DËSHMORI NGA SOPOTI I ZERQANIT QË U VRA PËR ÇLIRIMIN E DIBRËS SË MADHE
Sakip Cami
JASHAR KOLA (1912 – 1943), DËSHMORI NGA SOPOTI I ZERQANIT QË U VRA PËR ÇLIRIMIN E DIBRËS SË MADHE
U lind në fshatin Sopot të Zerqanit të Dibrës në prill të vitit 1912. Ai rridhte nga një familje patriote dhe shumë arsimdashëse.
Jashari me gjithë të motrën, Tixhen, mbetën jetimë që në moshë fare të vogël, sepse u vdiq i jati, Selmani.
Xhaxhai i tyre, Qerimi, që drejtonte familjen, si zot shtëpije, bëri çfarë ishte e mundur me kujdesin, përkushtimin e dashurinë për fëmijët e vëllait, që ata të mos e ndjenin veten jetimë.
Qerimi, ndonëse djalin e tij, Izetin nuk pati mundësi ta dërgonte në shkollë sepse e nisi për në kurbet, në Stamboll, për të siguruar të ardhura për familjen, në ato kohëra të vështira me luftëra e kriza ekonomike, Jasharin, si djalë i vetëm i të vëllait, e dërgoi në shkollën 5 vjeçare të Zerqanit. Në shkollën fillore të Zerqanit, Jashari u dallua, ndër të gjithë nxënësit e kësaj shkolle/ (L.Hanku, Yje të pashuar Vëll. IV Faqe 72-75)
Pasi mbaroi shkollën fillore të Zerqanit u regjistrua në shkollën e mesme veterinare të Tiranës, të cilën e mbaroi në vitin 1937.
Në vitin 1931, Jashari u martua me Nazife Metën nga Zerqani, ndërsa e motra Tixhja u martua me Tahir Alliun ne Strikçan.
Në vitin 1937 u njoh me Vasil Laçin. Po këtë vit u emërua me punë në Peshkopi, por e pushuan nga puna si veteriner pas një viti, pasi kishte paraqitur shënja pakënaqësie ndaj regjimit zogist.
Jashari ishte i sjellshëm e i dashur me të gjithë. Ai ishte jo vetëm i pashëm e i qeshur, por edhe i apasionuar pas këngëve popullore, veçanërisht pas këngëve të Isuf Myzyrit, që kur i këndonte me shokët e tij në kullën e Kolajve, i dëgjonte edhe mëhalla. Me këto u rrit edhe kushuriri i tij Lahimi, ai që do të bëhej një nga muzikantët më të mirë të orkestrës së ansamblit dhe estradës së Peshkopisë.
Jashari bleu një sharki në Tiranë dhe ia solli Isait, djalit të madh të Izetit, që t’i shoqëronte kur këndonin. Me djalin e xhaxhait, Izetin, nuk i ndante gjë, më shumë se të ishin vëllezër, aq sa vishnin dhe rrobat e njëri-tjetrit.
Pushtimin fashist e priti me indinjatë të thellë , ndaj menjëhrë u aktivizua me Lëvizjen Antifashiste Nacional Çlirimtare.
Kthehet në Sopot. Fashistët e kërkojnë për ta veshur karabinier, por Jashari nuk pranoi. Me ndihmën e një miku në fillim të vitit 1940 siguroi një punë në Tiranë si nëpunës veteriner. Këtu ai ra në kontakt me Mihal Durin dhe me shokët e tij guerilas. Por aktiviteti i tij ra në sy të spiunëve të SIM-it dhe kështu e burgosin. Në fillim e burgosin në burgun e Tiranës dhe më pas dërgohet në kështjellën mesjetare të Ishullit Gaeta të Italisë. Këtu ai përsëri u njoh me shokë të tjerë të internuar sikurse ai . Ata i dhanë literaturë italiane dhe e brumosën akoma më shumë për rrezikun fashist që i kërcënohej botës dhe vendit tonë.
Pas qëndrimit prej 17 muajsh burgosje, lirohet në nëntor të vitit 1941.
Pas kthimit në atdhe, ai e intensifikoi edhe më shumë aktivitetin e tij antifashist. Për t’ju shmangur arrestimit në fillim të vitit 1942 u vu në lidhje dhe u strehua tek Baba Faja në Martanesh. Nazifja, bashkëshortja e tij, tregon se në udhëtimet e tij natën dhe në takimet e tij me Baba Fajën ai më kërkonte që të mos e dinte asnjeri, as ne njerëzit ne shtëpisë.
Në fillim u rradhit me forcat e Haxhi Lleshit dhe më pas me formimin e Çetës Vullnetare Territoriale të Grykës së Madhe në mars të vitit 1943 u bë pjesë e kësaj çete dhe me 26 korrik 1943 edhe pjesë e Batalionit Partizan të Dibrës.(Xh. Krifca, Kujtime, faqe 69)
Në këtë batalion dhe në këtë çetë mori pjesë në shumë aksione e luftime si në betejën e Sofraçanit, për çlirimin e Zerqanit etj.
