PD: Shkolla e magjistratures, vetting ilegal për miqtë
Deputeti i PD, Gent Strazimiri deklaroi sot se Shkolla e Magjistraturës shkel ligjin e vettingut dhe bën testimin e aftësive profesionale të magjistratëve në fshehtësi të plotë. Strazimiri tha se nungesa e transparencës dhe shkelja e ligjit janë tregues se procesi është i korruptuar dhe i deformuar nën ndikimin e plotë të Qeverisë.
Ne vijim deputeti i Partise Demokratike nuk do të njohë asnjë proces të korruptuar, jo transparent dhe të ndikuar politikisht.
DEKLARATA E PLOTË E GENT STRAZIMIRIT
Shkolla e Magjistraturës është vënë në shërbimin politik të Edi Ramës për të ndikuar vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke rrëzuar një nga shtyllat kryesore të reformës në drejtësi.
Në kundërshtim me ligjin e vettingut, Shkolla e Magjistraturës ka zhvilluar testimin e aftësive profesionale të subjekteve të rivlerësimit në fshehtësi të plotë, pa transparencë dhe pa asnjë njoftim publik.
Ky proces i drejtuar nga kamikazi i Edi Ramës në Shkollën e Magjistraturës është jetik për të ardhmen e sistemit dhe mungesa e transparencës është shenjë e qartë se po zbatohet projekti i Edi Ramës për kapjen e drejtësisë përmes emërimeve të reja.
Partia Demokratike shpreh shqetësimin e thellë për mungesën e transparencës në këtë proces jetik për garantimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe eficencën e tij.
Shkolla e Magjistraturës ka detyrimin të informojë publikisht për datën e zhvillimit të këtij procesi. Testimi i aftësive profesionale për gjyqtarët dhe prokurorët e rinj në shkelje të ligjit të vettingut dhe në mungesë të plotë transparence është treguesi që procesi është i korruptuar dhe i deformuar dhe që po zhvillohet nën ndikimin e plotë të Qeverisë.
Partia Demokratike nuk do të njohë asnjë proces të rekrutimeve të reja në sistemin e drejtësisë që është i korruptuar, jo transparent dhe i ndikuar politikisht.
Shmangia e ndikimit politik mbi sistemin e drejtësisë dhe eleminimi i kulturës së pandëshkueshmërisë, si qëllime madhore të Reformës në Drejtësi, janë e vetmja mënyrë për të siguruar një sistem drejtësie për qytetarët dhe që mbron të drejtat dhe liritë themelore të tyre.