FATMIR XHAFAJ FALSIFIKOI LIGJET E REFORMËS NË DREJTËSI PËR TË MBROJTUR VËLLAIN
Denoncimi i PD: Fatmir Xhafaj i ka siguruar paprekshmëri me ligj vëllait të tij të dënuar
- XHAFAJ I DJESHËM MOHOI XHAFAJN E SHTATORIT 2017
Në Shtator 2017, Fatmir Xhafaj e konsideroj akuzën se i vëllai është i dënuar për trafik ndërkombëtar droge, si një çështje të sajuar nga opozita, dhe se nëse do të kishte fakte dhe prova për këtë, atëherë PD duhet t’i gjente dhe do ishte një rast i mirë për ta “kryqëzuar” atë. Pasi PD publikoi dje vendimin gjyqësor të formës së prerë të Gjykatës së Kasacionit, se i vëllai i Ministrit të Brendshëm, shtetasi Agron Xhafaj është i dënuar për trafik ndërkombëtar, me 7 vjet e 2 muaj burgim, dhe se ai nuk ka vuajtur asnjë ditë nga ky dënim, Fatmir Xhafaj doli dhe përgjënjeshtroi veten.
Ai u detyrua publikisht dje të pranonte se i vëllai është i dënuar, dhe se vendimi që publikoi dje Partia Demokratike është i vërtetë dhe se ai e disponon këtë vendim edhe për shkak se është lehtësisht i gjendshëm edhe online.
Për ndërsa pranoi se e ka gjetur online vendimin e dënimit të të vëllait, Fatmir Xhafaj la pa përgjigje, ashtu sic paralajmëruam edhe dje, 7 pyetjet që i bëmë.
Ndër to:
1) Pse nuk ka përmbushur përgjegjësitë e tij ligjore Ministri i Brendshëm, për të kërkuar identifikimin e Agron Xhafajt dhe për të verifikuar zyrtarisht nëse është apo jo i dënuar, në kushtet kur deklaron se cilido në këtë vend, përfshi atë vetë apo familjarët e tij nuk është mbi ligjin, dhe se ai dhe qeveria e tij nuk i siguron dhe nuk i garanton imunitet nga shkelja e ligjit askujt?
2) Pse nuk ka kërkuar nisjen e procedurave për arrestimin dhe më pas ekstradimin e tij në Itali, siç ka vepruar për shtetas të tjerë? Pse nuk i ka kontaktuar Fatmir Xhafa, as shkresërisht, dhe as informalisht, autoritetet ligjzbatuese italiane, siç ka vepruar për shtetas të tjerë?
Përgjigjet e këtyre pyetjeve, të cilat Fatmir Xhafaj nuk i jep dot, provojnë sesi po e përdor ai detyrën e Ministrit të Brendshëm për të mbrojtur të vëllain e dënuar për trafik ndërkombëtar droge.
Pyetja që ngrihet sot nga të gjithë është: A është ndihma që po i jep Fatmir Xhafaj si Ministër i Brendshëm të vëllait të dënuar për trafik droge, rasti parë, apo ai ka ndikuar edhe më herët, duke përdorur funksionet publike, për ta mbrojtur të vëllain?
Kësaj pyetje Fatmir Xhafaj iu përgjigj dje! Edhe kësaj here mashtroi.
- FAKTE SE SI FATMIR XHAFAJ KA NDIKUAR MBI ÇËSHTJEN E TË VËLLAIT DUKE SHPËRDORUAR FUNKSIONET PUBLIKE
Në deklaratën e ditës së djeshme Fatmir Xhafaj pohoi se ai në raport me çështjen e dënimit të vëllait dhe shëtitjes së Agron Xhafajt të lirë, ndërkohë që duhet të ishte në burg, as ka patur e as nuk ka asnjë lloj pushteti për të ndikuar në çfarëdolloj forme mbi të.
Ky është mashtrim! Ne sot do të provojmë, me fakte dhe prova, sesi Fatmir Xhafaj, dje si Kryetar i Komisionit të Reformës në Drejtësi dhe Kryetar i Komisionit të Ligjeve, njëlloj si sot Ministër i Brendshëm, jo vetëm ka ndikuar në këtë çështje, por i ka siguruar të vëllait lirinë e përjetshme, dhe garancinë me ligj të shmangies nga vuajtja e dënimit të marrë në mungesë për trafik ndërkombëtar droge!
