Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Një ftesë publike Luftar Pajës

Askujt tjetër më mirë se Luftar Pajës, nuk i shkon për shtat, për momentin ajo vjersha me autor anonim, ‘Ku ta dija unë i varfri’. Një vjershë që gjendet kudo, mjaft të klikosh titullin. Disa aludojnë se e ka origjinën nga Zagoria. Ndofta për koiçedencën se andej është dhe Çajupi, satiristi ynë. Me pak fjalë, ajo vjersha me vargje të tilla, si, mora pushkën dola malit/ të luftoja për atdhe/ ku ta dija unë i varfri/ se armiku ishim ne.

Në fakt është mishërimi ironik i fatit të shqiptarit. Ndaj edhe unë e kam prurë disa herë si argument në opinionet e mia. Për më tepër kur bëhet fjalë për përgjegjësinë civile të individit. Sidomos intelektualit a artistit të popullit. Një subjekt që rri aty heshtur. Mirëpo herë më herë pluskon me ironi therëse. Aq sa kur mendon rolin e individit popullor karshi një qeverie dhe shoqërisë, të bien kokës me plot raste. Madje Luftari duhet ftuar publikisht ta interpretojë këtë vjershë. Nuk ka sy regjisorial që nuk do ta aprovonte. Eshtë fati ynë civil në raport me shtetin, me njëri-tjetrin, me gjithçka njerëzore tonën. Nuk ka për të ndodhur asgjë, i dashur Luftar. Asgjë… Veçse, siç edhe e kemi zakon do mjaftohemi me atë kënaqësinë tonë, brenda vetvetes. Me një indinjatë pa peshë. Mos u tremb, Edi Ramën nuk e heqim nga qeveria. As me Robert Ndrenikën nuk do boshkohemi në protestë për teatrin e tij dhe jo të kombit. Dhe ti nuk je i vetmi që nuk i bashkohet Ndrenikës. Sa të tjerë ka? Sa të duash. Ca bëjnë reklama kafesh. Ca i ka matufepsur pleqëria. Ca partia. Ca emigrimi a vegjetimi ne derën e kalajmave botës së madhe. Me që ra fjala, si rasti i Reshatit me vjershën e ish kryebashkiakut të Vlorës, Ali Asllani. Të kujtohet besoj, ajo me titull Maskarenjtë. Hë, e ka gjetur gjë ndonjë qeveri. A ka ndryshuar ndopak shoqëria jonë në mentalitet a në ndijimin social karshi padrejtësive. Më solide është bërë rreth partizimit. Po Reshati, a i është bashkuar Ndrenikës për fatin e teatrit. Hiç fare. Rroftë heshtja, mënjanimi, ‘shiu në bahçen time’. Rrofshin gradaçelat. Rroftë ai që ka para dhe i gjndet buxhetit të zbrazur të shtetit. Se kështu është aty, hajde ti dhe dhe unë të jap truallin, ndërto, me jep, të jap. Rroftë ai që na paguan çarterin, hotelet luksoze. Faturat e mbjedhjes së dhëmbëve etj. Kështu edhe me rastin tënd. Me rimbursimin tënd. Me ato para ”strategu” që t’i ka bërë duart gjak nga duartrokitjet, do mbulojë ndonjë gropë të tenderuar diku.
Megjithatë nuk është vetëm vetjake çështja. Është më shumë se kaq. Se, si thua ti që nuk ke 100 mijë lekë, pensionist ja, do u bie më qafë fëmijëve. Po a e di se sa të tjerë u bien më qafë fëmijëve aty? Me mijra…

Dhe në fakt kjo puna e ilaçeve të rimbursura është një dramë sociale. Sepse edhe ato që janë, janë pjesë e arsenalit të skaduar të tregut të zi nga magazinat e Bullgarisë dhe Rumanisë. E marrëveshjeve të ulta midis mjekëve privatë në ambulancat shtetërore. Po kjo është një temë tjetër. Plaga e vërtetë qëndron tek e vërteta me elementin barrë sociale fëmijëve. Është një e vërtetë që dhëmb. Sepse ka shumë pa të ardhura fare, sidomos brezat në pritje të moshës së pensionit. Por edhe ata me pension, as që i çojnë nëpër mend faturat e ilaçave. Është një pension thërrime. Dhe në Shqipërinë tonë, llogaritë bëhen në bazë të ardhurave jo nga zyrat e përkrahjes sociale, nga ato të pensioneve, a të ardhurave nga paga, por nga prurjet e wester’unionit. Si puna jote ka një sërë artistësh dhe intelektualësh që ndihen, që bëhen të gjallë, vetëm kur uji i rrekës devijon udhë nga baçeja e tyre. Megjithëse në skena më e shumta e subjekteve, morali i artit ngrihet mbi padrejtësitë dhe veset, prapë asgjë nuk mësojmë. Karshi partisë kemi një solidarizim të çuditshëm, mund t’i falim çdo padrejtësi. Po a mendon, se, në gjithë këto vite janë krijuar një kontingjent i tërë social me destinacion lëmoshën. Dhe kur të tremb ty, me pension special, heqja nga lista e rimbursimeve e ilaçit të zemrës, po ata që nuk kanë asgjë, asnjë të ardhur…, ata që janë një batalion i tërë. Si u bëhet halli atyre…? Ndaj merr mikrofonin, bëhu edhe zëri i tyre, jo i Edi Ramës.

Please follow and like us: