Albspirit

Media/News/Publishing

Demollari nderohet me titullin “Mjeshtër i madh”

Sulejman Demollari, personaliteti i njohur i sportit është nderuar ditën e sotme me titullin “Mjeshtër i madh” nga ana e presidentit Ilir Meta.

“Në vlerësim të talentit, profesionalizmit dhe rezultateve të larta, si futbollist me një karrierë shumë të suksesshme në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare, duke shpalosur vlerat e një sportisti model, shembull frymëzimi për të gjithë futbollistët e rinj.” – thuhet në motivacionin e Kreut të Shtetit.

Në ceremoninë e organizuar në Presidencë kanë qenë të pranishëm kreu i FSHF, Armando Duka, ambasadorë dhe personalitete të shquara të sportit

Presidenti i Republikës e ka vlerësuar karrierën sportive të Demollarit maksimalisht e të jashtëzakonshme. “Demollari, solisti magjepsës i lojës së bukur, njëri nga sportistët më të talentuar dhe të suksesshëm të kombit tonë” – është shprehur Meta.

Sipas Presidentit Meta, Demollari mbetet lojtari model më i spikatur i ekipit të Dinamos dhe përfaqësues i denjë i futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Sipas Metës, figura e Demollarit është nxitje për brezat e rinj për t’u marrë me sport e për të qenë të suksesshëm në jetë.

“Shembulli i jetës, veprimtarisë dhe sjelljes sportive të Demollarit ka qenë dhe mbetet një burim i rrallë frymëzimi, sidomos për të rinjtë e sotëm Demollari ka forcuar ndjenjat e krenarisë kombëtare, do të jetë ambasadori i përhershëm i Shqipërisë në botë.

Të gjithë sportadshësit shqiptarë e kanë të gdhendur në kujtesën e tyre lojën e tij virtuoze me “Dinamon” e me Kombëtaren dhe sidomos golat e mahnitshëm të shënuar gjatë tri dekadave.” – është shprehur Presidenti Ilir Meta.

Ndërsa legjenda e Dinamos dhe ekipit kombëtar, Sulejman Demollari ka falënderuar Presidentin Meta si vlerësues të përheshëm të sportistëve dhe kontributeve të tyre ndër vite. Ai ua ka dedikuar titullin “Mjshtër i madh” futbollit shqiptar dhe tifozëve kuqezi.

Please follow and like us: