Vera Kurti: Ti, fjala ime…
Ti, fjala ime…
Fjalë e ushqyer varfër,
ti, fjala ime
me të miat dituni të marruna hershëm,
flladuar prej ajrit të freskët të pishave
rritur prej kreshtës së bardhë të majit të Dejës.
Fjalë e veshur thjeshtë,
ti, fjala ime
si flladitja e lulëkuqeve mes kallzave të grurit
rritur arave pa përzierje grami e të tjera barëra të kqija
e vesh trupin tënd hollshëm e pa teprime.
Fjalë sederlije,
ti, fjala ime
tek të shoh kur del prej shpirtit
e rrugëve të kraharorit përpëlitesh
më dhimbsesh…
ti, si plumbi i pushkës që bën rikoshet
mbetesh në grykë e veten mbyt…
Fjale e brishtë,
ti, fjala ime
sa herë të lash vetëm
e s’të tregova se ku duhet
kujdes’shëm të ecësh
aq herë je kthyer e brengosur
e je ulur në shpirt
e përlotur …
Please follow and like us: