May: Sulmet nën drejtimin amerikan në Siri. të drejta dhe legjitime
Kryeministrja britanike, Theresa May deklaroi sot se sulmet nën drejtimin amerikan kundër bazave kimike në Siri ishin të drejta dhe të ligjshme dhe ishin bërë për t’iu dhënë fund vuajtjeve të popullsisë civile atje. “Besoj se ishte gjëja e duhur për të bërë’’, deklaroi May për gazetarët kur u pyet për vendimin e saj për sulmet pa u konsultuar me parlamentin. “Ky veprim i përbashkët dërgon një mesazh të qartë. komuniteti ndërkombëtar nuk do të qëndrojë i tërhequr dhe nuk do të tolerojë përdorimin e armëve kimike”, deklaroi May. “Nuk bëhet fjalë për ndërhyrje në luftën civile dhe objektivi nuk është ndryshimi i regjimit. Kemi të bëjmë me një sulm të kufizuar, të shënjestruar dhe të përshtatshëm”, theksoi liderja konservatore. “Besoj se masat e marra do të kenë përkeqësuar ndjeshëm kapacitetin e regjimit sirian për përdorimin e armëve kimike”, pohoi ajo. Ajo shtoi se do ta informonte të hënën parlamentin për këtë gjë.