Por trimëria dhe heroizmi i Jashar Kolës shkëlqyen në luftën për çlirimin e Dibrës së Madhe.
Me 31 tetor forcat gjermane në bashkëpunim me forcat e Xhem Hasë Gostivarit sulmuan Dibrën e Madhe, për ta patur nën hegjemoninë e tyre.
Sulmi filloi mbi Kishën e Varoshit në mesditë, për të siguruar befasi.
Jashari nga pozicionet e luftimit, nga ndërtesa e shtabit partizan, nëpërmjet telefonit luftarak raportonte: “Po qëndrojmë heroikisht, jemi me moral të lartë, pozicionet nuk i lëshojmë”. Ai kalonte nga dritarja në dritare dhe qëllonte pa pushim.
Armiqtë kur e panë se nuk po e merrnin dot ndërtesën e shtabit, deshën t’i vënë zjarrin.
Haki Stërmilli në ditarin partizan, faqe 109, shkruan: “Njoftohemi se armiqtë po hedhin shishe me benzinë e lecka kundër godinës së shtabit, për me i djegë brenda heronjtë që qëndrojnë e luftojnë tuj këndue”.
Katet dhe korridoret e ndërtesës u shëndrruan në transhe e dritaret në pozicione. Partizanët nuk thuhen.
Populli kësaj qëndrese i ka kënduar:
Partizanët qëndrojnë si kalaja
S’ka ç’u ban topi, s’ka ç’u ban mortaja…
-Shokë, ka rënë zjarr në katin e parë nga lindja! thirri Jashari dhe vrapoi i pari.
-Dorëzohuni se do t’ju djegim brenda! S’keni shpëtim ! bërtisnin dhe thirrnin armiqtë.
-Partizanët nuk e kanë zakon të dorëzohen, o të shitur, thirrte Jashari dhe vazhdonte betejën.
Armiqtë hodhën kundër tyre mijëra predha armësh , qindra bomba dore dhe shoshe me benzinë por u thyen nga partizanët trima të njësitit të Zerqanit Jashar Kola, Thoma Harito, Destan Meta, Merdan Sefa, Ismet Sula, Ali Danga , Asllan Vorfi dhe dy partizanë italianë.
Flaka sa vinte e shtohej dhe gjuhët e saj zgjateshin e ua ngushtonin fushën e pamjes dhe të veprimit partizanëve.
-Shokë, sillni kova me ujë nga bodrumi, thirri doktori i batalionit.
Partizanët sillnin kova me ujë për të shuar flakët dhe për të vazhduar betejën. Plagoset Asllan Vorfi. Shokët i japin ndihmën e parë.
Armiqtë i afrohen dritareve dhe qëllojnë nga dritaret direkt drejt partizanëve. Një plumb goditi Jasharin që udhëhoqi qëndresën për 4 ditë e 4 netë në këtë kala partizane.
Ndaj populli e ka përjetësuar në këngë këtë heroizëm të pashoq:
“Për liri këtu ka ra Jashari
E goditi-o një plumb barbari
Shqipërisë ia fali rininë
E dha jetën për Shqipërinë…”.
Komanda partizane duke parë se njësiti partizan ishte në rrezik afroi forca dhe ndihma të tjera për të shpëtuar të rrethuarit dhe si rezultat armiku u tërhoq duke lënë 153 të vdekur dhe afro 110 robër.
Edhe muret, edhe hekurat e ndërtesës ishin shkatrruar nga plumbat, ndërsa partizanët qëndruan…
Shkrimtari dhe luftëtari Haki Stërmilli e krahasoi qëndresën e Jashar Kolës dhe të 10 shokëve të tij me Oso Kukën. Ai shkruan: “Sulme të dëshpërueme bajnë armiqtë kundër ndërtesës së shtabit , ku asht ngujue Jashar Kola me 10 shokë si Oso Kuka në Kullë të Vraninës”.
KËNGA PËR DËSHMORIN JASHAR KOLA
Teksti dhe muzika: Munir Shehu
Kënduar nga Flora Toska, 1962
Hej, n’ato kodra, n’ato livadhe
U ndez ashpër lufta në Dibër të Madhe
Me ballista e me gjermanë
Ç’po luftojnë trimat partizanë
Krisma e pushkës që ban Haxhi Lleshi
E dëgjoi Dibra, e dëgjoi Martaneshi
Federatën (Bashkinë) e mbron Jashar Kola
Me dhjetë shokë, partizanë , sokola
Dhe në terr edhe në mjergull
Ta hanë syrin, veç me t’pa në vetull
Për tre ditë që kanë ndejt’ rrethue
Kambë armiku s’ka mujt me u afrue
Partizanët qëndrojnë si kalaja
S’ka ç’u ban topi, s’ka ç’u ban mortaja
N’Grykë të Radikës, kush po ik i pari
Kryeballisti prej Gostivari
Dibra e Madhe ka qenë e do të jetë
Kamb’ armiku këtu s’ka me mbetë
Tuj luftue këtu ka ra Jashari
E goditi një plumb barbari
Shqipërisë ja fali rininë
E dha jetën trimi për lirinë.