Viron Kona: Ujin e ka zënë kuçedra
Sapo doli në oborr,
vajza dëgjoi fishkëllimën,
mori shtambën të mbush ujë,
dhe te kroi e mbajti frymën.
Nënë sot mund t`kthehem vonë,
s’kam faj unë, që uji s’po vjen,
mbase e ka zënë “kuçedra”,
apo djali që fishkëllen?
Nënë të lutem më beso,
kam arsye të vonohem,
kroi ka shterur s’ka pikë ujë,
“për kokën tënde” të betohem!
Ja dhe djali po ma prish mendjen,
te koria m’thotë të shkojmë,
të dëgjojmë këngët e zogjve,
një copë herë të kuvendojmë.
Ikë, i them se jam në hall,
se shikon që uji s’po vjen,
do më vësh n’sherr me nënën,
lërmë t’qetë se s’ta kam ngenë!
Djali qesh, më kap për dore,
me zë t’ëmbël më drithëron,
ç’po më deh aroma e pyllit,
një bilbil tej po këndon.
U magjepsa, atje ndenja,
sikur s’isha në këtë botë,
s’di si ta shpjegoj magjinë,
bëj të ikja, s’ikja dot.
Pastaj dihet ç’ndodhi m’pas,
si n’përrallë gjithçka kaloi,
trimi u ndesh me “kuçedrën”,
ujin e kroit e lëshoji.
Sot o nënë, bëra si bëra,
çdo bëj nesër, nuk e di,
se ajo e “llaftarisura”,
do zërë kroin përsëri.