Albspirit

Media/News/Publishing

Si e vranë serbët Elez Isufin bashkë me nipin e tij?

Roland Qafoku*

Ku ishin kryengritjet, atje ishte Elez Isufi Ndreu. Kështu ndodhi në mars të vitit 1912 kundër serbëve në Malësinë e Dibrës. Kështu ndodhi në nëntor të vitit 1912 po kundër serbëve. Kështu ndodhi në dhjetor 1915 me ushtrinë serbe, e cila arriti deri në Durrës.

Kështu ndodhi dhe në gusht të vitit 1920 po kundër ushtrisë serbe që dërgoi Beogradi për ta eliminuar atë dhe mbështetësit e tij.

Kështu ndodhi në 1921 kur mercenarë bjellorusë në ushtrinë serbe tentuan ta vrisnin.

Në mars 1922 Elez Isufi organzoi kryengritjen e parë me armë ndaj qeverisë shqiptare. Të gjitha betejat i kishte bërë ballë për ballë, deri më 16 dhjetor 1924 në orën 11.00, kur vetë Elez Isufi mbeti i vrarë pas shpine.

Qe një plagosje që i shkaktoi vdekjen 14 ditë më vonë. Në orën 01.00 të 30 dhjetorit të atij viti ai ndërroi jetë i dergjur në shtratin e tij në kullë.

SKENA E VRASJES

Edhe pse nuhatja dhe intuita ishte cilësia e tij më e mirë, Elez Isufit nuk i shkoi mendja në jetë se vdekja do t’i kishte ardhur nga një tradhti .

Ndodhej në kazermat e Ali Rizait në Peshkopi, kur kuptoi se ishte tradhtuar në momentin kur një batare pushkësh u drejtuan ndaj tij dhe nipit të vet Suf Xhelilit.

Duke u larguar nga kazerma i pari u qëllua dhe vdiq në vend Suf Xhelili, ndërsa Elez Isufi mori dy plumba në bark dhe u rrëzua në tokë.

Ashtu të plagosur e dërguan në kullën e vet dhe aty pas dy javësh ndërroi jetë.

SI U ORGANIZUA VRASJA?

Momentin e vrasjes së Elez Isufit e ka treguar në kujtimet e tij historike bashkëkohësi Ismail Strazimiri, zëvendësprefekt i Dibrës.

“…zunë me ra si breshëri plumbat e kundërshtarëve n\oborr të kazermës, atëherë u çue Sul Xhelili dhe duel jashtë kthinës. Atë e ndoq mbasandej edhe Elez Isufi.

Suf Xhelili u vra tue zbrit nga nji mur i ulët i oborrit të kazermës, kurse Elez Isufi u plagos n’oborr. … Elez Isufi i

plagosun me dy plumba nën kërthizë, ndërroi jetë natën e 29-30 dhjetor 1924”.

Vrasja ishte tradhti e pastër. Këtë e konfirmon përsëri bashkëkohësi i vet, Strazimiri.

“Vrasja e tyne s’qe aksidentale apo e rasës. Ishte përgatit nergut dhe u krye prej njerëzve të shenjuem. Ndërkohë u vra Murat Qerrja dhe u plagos Nesim Ahmeti, Osman Musai, Mehmet Elezi të gjithë nga Dardha dhe besnikë t’Elezit”.

Ndonëse me nënkupton, këtë version e jep edhe vetë Elez Isufi pak momente përpara se të vdiste kur ndër fjalët e fundit tha:

“Nëse do t’i shpëtoj vdekjes, nuk do merrem më me njerëzit, por me kafshët”.

Por ka edhe një version, sipas të cilit vdekja e tij ishte më shumë një vullnet i vetë Elez Isufit.

Kur mësoi se i nipi, Suf Xhelili, ishte vrarë, ai nuk pranoi që mjeku t’i hiqte plumbat që kishte në trup, duke e shoqëruar me fjalët:

“Paska qenë e thënë që të iknim bashkë nga kjo botë”

Vargu i njerëzve që shkuan në varrimin e tij ishte nga më të gjatët që janë parë jo vetëm

në atë zonë.

NDERSHMËRIA E ELEZ ISUFIT

Pa shkollë, pa ndonjë kulturë dhe edukim ekstra, Elez Isufi megjithatë kishte disa cilësi natyre që e bënë të hynte në histori. Jo vetëm trimëria e tij është proverbiale, por kësaj cilësie ai i kishte shtuar edhe një tjetër, ndershmërinë.

I pari dëshmitar që flet për ndershmërinë dhe besën e tij është konsulli anglez në Shqipëri, Ayros, gjatë vizitës së marsit 1922, ku Elez Isufi dhe Ahmet Zogu besuan te njëri-tjetri, edhe pse ai ishte 60 vjeç dhe Ahmet Zogu 26 vjeç, vetëm me një shtrëngim duarsh.

Do të çuditej gjithashtu edhe një gjeneral serb që teksa i shkoi në kullë i bëri disa oferta në vlerë monetare vetëm që ai të mos kundërshtonte marrjen e disa tokave brenda kufirit shqiptar.

Elez Isufi shikonte aty pranë disa fëmijë dhe i tha gjeneralit serb:

“Shihni, zotni! Edhe me dashtë unë, plaku, me e tradhëtue Shqipninë, nuk më lane këta fëmijë”.

Ky ishte Elez Isufi, një plak që përfaqësonte cilësitë më të mira të shqiptarit patriot e që luftoi me zemër dhe shpirt për Shqipërinë, por që mbeti i vrarë për këtë Shqipëri nga shqiptarët që bashkëpunuan me të huajt.

10 fakte

  1. Elez Isufi ishte një prijës çetash kryengritjesh nga fshati Sllovë i Dibrës kundër pushtimit serb.
  2. Elez Isufi ishte një njeri i paarsimuar, por me një zgjuarsi natyrore dhe me autoritet në familjen e vet, por edhe në të gjithë zonën e Dibrës.
  3. Elez Isufi ishte djali i Isuf Ndreut, njeriu simbol i rezistencës kundër pushtuesve serbë.
  4. Elez Isufi trashëgoi kullën e familjes Isufi, një minikështjellë e ndërtuar në tokat e familjes në Lisivalle të Dibrës, në vitin 1884.
  5. Gjatë pushtimit osman Elez Isufi ishte mbrojtës i pasurisë së të pasurve dhe pashallarëve të nënprefekturës së Rekës nga kusarët.
  6. Elez Isufi ishte i pasur pikërisht prej pagesave të mira që merrte për mbrojtjen që u bënte atyre nga grabitësit.
  7. Elez Isufi ka qenë disa herë drejtues i formacioneve fshatare të zonës, në mbështetje të disa lëvizjeve kundër qeverive të ndryshme në Shqipëri.
  8. Rasti më historik është ai i marsit 1922 që teksa sulmoi Tiranën me forcat që komandonte, e detyroi qeverinë të largohej në Elbasan.
  9. Vetëm besa që i dha Ahmet Zogut si ministër i Brendshëm solli paqen pas asaj lëvizjeje.
  10. Elez Isufi u dekorua më 28 janar 1916 nga perandori i Austro-Hungarisë Franc Jozefi me Kryqin e Konturës së Oficerëve.

10 mistere

  1. Përse Elez Isufi shkoi në kazermën e Ali Rizait në Peshkopi?
  2. Përse Elez Isufi tentoi të largohej nga kazerma pas thirrjes së Suf Xhelilit se ishin të rrethuar?
  3. Përse e cilësuan si triumf futjen në kazermë pas plagosjes së Elez Isufit, Fiqiri Dines, Hysni Demas, Sul Shehut dhe Aqif Lleshit?
  4. Kush i mbështeteste ata që sulmuan Elez Isufin dhe Suf Xhelilin?
  5. Cilët ishin ata që e ngritën kurthin ndaj tij dhe ata që e shoqëronin?
  6. A ishte vrasja e tij tentativa e fundit e armiqve të Shqipërisë në bashkëpunim me ata shqiptarë për të eliminuar fizikisht atë që u prishte punë?
  7. Kujt i interesonte më shumë vrasja e Elez Isufit?
  8. Përse shoqëruesit e Elez Isufit ishin të paktë në numër, ndërkohë që kurdoherë ku kishte luftuar kishte pasur shumë mbështetës?
  9. Përse figura e Elez Isufit është lënë në harresë nga historiografia jonë?
  10. Përse për shumë e shumë vite nuk është kërkuar zbardhja reale e vrasjes së Elez Isufit?
Please follow and like us: