Lediona Braho: Në kërkim të rrushit…
Sprove
Nuk e kam fjalën për frutin. As për atë djalin simpatik që e duan të gjithë dhe që ngjan “si rrush”. E kam fjalën për organin gjenital.
Nuk besoj të ketë njeri që nuk e di se fjala “rrush” përdoret këmbyerazi me fjalë si “bibilush”. Në të folmen krahinore, me siguri ka shumë shumë fjalë të tjera për të emërtuar organin gjenital të djemve dhe burrave. Deri këtu jemi në rregull, madje shumë mirë, sepse përdorimi i fjalëve të ndryshme për të emërtuar një objekt, dukuri apo pjesë trupi, dëfton pasurinë e një gjuhe.
Kur lexoni “rrush”, me siguri e para gjë që ju vjen në mendje është pamja e viles së rrushit. Ose ndoshta forma rrethore e kokrrave të rrushit dhe lëkura e tyre e lëmuar kur i prek. Ose shija e ëmbël apo pak e thartë që krijohet në gjuhë, kur e fut në gojë dhe e përtyp. Ose aroma e këndshme që mban kur e afron afër hundës. Shumica e njerëzve i përjetojnë këto thuajse njëherësh. Katër përvoja elementare që krijohen nga njohja përmes shqisave: syve, lëkurës, gjuhës dhe hundës.
Pra, rrushi, si ushqim, si diçka e ngrënshme, na lidh thelbësisht me një eksperiencë shijimi, me një kënaqje oreksi. Ndaj, analogjia mes rrushit-frut dhe rrushit-organ gjenital nuk është një rastësi.
Po çfarë ndodh kur disa njerëz bëhen kuriozë e fillojnë ta kërkojnë “rrushin”?(Këtu nuk e kam fjalën për rrushin-frut, ndaj e kam futur në thonjëza… Po ashtu, këtu po le mënjanë çdo shpjegim për kërkimin e “rrushit”, si detyrim për të zgjidhur krizën e stadit gjenital, gjatë të cilit fëmija-vajzë duhet të identifikohet me nënën dhe të ‘heqë dorë’ nga penisi i babait, për t’iu rikthyer atij më vonë, në moshë të rritur. Po e lë mënjanë çështjen e “kërkimit të rrushit nga vajzat e rritura” jo sepse nuk është me rëndësi, por se tani për tani më intereson një tjetër gjë, të cilën po ua servir thjesht dhe shpejt në paragrafin vijues.)
E kam fjalën për gratë e rritura që kërkojnë rrushin e fëmijëve të vegjël. Kohët e fundit, kam vënë re gra që i pyesin fëmijët e vegjël, në prani të nënave të tyre: “Ku e ke rrushin?” Dhe shpesh hedhin një hap më tej: zgjasin duart për të prekur me dorë e fërkuar fëmijën mes këmbëve. Jo më larg se dje, e dëshmova një skenë të tillë, ku një grua rreth të gjashtëdhjetave, në dukje e arsimuar dhe me kulturë, filloi të shfaqte një interesim të pazakontë për “rrushin” e një djali 12-muajsh. E nisi bisedën me pyetje të përgjithshme për shëndetin e vogëlushit, më pas e kanalizoi tek “rrushi” duke e shfaqur interesimin me prekje dhe batuta. E vura re që e ëma u ndje në siklet dhe nuk dinte çfarë të thoshte, edhe unë u vura pak në siklet, por e mblodha veten dhe i thashë që vogëlushi tani ka nevojë të mësojë disa gjëra të tjera para se të mësojë “ku e ka rrushin”, për shembull, mund të mësojë “ku e ka hundën apo syrin”. Por a ndalej vrulli i zonjës gjashtëdhjetëvjeçare me një koment të vetëm? Mesa dukej jo. Sepse ajo filloi të tregonte histori me djalin e vet, “rrushin” e të cilit e quante “zorrë”, derisa djali mësoi se ai nuk quhej as kështu, as ashtu. Një moment i thashë: “Zonjë, e kuptoj dëshirën tuaj për të folur për rrushin, por çdo gjë ka kohën e vet. Për vogëlushin, ai është thjesht një organ përmes të cilit ai bën urinën. Më vonë, ai do t’i zbulojë vetë dhe përmes të tjerëve, gjithë funksionet e tjera të këtij organi kaq të rëndësishëm”. Zonja u step pak dhe tha: “Mirë, mirë, çdo gjë ka kohën e vet, po edhe ne kënaqemi kur na rriten djemtë dhe iu rritet rrushi. Do Zoti e të jep një djalë që t’i gëzohesh edhe ti rrushit, si unë”.
Kaq tha zonja dhe zbriti shkallët, shend e verë, me një lloj euforie të përzier me kënaqësi, që dukej sikur po e shtynte me një vrapim të pazakontë, drejt një destinacioni ku mezi priste të gjente atë që kërkonte. Dhe unë mbeta në korridor, bashkë me nënën dhe djalin e saj, pa folur, duke ngritur supet dhe vetullat, sikur donim të shprehnim me gjeste fare të thjeshta, gjithë sikletin e mbledhur në grykë pas fjalëve të gruas që ishte bërë erë, në kërkim të rrushit…