Xhafaj: Akuzat e PD ndaj meje, histori e vjetër 15 vjeçare
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj u është përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike lidhur me një dënim të vëllait të tij në vitet 2000 në Itali.
Në një konferencë për mediat, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj tha se historia vëllait të tij është risjellë nga PD në qendër të vëmendjes për të disatën herë. Ai u shpreh se të njëjtat akuza PD i ka bërë në adresë të tij prej disa vitesh rresht dhe në to nuk ka asnjë fakt të ri.
“Sot, PD paketoi si zbulim të ri një çështje të risjellë dhe kjo ndodh sa herë që kundërshtarëve politikë ju duhet të luftojnë me baltë çka nuk luftojnë dot me atgumente si dje për reformën në drejtësi si sot si ministër i Brendshëm.Vendimi i gjykatës italiane i gjendur lehtësisht sot ka ridalë sot. Me sa duket, unë nuk duhet të bëjë gjë tjetër vetëm se të ripërsërisë veten. Kjo është një çështje e zhvilluar në Itali në kohën kur këta ishin në pushtet. Në asnjë rast, as kjo qeveria dhe as qeveria e tyre nuk janë kontaktuar zyrtarisht”,- tha Xhafaj.
Ministri u shpreh se ishte i detyruar të jepte të njëjtën përgjigje që ka dhënë dhe herët e tjera, duke u shprehur se: “Cili është përgjegjësia ime si zyrtar në lidhje me çfarë ka bërë apo çfarë ka bërë im vëlla?”.
Xhafaj u shpreh se vepra për cilën akuzohet vëllai i tij është hetuar dhe gjykuar në Itali dhe autoritet shqiptare kanë pasur asnjë ndikim. Gjithashtu, Xhafaj shtoi se “në raport me këtë çështje as kam pasur dhe as kam pasur asnjë lloj pushteti për të ndikuar në këtë çështje. Kjo është një çështje e ndodhur në Itali”.
Ministri Xhafaj deklaroi se gjatë historia e vëllait të tij nuk implikon qeverinë e PS në asnjë rrethanë. “Gjithkush gjen në këto deklarime atë që kam thënë edhe më parë. Historia e tim vëllai nuk e implikon as dje as sot qeverinë ku unë bëj pjesë. Cilido në këtë vend, përfshirë dhe familjarët e mi, nuk është mbi ligjin”,- u shpreh Fatmir Xhafaj.
DEKLARATA E PLOTË E MINISTRIT XHAFAJ:
“Sot Partia Demokratike paketoi mediatikisht si zbulim të ri një çështje të ndodhur në vitin 2002, e cila ka më shumë se 15 vjet që e sjell dhe e risjellë në vëmendje të publikut këtë çështje!! Dhe kjo ndodh sa herë që kundërshtarëve politike u duhet të luftojnë me baltë, çka nuk luftojnë dot me argumenta në punën time, si dje gjatë reformës në drejtësi ashtu edhe sot si Ministër i Brendshëm.
Vendimi i gjykatës italiane, lehtësisht i gjendshëm edhe online, i ditur dhe i njohur prej vitesh prej tyre dhe prej kujtdo tjetër të interesuar, shqiptar apo partner ndërkombëtar, i publikuar dhe i stërpublikuar në mediat prane tyre, ka ridalë sot si e vetmja armë kundërshtie mesa duket ndaj meje, sot si Ministër i Brendshëm.
Dhe mesa duket unë nuk duhet të bëjë gjë tjetër veçse të ripërsëris veten në lidhje me riprezantimin e kësaj akuze.
Duket e thjeshtë, por akoma unë nuk kam mundur të kuptoj se cili është problemi i personalitetit tim si njeri dhe si zyrtar në lidhje me çfarë bën, apo akoma më shumë se çfarë ka bërë para 15 vitesh im vëlla. Ndërkohë që nuk kam se si të kuptoj çfarë kërkohet sot tjetër përveç baltosjes sime, nëse në raport me këtë çështje as kam pasur e as kam asnjë lloj pushteti për të ndikuar në çfarëdolloj forme mbi të.
Kjo është një çështje e zhvilluar në Itali, në kohën kur këta që sot e rizbuluan ishin në pushtet, dhe asnjëherë në asnjë rast, as qeveria e tyre, as Qeveria tjetër më pas dhe as kjo Qeveri nuk janë kontaktuar as shkresërisht, as informalisht nga autoritetet e një vendi tjetër për të kërkuar çfarëdoqoftë për këtë çështje.
Nuk kam se çfarë t’i shtoj më shumë atyre çfarë unë kam thënë publikisht në lidhje me këto akuza se sa unë kam thënë në 2002, 2005, 2010, 2016 dhe 2017.
Gjithkush i interesuar gjen në këto deklarime qëndrimin tim koherent në lidhje me këtë çështje.
Historia e tim vëllai, e lidhur me një ngjarje të vitit 2002, kur ai ishte një 25-vjeçar i gjendur në vendin e gabuar dhe nën shoqërinë e njerzëve të gabuar, nuk e implikon as dje dhe as sot qeverinë ku unë bëj pjesë. Ajo ka qënë e mbetet një histori e tij personale dhe vetëm e tij.
Cilido në këtë vend, përfshi dhe mua apo familjarët e mi nuk është mbi ligjin.
Por ajo çfarë është më e rëndësishme është fakti se kjo qeveri nuk i siguron dhe nuk i garanton imunitet nga shkelja e ligjit askujt. As mua! Këtu jam dhe do jem, një qytetar i vendit tim që kurrë nuk ka shkelur e nuk do të shkelë ligjin, as për llogarinë time dhe as për llogarinë e të afërmve apo të njohurve të mi. Të tjerat janë politikë e llojit më të ulët dhe nuk janë puna ime”.