Fjolla Ferati dhe sfida e saj në botën e magjishme të pikturës
Fjolla Ferati, shqiptarja nga Vushtria e Kosovës ka lindur në 9 nëntor 1997, ka mbaruar shkollën e mesme “Eqrem Çabej” në vendlindje, ka vazhduar studimet e larta në Akademinë e Arteve, dega grafikë, është anëtare e shoqatës së arteve figurative dhe ushtron pikturën, si një nga pasionet e saj dhe jo vetëm.
Në punët e saj të para vihet re përpjekja për të hyrë në botën shpirtërore të femrës, për të gjetur te ajo diç të veçantë që është eksploruar nga të tjerë, por edhe që e tërheqin artisten e re.
Fjolla eksperimenton vazhdimisht me ngjyrat, me personazhet, me tema të njohura e të panjohura, shfleton shumë dhe do që të jetë një zë i veçantë në pikturën e Kosovës.
Herë fluide, herë romantike, herë natyraliste, duke sjellë imazhe që i vijnë drejtpërdrejt nga jeta e përditshme, Fjolla është vazhdimisht në kërkim të një arti të bukur, fluid, që të emocionon dhe që të shtyn përtej asaj që shfaqet në tablotë e shumta dhe ende të paekspozuara për publikun.