Shqiptarët e kujtojnë se një nga ligjet e miratuara në kuadër të Reformës në Drejtësi, ishte edhe ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale. Pikërisht ky ligj ishte mundësia e artë që Fatmir Xhafaj të zgjidhte hallin e madh të vëllait të tij Agron Xhafaj të dënuar për trafik ndërkombëtar droge, në Itali, në mungesë.
Pa transparencë dhe në konflikt të pastër interesi, Ftamir Xhafaj propozoi dhe miratoi një ndryshim në Kodin e Procedurës Penale, që i siguron paprekshmërinë vëllait të tij Agron Xhafaj. Konkretisht, në nenin 491 të Kodit të Procedurës Penale, befas dhe pa asnjë diskutim, shtohet pika “f”, duke parashikuar që NUK MUND TË JEPET EKSTRADIMI KUR PERSONI I KËRKUAR ËSHTË DËNUAR NË MUNGESË, ME PËRJASHTIM TË RASTIT KUR SHTETI KËRKUES JEP GARANCI PËR RISHIKIMIN E VENDIMIT.
Po si u ndryshua kjo dispozitë? A u falsifikua vendimi i Komisionit nga Fatmir Xhafaj, për të mbrojtur të vëllain e dënuar në mungesë?
III. FAKTE TË FALSIFIKIMIT TË PROCESVERBALEVE DHE VENDIMEVE TË KOMISIONIT NGA FATMIR XHAFAJ
Nga shqyrtimi i provave dhe fakteve, dhe konkretisht dokumenteve parlamentare, të publikuara zyrtarisht, rezulton se:
FAKT 1: Me shkresën nr. 3960, datë 28.12.2016, grupi i ekspertëve të nivelit të lartë, nëpërmjet deputetes Vasilika Hysi, ka propozuar këto ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, në nenin 491:
- a)Në pikën 1, shkronja “c” shfuqizohet .
- b)Pas shkronjës “e” shtohen shkronjat “ë” dhe “f” me këtë përmbajtje:
“ë) kur është parashkruar ndjekja penale ose dënimi sipas ligjit të shtetit kërkues ose të shtetit të kërkuar;
- f) kur i personi i kërkuar është dënuar në mungesë dhe nuk jep pëlqimin për t’u ekstraduar.”
- c)Pas pikës 1, shtohet pika 2 me këtë përmbatje:
“2. Në rastin e parashikuar nga shkronja f), Ministria e Drejtësisë fton shtetin kërkues që të kërkojë njohjen e vendimit penal të huaj dhe ekzekutimin e tij. Në rastin kur kërkesa paraqitet, zbatohen dispozitat e neneve 512 e vijues të këtij Kodi.”
Pra ky propozim në komisionin e ligjeve është I qartë. Nëse një shtetas I dënuar në mungesë jashtë territorit shqiptar nuk jep pëlqimin për tu ekstaduar dhe për ta vuajtur dënimin në vendin ku është dënuar, atëherë ai e vuan dënimin në burgjet shqiptare.
FAKT 2: Sipas relacionit shoqërues (faqe 38-39), këto ndryshime lidheshin me nevojën e reflektimit të parshikimeve të konventave dhe marrëveshjeve të tjera ndërkombëtare të ratifikuara nga shteti shqiptar pas miratimit të Kodit të Procedurës Penale, si dhe rregullimin e problematikës së hasur në praktikë gjatë aplikimit të dispozitave.
FAKT 3: Ndryshimet janë diskutuar në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, në mbledhjet e tij të datave 13.03.2017; 20.03.2017; dhe 21.03.2017.
- Në mbledhjen e parë të datës 13.03.2017, ndryshimi i propozuar në nenin 491 të K.Pr.P., nuk është diskutuar nga Komisioni dhe nuk është përmendur FARE gjatë prezantimit të ndryshimeve.
- Në mbledhjen e dytë të datës 20.03.2017, rezulton nga procesverbali që të mos ketë patur asnjë diskutim për ndryshimin e propozuar në nenin 491 të K.Pr.P.
Në faqen 47 të procesverbalit rezulton që neni 268 (që në draft i referohet ndryshimit të propozuar në nenin 491 të Kodit ekzistues), është miratuar pa ndryshime dhe pa asnjë diskutim. Konkretisht, Komisioni është shprehur DAKORD me versionin e propozuar nga ekspertët nëpërmjet deputetes Vasilika Hysi.
Pra, është miratuar propozimi i bërë nga grupi i ekspertëve, ku shkronja “f”, kishte këtë përmbajtje: “f) kur i personi i kërkuar është dënuar në mungesë dhe nuk jep pëlqimin për t’u ekstraduar”, si dhe shtohej paragrafi 2, me këtë përmbajtje: 2. Në rastin e parashikuar nga shkronja f), Ministria e Drejtësisë fton shtetin kërkues që të kërkojë njohjen e vendimit penal të huaj dhe ekzekutimin e tij. Në rastin kur kërkesa paraqitet, zbatohen dispozitat e neneve 512 e vijues të këtij Kodi.
- Edhe në mbledhjen e tretë të datës 21.03.2017, mbi ndryshimet e bëra në nenin 491 të Kodit të Procedurës Penale, nuk rezulton të ketë patur asnjë diskutim nga anëtarët e Komsionit. Në këtë mbledhje është bërë miratimi në tërësi i ndryshimeve të propozuara në Kodin e Procedurës Penale.
FAKT 4: Në datën 21.03.2017, Kryetari i Komisionit Fatmir Xhafaj, i ka paraqitur seancës plenare Raportin për projektligjin ndryshues të Kodit të Procedurës Penale.
Në faqen 32 të Raportit pasqyrohet edhe ndryshimi që i bëhet nenit 491 të Kodit të Procedurës Penale, ku pasqyrohet se ndryshimi ishte identik me atë që kishin propozuar ekspertët dhe kishte miratuar Komisioni, pra versioni i propozuar nga deputetja Vasilika Hysi zyrtarisht.
Mirëpo, në tekstin integral të ndryshimeve që i bashkëlidhej Raportit dhe i dërgohet seancës për votim, ndryshimi në nenin 491 të Kodit të Procedurës Penale, është shkruar një version tjetër, i falsifikuar dhe i ndryshëm nga ai që ishte miratuar dhe që pasqyrohej në Raportin shpjegues të Komisionit.
Konkretisht, ndryshimi numërtohet neni 270, dhe ka këtë përmbajtje:
“Neni 491
Nuk mund të jepet ekstradimi:
- a) për një vepër me karakter politik ose kur rezulton që ai kërkohet për qëllime politike;
- b) kur ka arsye të mendohet se personi që kërkohet do t’u nënshtrohet persekutimeve ose diskriminimeve për shkak të racës, fesë, seksit, shtetësisë, gjuhës, bindjeve politike, gjendjes personale a shoqërore ose dënimeve a trajtimeve të egra, çnjerëzore a poshtëruese ose veprimeve që përbëjnë shkelje të një të drejte themelore të njeriut;
- c) kur personi që kërkohet ka kryer një vepër penale në Shqipëri;
ç) kur ka filluar procedimi ose është gjykuar në Shqipëri edhe pse vepra është kryer jashtë shtetit;
- d) kur vepra penale nuk parashikohet si e tillë nga legjislacioni shqiptar;
- dh) kur për veprën penale është dhënë amnisti nga shteti shqiptar;
- e) kur personi i kërkuar është shtetas shqiptar dhe nuk ka marrëveshje që të parashikojë ndryshe;
ë) kur është parashkruar ndjekja penale ose dënimi sipas ligjit të shtetit të kërkuar;
- f) kur personi i kërkuar është dënuar në mungesë, me përjashtim të rastit kur shteti kërkues jep garanci për rishikimin e vendimit.”.
Ky version i falsifikuar nga Fatmir Xhafaj pamundëson ekstradimin e Agron Xhafajt të dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Lartë Italiane për trafik ndërkombëtar droge me 7 vjet e 2 muaj.
Ky version po kështu pamundëson njohjen e vendimit nga drejtësia shqiptare në mënyrë që Agron Xhafaj ta vuajë dënimin e formës së prerë të drejtësisë Italiane në burgjet shqiptare.
Faktet e parashtruara më sipër vërtetojnë se ky version, që është kontrabanduar për miratim seancës plenare në datën 30.03.2017, nuk është produkt i diskutimeve në mbledhjet e Komisionit Parlamentar të Ligjeve.
Ndryshimi sipas këtij versioni të miratuar, është bërë pas votimit nga Komisioni, personalisht nga Kryetari i Komisionit Fatmir Xhafaj. Është e qartë se pas këtij ndryshimi fshihet një dhe vetëm një çështje. Shpëtimi i Agron Xhafajt nga drejtësia.
Fatmir Xhafaj është përpjekur ta fshehëe ndryshimin që kishte falisfikuar. Kjo duket qartë nga fakti se edhe pse në nenin 491 të K.Pr.P është bërë vetëm shtesa e shkronjës “f”, ndërkohë që shkronjat “a”-“ë” janë identike siç kanë qenë në Kod, Fatmir Xhafaj ka bërë riformulimin e të gjithë nenit, duke e prezantuar atë si një nen të ri!
Kjo është bërë për të fshehur qëllimin e vërtetë të ndryshimit dhe për t’i fshehur deputetëve falsifikimin e vendimit të Komisionit që kishte bërë personalisht Fatmir Xhafaj.
- PSE KY FALSIFIKIM ËSHTË NDËRHYRJE NË ÇËSHTJEN E AGRON XHAFAJT DHE E BËN ATË TË PAPREKSHËM?
Sipas dispozitës së miratuar, për cdo rast kur personi është dënuar në mungesë, nëse nuk jepet garanci për rigjykim nga shteti kërkues, atëherë ekstradimi refuzohet. Kur shkroi dhe kontrabandoi në seancë këtë dispozitë ligjore, Fatmir Xhafaj kishte parasysh vetëm një njëri – vëllain e tij të dënuar në mungesë për trafik ndërkombëtar të drogës. Dhe kjo ishte mundësia për mbrojtur vëllain e dënuar: duke shtrembëruar ligjin përmes falsifikimit.
Xhafaj e bëri këtë sepse është fakt i njohur botërisht që Italia, vetëm në raste krejtësisht përjashtimore jep garanci për rishikim (Agron Xhafajt kjo kërkesë i është rrëzuar nga Gjykata e Kasacionit në Itali).
Nga ana tjetër, duke hequr pjesën që kishte miratuar Komisioni, pra që në ato raste kur refuzohet ekstradimi, Ministria e Drejtësisë detyrohej të kërkonte njohjen e vendimit në Shqipëri dhe që dënimi të vuhej këtu, si dhe duke lënë të pandryshuar nenin 514 të Kodit të Procedurës Penale, atëherë edhe njohja e vendimit (për të njëjtin shkak – mosthirrjen në gjykim të të pandehurit, pra dënimin në mungesë), bëhet e pamundur.
Për pasojë, personi i dënuar në mungesë, (në ratin konkret Agron Xhafaj) as nuk ekstradohet dot (që ta vuaj dënimin në shtetin e huaj), dhe as nuk i njihet vendimi i huaj penal në Shqipëri (që ta vuaj dënimin në Shqipëri). Pra, Fatmir Xhafaj nëpërmjet falsifikimit që ka kryer, i ka siguruar paprekshëmrinë dhe imunitet ligjor vëllait të tij.
Konkluzioni:
Këto janë faktet:
Fatmir Xhafa ka konsumuar veprat penale të korrupsionit të zyrtarit të lartë dhe të falsifikimit të dokumenteve zyrtare.
Ai e ka bërë këtë duke shtrembëruar Kodin e Procedurës Penale dhe Reformën në Drejtësi për ti mundësuar Agron Xhafajt të dënuar me vendim të formës së prerë si trafikant ndërkombëtar droge që të mos vuajë dënimin as në Itali dhe as në Shqipëri.