishte hera e parë që Xherri kishte shkuar në shkollë i vetëm.

Autobuzi i shkollës i solli nxënësit në qendër të qytetit por Xherri nuk zbriti.

Berri ndjeu një trishtim në shpirt që s’e pa të vëllain atë pasdite…

Po ashtu e ëma e merakosur menjëherë telefonoi shkollën.

Kujdestari i shkollës, një burrë i vjetër babaxhan e qetësoi duke thënë se Xherri po luante futboll me ekipin e shkollës me djemtë e qytezëz fqinje.

Shkolla e tyre ishte gjysëm ore larg me makinë…megjithse ende 10 vjeç Xherri kishte hedhur shtat dhe ishte bërë një futbollist i mirë dhe me shumë perpektive…

Kaluan dhe disa orë të tjera dhe ankthi i pritjes së Xherrit po bëhej i padurueshëm…

I ati u kthye nga puna dhe kur pa gjendjen e nderë në familje mori makinën e vjetër dhe u nis të kërkonte dhe të sillte në shtëpi të birin, nga shkolla..

Filloi të errej dhe Xherri nuk ishte akoma në shtepi…Papritur dritat e makinës çanë errësirën jashtë shtëpisë.

Berri dhe e ëma dolën me vrap jashtë, por fuqitë iu prenë dhe fytyrën ua pushtoi një trishtim i natyrshëm kur panë se Xherri nuk ishte me të atin..

Nuk e gjeta… kërkova kudo, tha i ati duke përplasur kasketën në gjunjë me dëshpërim.

Të ëmës i shpëtuan lotët padashur, ndërsa Berri për herë të parë në jetën e tij ndjeu një dhimbje të tillë kaq të hidhur…

Po shkoj të njoftoj policinë, tha i ati dhe u kthye në makinën e pafikur akoma…

Ngau me shpejtësi dhe u zhduk në errësirën e natës…

Berrit i erdhi të qante dhe vuri kokën në trupin e nënës…

Mama, më mungon Xherri, foli me zë të dridhur dhe nga sytë i shpëtuan lotët…

E ëma e shtërngoi fort pas vetes dhe lotët iu grumbulluan në grykë, por e përmbajti veten.

Xherri do vij në shtëpi, biri im, i tha ajo me një zë që përpiqej të ndillte siguri…

Atë natë Xherri nuk u kthye në shtëpi…

Kishte rënë një qetësi e frikshme dhe madje as qentë nuk pipëtinin. Ishin shtrirë me këmbët e parmë me sytë nga dera dhe vështronin me trishtim.

Nata e parë pa Xherrin në shtëpi ishte nata më e trishtuar në jetën e Berrit.

Pothuajse nuk mbylli sy gjithë natën. Sa më shumë kalonin minutat, aq më shumë i shtohej frika se nuk do ta shihte më kurrë vëllain e tij të mirë, Xherrin. E aq më shumë se do të mësohej ndonjëherë pa praninë e tij.

Të nesërmen në mëngjes në shtëpi ia behën një grup policësh me blloqe në duar duke mbajtur shënim. Berrit i ngriu zemra dhe doli me vrap të mësonte dicka për fatin e vëllait.

Por policët po flisnin me prindërit dhe bënin pyetje të ndryshme për shkollën, shokët dhe oraret e Xherrit…

Pasi përshëndetën duke thënë ca fjalë qetësuese u larguan dhe s’u panë më.

Ikja e tyre i ngjalli trishtim dhe ia shtoi më shumë frikën se s’do ta shihte më kurrë vëllain e tij…

Kaluan net të tjera, javë, muaj… U mbush dhe viti dhe ditlindja e tyre u kthye në një ditë lotësh dhe dhimbje të thellë. Xherri i vogël ishte zhdukur pa asnjë gjurmë. E vetmja gjë që dihej tashmë ishte se, pasi kishte mbaruar ndeshjen e futbollit Xherri, ishte nisur drejt stacionit të autobuzit të linjës, i vetëm për t’u kthyer në shtëpi.

Por fakti që e bëntë këtë ngjarje të frikshme ishin dy dëshmi personash që kishin parë “aligatorin”, Brad Kempellin në atë orë të kthimit të Xherrit në shtëpi, duke ngarë makinën e tij drejt galerive të minieres, ca tunele të thellë në zemër të tokës ku nxirrej ari, 40 minuta larg qytetit.

Bred Kempell kishte disa histori kriminale si dhunues dhe vrasës fëmijësh, që i kishin vënë nofkën “aligatori”, megjithëse i kishte shpëtuar ligjit dhe dënimeve me dredhitë e tij djallëzore!

Por të gjithë e dinin se ai burrë i shëmtuar në pamje dhe shpirt ishte një monstër i vërtet dhe të gjithë i ruheshin si prej një djalli qimebardhë.

Berri shpesh e shihte të ëmën duke qarë në heshtje, fahehurazi me trishtim dhe një ditë iu afrua duke e përqafuar dhe i tha:

Nënë e di sa e trishtuar je…Por të premtoj se unë do ta gjej Xherrin!

E ëma e shikoi sikur të ishte çliruar nga një barrë e rëndë dhe iu përgjigj:

Është vështirë, biri im…Por s’dua të vdes pa marrë vesh ç’u bë me vogëlushin tim…

Prindërit të dy, pas zhdukjes së Xherrit, ishin plakur para kohe dhe dukej sikur dëshira për të jetuar u ishte zhdukur bashkë me të birin.

I ati pinte çdo natë gati një shishe rum dhe e zinte gjumi me sy të skuqur nga dehja dhe lotët. kurse e ëma kishte filluar të vuante nga zemra…

Berrit megjithëse i ri kishin filluar t’i binin hallet e familjes…

Një ditë kur ishte 16 vjeç ndeshi një burrë me lëkurë dhe flokë të bardha që po ecte i dehur në rrugë, duke iu marrë këmbët. Ishte Bred Kempell…

Berrit nuk iu durua dhe iu hodh në grykë…

Bred Kempelli e shikoi me një urrejtje të frikshme dhe duke iu zgërdhirë me dhëmbët si të qenit dingo i tha:

Ta bëj më keq se tët vëllai…

Këto fjalë e tmerruan Berrin, megjithse thellë diku e qetësuan se më së fundmi po vërtetoheshin dyshimet e tij dhe të gjithëve se prania e Bred Kempell, ditën e zhdukjes së Xherrit, ishte e lidhur pikërisht me këtë tragjedi të familjes së tyre…

Njerëzit i ndanë por Berri shkoi menjëherë në polici dhe raportoi pikërisht fjalët e “aligatorit”.

Polici mbajti shënim fjalët e tij, por pas disa ditësh kur ata shkuan të pyesnin për ç’kishte ndodhur më tej, operativi që ndiqte këtë ngjarje u tha me keqardhje se Brad Kempell i kishte mohuar ato fjalë dhe i kishte quajtur trillime…

Natyrisht kjo pritej nga një njeri i tillë si ai, por Berri tashmë e dinte se njeriu që kishte zhdukur vëllain e tij ishte pikërisht “aligatori”.

Por kur ishte 18 vjeç, plot 8 vite nga zhdukja e të birit, zemra e nënës së tij pushoi së rrahuri. Fjalët e fundit të saj ishin: Berri, biri im mos e harro kurrë vëllain tend. Duhet ta gjejmë Xherrin…

Po nënë, të siguroj se do ta gjejmë dhe Bred Kempell do ta paguaj krimin e tij- iu përgjigj teksa e ëma jepte frymën e fundit.

Në të njëjtin vit, disa muaj më pas, me pothuajse të njëjtat fjalë mbylli sytë dhe i ati i tij.

Berri nga ajo fëmijëri e bukur mbeti me një dhimbje që si një plagë e hapur i rridhte gjak çdo ditë.

Dhe që nga dita e nesërme që varrosi të atin vendosi ta kërkonte të vëllain në galeritë e minierave ku Bred Kempell ishte parë ditën e zhdukjes së Xherrit.

Dhe çdo ditë të jetës së tij Berry e kaloi në kërkim të trupit të vëllait të vet…

Çdo ditë të jetës së tij për 40 vite…

Disa njerëz e konsideronin të çmendur nga dhimbja, disa të tjerë si hero…Derisa u bë objekt shkrimesh në gazeta dhe dokumentarësh në televizione të ndryshme. Madje u krijua dhe një shoqatë në mbështetje të kërkimeve të tij…

Berry mbushi 60 vjeç dhe miqtë e tij vendosën t’ia festonin. Bashkë me urimet për ditëlindjen, në fjalën e rastit miqtë i kërkuan që tashmë Berri të pajtohej me fatin dhe humbjen e të vëllait si ngjarje e paracaktuar nga fati dhe Zoti…

Por Berri duke i falenderuar i dha një përgjigje që i çuditi të pranishmit:

Miqt e mij, ju dua dhe ju falenderoj. Por s’mund ta braktis vëllain tim, që do bënte të njëjtën gjë për mua dhe jam i bindur për këtë…por gjithashtu s’mund ta lë këtë krim që mund t’i kishte ndodhur secilit prej jush në duart e një drejtësie që i lë kriminelët të lirë dhe na lë në mëshirë të sjelljes së tyre…Unë Bred Kempell do ta vë në bankën e të akuzuarve dhe një ditë drejtësia për Xherrin do të bëhet dhe ne do të çliroheni nga një kriminel që kërcënon jetët tona…

Miqtë e Berrit duartrokitën për këto fjalë plot kurajo dhe fisnikëri dhe premtuan me zë të lartë se do merrnin pjesë bashkë me të në kërkim të Xherrit.

Të nesërmen në galeritë e minierës s’u pa më Berri i vetëm, por dhe plot miq të tij…Dhe pas disa ditësh, në një skutë të galerisë, dikush gjeti një thes plastik të vjetër. U njoftuan specialistët e investigimit nga policia e zonës. Dhe vërtet doli se u gjet trupi i tretur i Xherrit…

Megjithëse kishin kaluar 50 vite në thikën e krimit ekspertët gjetën ca gjurmë floku dhe zbuluan ADN e Bred Kempell…

Në ditën e gjyqit fytyra e Berrit shkëlqente nga lumturia që më se fundmi ia kishte dalë ta gjente vëllain e tij binjak, Xherrin. Ia kishte plotësuar amanetin prindërve dhe mbi të gjitha ia kishte marrë hakun duke e vënë në bankën e të akuzuarit “aligatorin”, që u dënua me burg të përjetshëm…

Këtë lajm unë e lexova në një gazetë të Melbournit, bashkë me njoftimin se Berri ishte shpallur njeriu i vitit nga revista më prestigjoze e shtetit të Viktorias.

Për mua ishte padyshim ngjarja më prekëse që i bënte dy vëllezër heronj të njeri-tjetrit por dhe të të gjithë shoqërisë!

Please follow and like us: