Albspirit

Media/News/Publishing

Kastriot Gjini – kompozitori që u shua në mars

Fotografia e Fluturak Germenji

Mbrëmë në Kinema Milenium u shfaq dokumentari i Ilir Yzeirit për kompozitorin e shquar.

Në datën 9 maj, në orën 19, në Kinema Milenium u shfaq dokumentari artistik «Kastriot Gjini – kompozitori që u shua në mars» me ide, skenar dhe regji të Ilir Yzeirit. Ky dokumentar është në gjurmët e krijimeve të tjera të Yzeirit si «Kuteli dhe Petro Marko – dy vetmitarët në diktaturë», dokumentarët për Muharrem Xhedikun, Ramadan Sokolin apo Pashko Vasën deri të cikli i fundit me katër seri për Hoxhë Tahsinin, Kristoforidhin, Vreton e Mitkon ose «Shqiptarët e mëdhenj të Stambollit dhe një në Misir».
Dokumentari për Kastriot Gjinin është i pari që do të çelë ciklin e një serie dokumentarësh për kulturën dhe që gazetari Ilir Yzeiri po i realizon falë mbështetjes së disa sipërmarrësve në vend që kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në këtë projekt. Pjesë e këtij projekti është edhe zonja Valentina Leskaj e cila ka mbështetur që në fillim këtë ide. Ndërkohë gazetari i njohur Karlo Bolino, qysh në fillim, e ka frymëzuar këtë projekt dhe televizioni që ai drejton, Report tv, ka shfaqur gatishmërinë që t’i promovojë dhe t’i shfaqë ato. Është një sfidë e gjithashme për të vënë në provë shpirtin e mecenatit shqiptar dhe për t’i dhënë promovimit të kulturës shqiptare një dimension të ri, jashtë ndikimit financiar, politik apo klientelist.
Ashtu siç edhe pritej interesi për ta ndjekur dokumentarin për Kastriot Gjinin në kinema Millenium ishte i kënaqshëm dhe megjithëse shiu nuk pushoi gjithë pasditen, megjithëse, në kuadër të Javës së Europës kishte veprimtari pafund, salla e Milleniumit u mbush thuajse plot. Ishte kënaqësi të shihje, krahas zonjës Leskaj, Daut Gumenin, Maks Velon e Agim Fagun, Fatos Tarifën e Ylli Çabirin, Moikom Zeqon e Natasha Lakon, Prof. Bujar Sykjen, Reiz Çiçon e Petrit Rukën e Ylli Pepon, Agim e Vera Isakun, Mehmet Elezin apo Filip Rrumbullakun e Shkëlqim Hajdarin apo poetet Shpresa Kapisyzi e Eva Gallani, gazetaret Radio Tiranës Afërdita Selimi, Zana Zyrakja dhe Natasha Cerga, mësuesja e dalluar e letërsisë dhe eseistja Lumturi Çela, poeti Luan Malaj që kishte ardhur enkas nga Italia apo aktorja Merita Dabulla që kishte ardhur enkas nga Greqia, Servet Tartari nga Shoqata « Labëria » dhe Idajet Beqiri nga « Mallkastra », mbështetësit e projektit Arian Leskaj, Shefqet Kastrati e Shpëtim Liçaj si dhe personazhet e dokumentarit, ata që e portretizuan Kastriot Gjinin dhe analizuan krijimtarinë e tij, si pianisti dhe kompozitori i shquar Robert Radoja, filozofi dhe kritiku Përparim Kabo, Prof. Vaso Tole, studiuesja Mikaela Minga dhe kompozitori e miku i ngushtë i K.Gjinit, Josif Minga. Po ashtu, personalitete të tjera si mjeku i mrekullueshëm Jul Bushati apo neurokirurgu i shquar Arsen Seferi dhe albanologia Anila Omari e shumë të tjerë ishin të pranishëm në sallë.
Dokumentari për Kastriot Gjinin ishte ndërtuar si një imazh i vetëm që paraqiste një personazh me tri pamje, një kompozitor të talentuar që shenjoi një periudhë, një njeri të mrekullueshëm dhe një fat tragjik. Kastriot Gjini nuk kishte studiuar për muzikë, ai kishte mbaruar për anglisht dhe muzikën e kishte të lindur. Ai i lindte këngët dhe më pas i hidhte në pentagram së bashku me Robert Radojën apo Josif Mingën apo me Ferdinand Dedën. Sapo kompozoi këngën e parë « Kartolina » u bë i fashmë, pastaj erdhi kënga « Fqinja », « Mes dritash », « Duart e tua » e plot të tjera. Këngët e tij i këndonte Sherif Merdani dhe në atë kohë kjo dyshe kishte pushtuar gjithë atmosferën muzikore të atyre viteve. Kastriot Gjini dhe festivali XI ishin mbahen mend për atë pranverë të shkurtër që përjetoi Shqipëria në dimrin e gjatë komunist. Dokumentari ishte ndërtuar me intervista të shumta dhe në disa raste ishin përdorur nga arkivi i familjes disa sekuenca me zërin e Kastriotit kur ai këndonte këngë të Bitëllasve apo krijime të tij të papublikuara. Në dokumentar një vend të posaçëm zinte edhe rrëfimi për vendin që zë Kastriot Gjini në traditën e kulturës shqiptare si dhe për rolin që luan liria në personalitetin e njeriut. Po ashtu, në të ishte ndërtuar me shumë skrupulozitet atmosfera e viteve ’70. Një vend të posaçëm në dokumentar zunë këngët që këndohen ashtu siç janë intepretuar në vitet ’70, prej Sherif Merdanit. Kastriot Gjini vdiq pa mbushur 30 vjeç prej një sëmundjeje të rëndë në zemër.
Dokumentari është realizuar me imazh të operatorit të njohur shqiptar Spartak Papadhimitri, postproduksion të piktorit Gentjan Shkurti dhe me konsulencën e Fluturak Gërmenjit. Ai do të shfaqet së shpejti në Report Tv.

Please follow and like us: